‘Jam binjaku i Batonit’ - Iriqi bisedon me Carlo Bolinon

‘Jam binjaku i Batonit’ - Iriqi bisedon me Carlo Bolinon

10:04, 26/04/2017
A+ Aa A-

Iriqi: Pse e shkruan me C emrin?

Carlo: Hahaha, me C e nuk po gjej rehat. Mendo sikur ta bëja me K. Do më tallnit tërë ditën.

Iriqi: Je nga të vetmi italianë që u ngule dhe nuk shkulesh nga Tirana prej 20 vjetësh. Pse?

Carlo: Është bërë e vështirë jeta në Itali. Këtu lodhem më pak e jetoj më mirë. P. sh. kastraveci, që ne italianët e përdorim rëndom, në Tiranë kushton një euro. Në Bari dyfish. Pra këtu ha dy kastravecë, kupton.

Iriqi: Kuptoj, por ti nuk jeton vetëm me kastravecë.

Carlo: Kjo pyetje është pakëz me të futme, por po të përgjigjem. Unë jetoj si ju...

Iriqi: Si iriq?!

Carlo: Po, ashtu duke mos u shfaqur në publik. Bëj punëra e punëra dhe për atë zot ia dal mbanë me forcat e mija.

Iriqi: Atë thuaj. Se po të lanë fuqitë ky popull të harron.

Carlo: Ditën e nis me gazetën. Pastaj futem në bunker, dal nga blloku shoh ca restorante, bëj xhiro nga shtabi i ushtrisë dhe kaq mbaron dita ime.

Iriqi: Flitet se je mik me Ramën.

Carlo: Mik i vjetër. Por ai i pëlqen njerëzit si unë. Se nga që nuk di mirë shqip, kur i kërkoj diçka dhe po e pashë që nxehet i them se më ngatërron gjuha. Por deri sot, për atë zot, e respektojmë njëri-tjetrin. Unë me fjalë të ëmbla e ai me bukë. Kështu thuhet?

Iriqi: Afërsisht kështu. Po gazeta si ecën?

Carlo: Si krejt shtypi. Shiten pak kopje, por ne qëllimin e kemi të bëjmë të mirë një kopje. Më tej e di tregu.

Iriqi: Më çuditin pronarët e gazetave. Edhe nuk shesin, edhe nuk falimentojnë. Ndodh kjo në Itali?

Carlo: Në Itali, po dole me humbje të çon shteti vetë në faliment. Të merr pronat e shtëpinë. Të le veç gruan pa ta prekur. Tek ju sa më pak shitesh më të shtrenjtë e ke makinën,më pranë qeverisë je, bëhesh me kioska në çdo cep dhe përfiton tendera e tendera pa fund.

Iriqi: Po si shpjegohet?

Carlo: Se gazetat e tv-të janë si armë me leje. Thuhet qëllo këtë e atë dhe mbulohen humbjet nga paret e pista.

Iriqi: Edhe tek ty afrohen të tilla gjëra?

Carlo: Mua më rrinë larg se e dinë që nuk mund të përdorem. U kam thënë hapur që me mua e keni kot. As blihem,as shitem,shikoj punët e mija dhe pikë.

Iriqi: Po si mbuloni gazetën portalin,televizionin?

Carlo: Me nikorqillëk. Kurse këtu e atje dhe ja, si Fred Peza. Mos e tepro me shpenzime e çdo gjë ecën.

Iriqi: Flitet se bunkerin tek Ministria e Brendshme e menaxhon ti. Vërtet?

Carlo: Po. Sepse unë kam përvojë.

Iriqi: Ka pasur bunkerë në Itali.

Carlo: Nuk ka pasur, por unë kam mik Alfred Moisiun, ish-presidentin. Ai i ka ndërtuar bunkerët. Më ka treguar hollësi për to, ndaj jam profesionist për t'ua shpjeguar njerëzve.

Iriqi: Po zgjedhjet do bëhen më 18 qershor?

Carlo: Të bëhen kur të duan. Ka rëndësi që qeveria të jetë kjo që është edhe për dhjetë vjet. Kaq më duhet.

Iriqi: Pse?

Carlo: Se dal në pension. Më shkoi jeta në Shqipëri.

Iriqi: Po në se fiton Basha?

Carlo: Atëherë do iki në Bari e do pi bar. Se Luli nuk i do italianët. Do gjermanët.

Iriqi: Pyetje të fundit. Nuk u mërzite në Tiranë?

Carlo: Ku kam kohë të mërzitem. Sa nga një punë tek tjetra, sa nga një projekt tek tjetri. Shyqyr që flemë pak se nuk do ia dilja. Tani unë kam dhe nënshtetësi shqiptare. Jam si Baton Haxhiu, binjakë na quan Rama. Jam në hall se drejtshkrimi juaj e ka që emri i njeriu shkruhet si shqiptohet. Pra unë jam Karlo. Por do bëj gjyq dhe do quhem Carlo. E kam gjetur dhe gjyqtarin. I premtoi Rama se nuk do e kapë vettingu. Se ndryshe do tallen edhe kalamajtë me mua, sidomos kur bërtasin në kor o Car.r.r.l.l.l.o.o.o.!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

degjuesi28/04/2017 00:07

Batoni ka tendence te behet prej betoni me sa duket...nuk dihet kush ia ka mbushur mendjen ..apo ngaqe emri i fillon me "b"

i deleguari26/04/2017 11:23

Ketu ne fund eshte ca si e ngaterruar,sepse po t'i thuash Karlos je kelysh kurve,(pra je shume i zoti sic i themi ne shqipetaret),mund te mos jete dakord Batoni si binjaku i tij !

Shto koment

Denonco