Pse të gjithë duan të jenë ‘shoku i ngushtë i Dorit’!

Pse të gjithë duan të jenë ‘shoku i ngushtë i Dorit’!

Nga Andi Bejtja - 20/08/2017

Sot 15 vjet nga vdekja e mikut tonë, shkrimtarit, gazetarit, e mbi të gjitha qytetarit Teodor Keko, prapë duam nuk duam po e kujtojmë Dorin.

Dorin e kam kujtuar shpesh në vetmi, jo vetëm për mall, por edhe në shenjë protestë ndaj shumë prej atyre që çuditërisht edhe pse nuk e kanë dashur Dorin në të gjallë, kishin nevojë ta kujtonin Dorin publikisht rëndom dhe aq shpesh, aq shpesh sa jam i bindur: nuk e kanë kujtuar asnjëherë në vetmi.

Fatkeqësisht, të kujtojë Dorin publikisht këto 15 vite u bë modë. Them fatkeqësisht sepse jam i bindur si buka që ha, që po të kishte një sy hapur nga aty ku është do ta kishte përçmuar të gjithë këtë! Ai do lumturohej nga lexuesit e rinj, që akoma kërkojnë librat e tij nëpër librari dhe nga të afërmit e tij të zemrës apo dhe miqtë që do e kujtonin në vetmi.

Kam vite që mundohem t’i jap përgjigje pyetjes pse të gjithë, jo vetëm ata që kanë ndenjtur me të sa ishte gjallë, por mbi të gjithë dhe ata që nuk kanë ndejtur, dhe ata që nuk e kanë dashur, dhe ata që e dinin që ai nuk donte, dhe ata që e dinin që ai i nuk i duronte por bënte sikur i donte, të gjithë, të gjithë me soj e sorollop, kishin një nevojë të ulërisnin: “Kam qenë shok i ngushtë i Dorit”!

Në këtë rast, duhen studime të thella albanalogjike, psiqike, sociale, etj.

Është një skaner që po ta bësh tamam e zbërthen ashtu si duhet këtë shoqëri. Ata vazhdojnë e kujtojnë e e kujtojnë dhunshëm publikisht, sikur Dori bohem të ishte një shenjtor që i pastron, sikur Dori të ishte pronar i “Bankës së Gjakut Blu”, të fisnikërisë e qytatarisë… që caktonte t’i je qytetar në rrjeshtin e parë, ti në rrjeshtin e fundit! Shkurt, dhe shqip: Dori kishte një Supremaci Urbane të pakonkurueshme dhe nga ata më me shumë libra dhe nga ata me shumë shkollë.

Ndaj, nuk ka problem, kujtoheni “Dorin e Vogël” dhe dhunshëm dhe artificialisht, do zoti bëheni pak më shumë qytetare…Unë do të vazhdoj ta kujtoj në vetmi.

O zot çfarë raporti kishte me vdekjen, sa herë e shtynte e afronte, i kalonte anash, i kthehej në mes…E kisha Zili! Ndaj në këtë 15 vjetor të tij kam një këshillë të vjetër sa bota po qe rutina dhe cektësia na bën ta harrojnë; mendoni për vdekjen, se e sigurtë bëheni më të mirë.

Vëllai im Dori, këtë gotë birre po e pi në vetmi për ty!

Shkruar për “Koha Jone”

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment