Vrasja e Ivanoviçit, ja çfarë kanë fiksuar kamerat e sigurisë...

Vrasja e Ivanoviçit, ja çfarë kanë fiksuar kamerat e sigurisë...

20:43, 17/01/2018
A+ Aa A-

Pamjet nga kamerat e sigurisë nuk pritet të ndihmojnë shumë në identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

Burime nga procesi hetimor i thanë Insajderit se tashmë janë siguruar gjashtë kamera sigurie, të cilat kanë incizuar momentin e vrasjes së Ivanoviçit.

Kamerat kanë zbuluar se vetura e përdorur në atentat ka pasur xhama krejtësisht të zinj, të cilët kanë penguar pamjen e personave të përfshirë në këtë vrasje.

Megjithatë, kamerat kanë dëshmuar se vetura e gjetur e djegur të martën, është pikërisht ajo që është përdorur në këtë krim.

Vetura e cila ishte përdorur në këtë rast është e llojit “Opel Astra”.

Zv. drejtori i policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë dje se xhirimet nga kamerat e sigurisë u dërguan në sektorin e IT-së për verifikim, pastrim dhe kontrollim.

Drejtori i policisë, Shpend Maxhuni, tha  se pavarësisht se vetura e përdorur në atentatin ndaj Oliver Ivanoviçit ishte pa targa, policia, sipas tij ka informacione për pronarin e saj.

Oliver Ivanoviç, lider i Iniciativës Qytetare SDP, u vra para zyrës së tij mëngjesin e së martës.

Prokuroria serbe për krim të organizuar ka nisur procedurën e mbledhjes së provave lidhur me vrasjen e Ivanoviçit.

Kjo Prokurori i ka kërkuar Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme dhe Agjencisë Informative të Sigurisë (shërbimi sekret) mbledhjen e provave që çojnë në drejtim të veprës penale të terrorizimit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco