Vendet e BE dhe media ndërkombëtare shpërthejnë fuqimisht kundër Ramës

Vendet e BE dhe media ndërkombëtare shpërthejnë fuqimisht kundër Ramës

Nga SYRI.net - 07/09/2017

Tre nga vendet më të rëndësishme të BE, radhazi, Holanda, Franca dhe Gjermania kanë reaguar në mënyrë direkte apo indirekte, fuqimisht e qartas, ndaj “korrupsionit, krimit dhe narkotrafiqeve” në Shqipëri që kanë nxitur qytetarët e saj të emigrojnë masivisht në vendet e BE, sikur Shqipëria të ishte një vend në luftë apo pas-krizë. Në Holandë dhe Francë reagimi ka qënë politik, nga drejtuesit e niveleve të ndryshme të shtetit duke “kërcënuar” shqiptarët me heqjen e regjimit të lëvizjes së lirë. Kurse në Gjermani, reagimi ka qenë mediatik; gazeta më e madhe FAZ pranë kancelares Merkel, ka stigmatizuar regjimin e Tiranës si përgjegjës të kultivimit të kanabisit dhe të pabesueshëm në gjoja luftën që Rama i ka shpallur kësaj dukurie. Ky duket si fillimi i një goditje fatale të bashkërenduar dhe të përqendruar që do të fillojë ti jepet regjimit të “tepsisë” të Tiranës dhe “timonierit” të saj.

Nuk ka asnjë dyshim që të gjitha kancelaritë e vendeve të BE dhe NATO e kanë të qartë situatën e korrupsionit të pashembullt të kupolës qeverisëse që drejton vendin në Shqipëri. Të lidhjeve të kësaj kupole me krimin e organizuar vendas, rajonal e ndërkombëtar, pavarësisht maskimit që përpiqen ti bëjnë disa këshilltarë të huaj ndërkombëtarë të paguar majmërish. Të fitimeve marramendëse nga drejtuesit më të lartë të shtetit dhe të kupolës së policisë, që shkojnë nga disa qindra milionë deri miliarda euro, të ndara me mafian ndërkombëtare të narkotrafiqeve, si rezultat i kultivimit masiv të kanabisit që e ka shndërruar Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe të kthimit të Shqipërisë në vendin tranzit të drogave të forta. Mesa duket këto dosje dhe informacione, për kryeministrin, ministrin e Brendshëm, dhe disa ministra të tjerë shqiptarë, janë mbi tavolinat e kryeministrave dhe qeverive të vendeve të BE e NATO-s. Shërbimet e tyre inteligjente dhe të sigurisë e kanë të qartë me saktësi të plotë se çfarë ndodh në Shqipëri me korrupsionin, krimin dhe narkotrafiqet. Disa herë përfaqësues të tyre janë shprehur në takime konfidenciale se e “njohin shumë mirë situatën në Shqipëri”…

Sigurisht që deri më sot reagimi i tyre politik ka qenë nga mediokër e modest deri ndonjëherë reaktiv diplomatik. Drejtuesit politikë të vendeve kryesore të BE dhe NATO kanë preferuar të mos jenë shumë agresivë në kritikat ndaj regjimit të Tiranës sepse nga analizat e tyre i kanë dhënë më prioritet stabilitetit dhe më shumë kohë demokracisë. Madje në mënyrë naive kanë mbështetur “liderat e fortë” të vendeve të Ballkanit me idenë se ata mund të garantojnë stabilitet dhe të sigurojnë “gardhin” që i pengon qytetarët e tyre të emigrojnë. Nuk kanë qenë pa ndikim edhe rastet e implikimeve korruptive të disa personazheve nga kancelaritë e Brukselit a gjetiu apo përfaqësues të tyre në Tiranë për të fshehur realitetin në Shqipëri apo për ta zbukuruar atë në raportet për drejtuesit e tyre politikë. Kjo qasje mesa duket tashmë ka dështuar. Qytetarët e dëshpëruar dhe të pashpresë nga qeverisja korruptive, kriminale dhe kanabiste dhe të zhgënjyer nga qëndrimi i ndërkombëtarëve kanë gjetur si të vetmen rrugë shpëtimi emigrimin; pikërisht ky ka qenë edhe dinamiti që kë zgjuar nga gjumi kancelaritë e vendeve të BE e NATO-s. Sepse emigrantët shqiptarë prej më se tre vjetësh janë kthyer në makthin e vendeve të BE kurse gjithçka tregojnë azilkërkuesit shqiptarë ngjan më rrëfenjat e të gjithë atyre azilantëve që vinin nga Siria e Afganistani, pra vende në luftë dhe/ose pas-krizë. Regjmi i Tiranës nuk mund të mbrohet më. Kupola e korruptuar e Tiranës e lidhur me krimin dhe narkotrafiqet nuk mund të mashtrojë më askënd. Timonierit nuk mund ti bëjnë më makiazh këshilltarët e dalë boje që paguhen me milionat e kanabisit dhe të korrupsionit apo zyrtarët e korruptuar që kontrollojë raportet për Shqipërinë.

Me sa duket durimi ka sosur dhe kanë filluar reagimet e para të ashpra. Sigurisht nga që “gardhi” që regjimi i Tiranës kishte premtuar për të mbajtur qytetarët e saj ka shpërthyer. Ka reaguar e para, Holanda një vend me ndjeshmëri të lartë dhe që nuk bënë dot kompromis me të keq. Reagimi i saj për heqjen e vizave është një mesazh i dyfishtë: nga njëra për regjimin e Tiranës duke i lënë të kuptojë se mbaroi muaji i mjaltit dhe nga ana tjetër ti bëjë me dije qytetarëve shqiptarë të kthehen e të reagojnë fuqimisht ndaj qeverisë së korruptuar, të inkriminuar dhe të zhytur në narkotrafiqe. E dyta ka reaguar Franca, një vend ndjeshëm ndaj rritjes së azilkërkuesve nga Shqipëria. Dhe e treta ka reaguar fuqimisht media gjermane, ndoshta për të shmangur reagimin e qeverisë gjermane që gjendet në ditët e fundit të fushatës por edhe sepse po reagoi qeveria gjermane nuk mbetet hapësirë për moderim. Të tre reagimet kanë një emërues të përbashkët: azilkërkuesit shqiptarë largohen nga Shqipëria për shkak të situatës së rëndë politike, ekonomike dhe sociale. Ata janë të dëshpëruar dhe të pashpresë për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit galopant, krimit që kontrollon gjithçka dhe kultivimit masiv dhe trafiqeve të drogës që po kërcënon sigurinë e vendit dhe të ardhmen e fëmijëve.

Media ndërkombëtare mesa duket e armatosur me të gjithë informacionet konfidenciale nga shërbimet inteligjente të vendeve të BE e NATO-s apo e orientuar nga qeveritë e tyre ka nisur sulmin ndaj regjimeve oligarike e kleptokratike të vendeve të Ballkanit. Nuk do të jetë e largët dita kur do të reagojnë edhe kancelaritë e vendeve kryesore të BE, jo thjesht në mënyrë indirekte për numrin e rritur të azilkërkuesve nga Shqipëria por edhe për situatën e korrupsionit elitar ku janë të përfshirë Kryeministri dhe qeveria e tij. Për lidhjet e krimit me kupolën qeverise në Shqipëri sepse kriminelët shqiptarë janë bërë të rrezikshëm edhe për vendet e tyre, nga ku nuk mungojnë rastet kur kriminelë shqiptarë që kanë kryer vepra të rënda në vendet e tyre vijnë në Shqipëri dhe bëhen deputetë apo pjesë e kupolës qeverisëse apo kriminelë të lidhur më kupolën qeverisë në Shqipëri janë shumë aktivë në vendet e tyre dhe veprojnë të lidhur ngushtësisht me mafian europiane e ndërkombëtare. Për implikimin e qeverisë e të vetë Kryeministrit në kultivimin masiv të kanabisit dhe të drejtimit të këtij procesi nga ish-ministri i brendshëm dhe kupola e policisë në bashkëpunim me struktura të ministrisë së mbrojtjes.

Qeveritë e vendeve të BE dhe NATO mesa duket po ndërgjegjësohen se stabiliteti i siguruar nga regjimet oligarkike dhe ndërtimi i “gardhit” për qytetarët nga liderët e fortë të Ballkanit është vetëm një iluzion i përkohshëm. Ata po reflektojnë, dhe reagimet e tyre të para sapo janë bërë publike. Ata janë tashmë të bindur se këto regjime nuk duhet të mbështeten më. Përndryshe këto vende dhe rajoni do të destabilizoheshin, që do të ishte me pasoja për sigurinë e tyre.

Ky është mesa duket fillimi i një procesi të goditjes, spastrimit dhe ndëshkimit të të gjithë pjesëtarëve të kupolës oligarkike në Shqipëri dhe në të gjithë vendet e Ballkanit. Nëse kjo do të ndodhte realisht dhe ky proces do të çohej deri në fund, me shumë gjasa do të kishte një rikthim të shpresës që do të shoqërohej me ulje e deri ndërprerje të emigrimit masiv.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku07/09/2017 23:36

Nuk e besoj artikullin, nuk ERRÚ njeri për ne. Nuk ERRÚ shqiptari për veten e vet e as për atdhe, e shet votën 100 €. Historikisht kemi prit të na rregullojnë të tjerët prandaj kemi mbet në mes të mutit. Tash ne po mendojmë se meqë muti jonë po qelb komshinjtë, ata do vijnë ta pastrojnë mutin tonë që të shpëtojnë nga era, kështu që përfitojmë edhe ne dhe dalim të pastër. A shpresojmë vërtet që mund të ndodhë kështu? Kush jeton me shpresë vdes në qenef.

Shto koment

Denonco