Panucci shpërthen kundër të gjithëve: Ja fajtori për mungesën e Italisë në Botëror

Panucci shpërthen kundër të gjithëve: Ja fajtori për mungesën e Italisë në Botëror

15:11, 23/11/2017

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci ka folur edhe për eliminimin e Italisë nga Kupa e Botës.

Në një konferencë për mediat tekniku italian ka theksuar se problemi në Itali nuk është vetëm kombëtarja, por një sistem i tërë që nuk funksionon, shkruan SYRI.net

“Si italian më vjen shumë keq. Por problemi është më i madh nga ç’mendohet, nuk është vetëm eliminimi, është një sistem që nuk funksionon që nga të rinjtë. Gjermania në 2006 kur humbi Botërorin nisi të ndërtonte sektorin e të rinjve. Në futbollin italian ka shumë vështirësi sepse shumë njerëz të aftë nuk i lënë të punojnë.

Tani skandalizohen për rezultatin, por është pasojë e një pune. Kam parë me eksperiencën time që shpesh lodhesh të trajnosh në Itali. Unë jam shumë me fat sepse kam një federatë dhe president që më lë të punoj dhe në fund do më gjykojë.

Por problemi në Italia s’është vetëm kombëtarja, është Seria B, Lega Pro, moshat. Do jetë shumë e gjatë dhe e vështirë që Italia të kthehet protagoniste. Si italian më trishton, por në këto raste duhet të dish shkakun, ndryshe thjesht flet por nuk ndryshon kurrë.”

Ka besim se do gjejë cilësi në Shqipëri, kur nuk gjen dot Italia me 60 milionë banorë?

“Italia nuk dëshiron t’i gjejë, nuk do ta ndërtojë sistemin, por ky nuk është problemi im. Unë besoj se ne kemi një bazë të mirë, ka shumë shqiptarë në qarkullim. Duhen kërkuar për t’i sjellë në kombëtare. Mund të ndërtojmë një Shqipëri shumë të bukur dhe kjo më intrigon shumë.”

I pyetur se përse nuk u jep mundësi mbrojtësve që aktivizohen në kampionatin shqiptar si Mici apo Hoxhallari, Panucci nuk hezitoi të bënte një shaka ironike me gazetarin.

“Më pëlqen Aliji, atë dua të marr unë. Ç’rëndësi ka. Ju pëlqeni brunet, mua më pëlqejnë biondet”- tha ai.

 Alternativat e mbrojtjes?

“E dimë që Hysaj mund të luajë dhe në të majtë. Kemi Lenjanin, Memolla-n dhe Alijin. Uroj që Aliji të gjejë skuadër pasi më pëlqen shumë. Nëse nuk është asnjëri prej tyre mund të luajë dhe Veseli në krah”.

Tekniku italian ka paralajmëruar se në miqësoret e marsit do grumbullojë 2-3 lojtarë të rinj por theksoi se po punon për të formuar një grup të mirë që do të jetë konkurrues në Europian.

“Do grumbullohemi në mars për një miqësore ku do marrim dy tre lojtarë që duam t’i shohim për kombëtaren. Kemi 6 muaj kohë për të formuar grupin që do të provojë të arrijë Europianin. Jam duke vëzhguar 5-6, por nuk them emra sepse janë lojtarë të rinj dhe më mirë mos të them emra. Gjithashtu ndryshe kur i shikon nga afër dhe ndryshe në video”, u shpreh Panucci.

/ OLDI Mele / SYRI.net 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco