Tetë mësime nga zgjedhjet në Gjermani

Tetë mësime nga zgjedhjet në Gjermani

Nga Sebastian Fischer - 25/09/2017

Një. Partia populiste e krahut të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është partia e tretë më e fuqishme në vend dhe do të ketë disa deputetë në parlamentin gjerman, Bundestag. Ka disa radikalë të djathtë në radhët e saj, çka do të thotë se fantazmat e së shkuarës së Gjermanisë po rikthehen. Është hera e parë që nga ditët e hershme të Gjermanisë së pasluftës që një parti e djathtë radikale prezantohet në Bundestag dhe AfD do të jetë shumë më e fortë se paraardhësit e saj, pasi pritet të ketë mbi 80 deputetë. Kjo do të ketë pasoja, në formën e përplasjeve, provokimeve dhe retorikës skandaloze. Që nga fillimi, AfD do të bëjë gjithçka që të sigurojë rikthimin në parlament pas katër vjetësh, dhe që kjo të ndodhë, shoqëria gjermane duhet të mbetet e ndarë. Ky do të jetë fokusi i grupit të AfD-së në Bundestag.

    Dy. Konservatorët e kancelares Angela Merkel, përbërë nga partia e saj, Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) dhe motra e tij bavareze Bashkimi Kristian Social (CSU), kanë pësuar humbje domethënëse, por Merkel sërish e ka siguruar kancelarinë për një mandat të katërt. Krijimi i koalicionit qeverisës këtë herë do të jetë i komplikuar. Social Demokratët (SPD) nuk duan të jenë më pjesë e një koalicioni të madh me konservatorët e Merkelit, siç e kanë bërë të ditur të shtunën disa liderë të SPD. Kjo e lë Merkelin me një opsion të vetëm: koalicion me Partinë e Gjelbër dhe me Demokratët e Lirë, parti që mbështet biznesin. Por ka disa pengesa për një konstelacion të tillë. Së pari, kjo do të përfshinte katër parti, duke vështirësuar koordinimin e përditshëm midis tyre. Për më tepër, mbetet për t’u parë nëse Të Gjelbrit janë të interesuar të bashkojnë forcat me Demokratët e Lirë të rigjallëruar befasisht së fundmi. Megjithatë, zgjedhje të reja nuk është një opsion për të cilin ndonjë nga partitë të jetë veçanërisht e interesuar.

    Tre. Së bashku, dy partitë e mëdha të Gjermanisë – konservativët dhe Social Demokratët – janë më të dobët nga sa kanë qenë në gjashtë dekada. Sistemi partiak i Gjermanisë duket se është fragmentuar dhe shthurur edhe më tepër. Edhe kjo është konsekuencë e një koalicioni të madh që ka qeverisur vendin në tetë nga 12 vitet e fundit.

    Katër. SPD është në kolaps. Ose më saktë, ka vazhduar rrëshqitjen e nisur më 2009 (23%) dhe të ndaluar për pak kohë më 2013 (25.7%). Vitet në qeveri e kanë transformuar një parti dikur krenare në shërbëtorin parlamentar të konservativëve dhe me Martin Schulz në krye SPD ka pësuar humbjen më të rëndë që nga Lufta II Botërore. Vetëm në Republikën e Weimarit Social Demokratët kanë pasur rezultate më të dobëta në zgjedhje. Partia këmbëngul që lidershipi i Schulzit nuk është vënë në diskutim, por premtime të tilla të natës së zgjedhjeve zakonisht nuk kanë jetë të gjatë. Nëse SPD del në opozitë, do t'i duhet të ndeshet me AfD për të tërhequr vëmendjen.

    Pesë. Demokratët e Lirë janë kthyer, por Christian Lindner më mirë do të kishte dashur të kishte qenë kreu i opozitës në Bundestag në se sa të ishte një ndër dy partnerët e vegjël nën Merkelin. Herën e fundit që FDP hyri në një koalicion qeveritar me Merkel – midis 2009 e 2013 – dominimi nga CDU i kushtoi përfaqësimin në parlamentet e disa landeve dhe iu deshën katër vjet për të marrë veten.

    Gjashtë. Partia e Majtë ka mbetur stabël, por sërish ka zero shanse për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës. Dhe me populistët e djathtë tani si një forcë domethënëse në karriget e opozitës, E Majta e ka humbur pretendimin e të qenit përfaqësuesja e parë e votuesve protestues gjermanë. Kjo është sidomos e vërtetë në Gjermaninë lindore, ku e majta tradicionalisht ka dalë mirë. Këtë herë, AfD po e feston suksesin më të madh në landet që i përkisnin ish-Gjermanisë Lindore.

    Shtatë. Rezultati i fortë i AfD-së është veçanërisht i bezdisshëm për Christian Social Union. CSU ishte pranë prishjes së partneritetit me CDU-në e Merkelit dhe tani lideri i CSU, Horst Seehofer, do të donte ta çonte partinë e tij më tutje nga e djathta. Merkel do t’i ndiejë efektet, sidomos duke ditur që zgjedhjet në landin e Bavarisë po vijnë, më 2018. Seehofer shpreson të fitojë një shumicë absolute në ato zgjedhje, por rezultati i partisë së tij në zgjedhjet e së dielës nuk është ogur i mirë për shpresat e tij. Pasi fitoi 49.3 përqind më 2013, CSU zbriti në 38.5 përqind këtë herë, rezultati më i keq që nga lufta.

    Tetë. Opozita parlamentare do të polarizohet midis SPD nga njëra anë dhe AfD nga tjetra, në një kohë kur koalicioni qeverisës ka gjasa të jetë i paprecedent në nivel federal. Në rastin më të mirë, ky mund të jetë rast për rinovim dhe kur vjen puna për konfrontrim me AfD, në lojë do të jenë vlerat thelbësore të Gjermanisë, përfshirë lirinë dhe demokracinë.

    Marrë nga Der Spiegel – Përgatiti: SYRI.net

     

    Image

    © SYRI.net

    Lexo edhe

    Komentet

    Shto koment

    Denonco