FOTO/ Kombëtarja 'fton’ talentin shqiptar të Barcelonës

FOTO/ Kombëtarja 'fton’ talentin shqiptar të Barcelonës

14:21, 22/02/2017

Deri në këtë moment të kualifikueseve, Shqipëria e De Biasit nuk ka pasur shumë vend për eksperimentim. Kjo edhe për shkak të ndeshjeve të vlerësuara si shumë të vështira, edhe kur në fushë kishim një kundërshtar si Lihtenshteini. Mirëpo në vijim, emra të rinj dhe elementë cilësorë janë duke u tentuar që të afrohen në skuadrën Kombëtare.

Sipas të përditshmes “Panorama Sport” Ivan Balliu Kampeni, djaloshi i lindur në Katalonjë, do të jetë një risi në skuadrën tonë Kombëtare. Mbrojtësi Ivan Balliu Kampeni është i lindur në Katalonjë, me baba shqiptar dhe me nënë spanjolle. Futbollisti 25-vjeçar është prej tre sezonesh pjesë e skuadrës së Metzit, në Ligën e Parë të Francës.

Ai është aktivizuar në 16 nga 26 javët e luajtura si titullar dhe së fundmi ka kaluar një dëmtim që e ka lënë jashtë për disa javë. Gazeta ka mësuar se diskutimet me menaxherin e tij janë në rrugën e duhur dhe shumë shpejt Kombëtarja shqiptare do të ketë në organikë një mbrojtës “spanjoll”. Balliu është rritur tek akademia katalanase e Barcelonës dhe deri në vitin 2008 ka qenë pjesë e Kombëtares U-17 të Spanjës.

Paraqitjet e tij të mira në Francë dhe dëshira e tij kanë bërë që mes palëve të nisin bisedimet, në mënyrë që ai të mund të jetë prurja e radhës për kuqezinjtë e De Biazit.

Në deklaratën e fundit të dhënë për mediat shqiptare, gjatë ceremonisë kur De Biasi mori titullin nga Ambasada Italiane në Shqipëri, trajneri i kuqezinjve theksoi se elementët e rinj janë pjesë e fokusit të punës së tij gjatë kësaj periudhe.

Në fjalët e tij, trajneri i kuqezinjve ka ngritur alarmin për mosaktivizimin e Veselit dhe të Ajetit përpara ndeshjes me Italinë, ndaj një lojtar që ka zhvilluar mjaftueshëm ndeshje në Superligën e Francës dhe është i aftë për të luajtur në disa role të mbrojtjes, përveç atij të djathtë që e ka rol natyral, atëherë për grumbullimin e radhës Balliu mund të ketë një ftesë.

Është e vështirë për të thënë nëse do të ketë minuta përballë “axurrëve”, por miqësorja që e pason ndaj Bosnjës do të ishte test i mirë për të provuar cilindo element të ri.

Ivan Balliu Kampeni, në një intervistë të dhënë për “Transfermarkt.de” gjatë tetorit të vitit 2016, shprehej: “Nuk di shumë, di vetëm që paraardhësit e mi erdhën në Spanjë. Im atë është përpjekur të gjejë regjistrin e familjes, por unë nuk kam shumë informacion. Agjenti im është në kontakte me Federatën Shqiptare të Futbollit për të gjetur një zgjidhje. Mendoj se i kam dëshmuar cilësitë në karrierën time dhe dua të bëj të njëjtën gjë edhe me ekipin kombëtar”, ka deklaruar lojtari./ panorama sport

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco