Efekti elektoral i partive të reja

Efekti elektoral i partive të reja

Nga Erion Piciri - 22/06/2017

Mungesa e demokracive të brendshme ka bërë që në Shqipëri të lulëzojë fenomeni i partive të reja. Politikanë të aftë që mund të forconin partitë historike, detyrohen të dalin dhe t'i hyjnë një rruge pa rrugë, që tek e fundit sakrifikon burimet tona të pakta njerëzore. Kështu varfërohen partitë e mëdha, parlamenti dhe qeverisja e vendit, krijohen parti-lider që si meteorët shuhen sa bien në kontakt me zgjedhësit. Mossuksesi i paralajmëruar i partive të reja ndjek traditën - lidhet me profilin e drejtuesve dhe konservatorizmin e votuesve.

ASOCIMI ME ESTABLISHMENT-IN

E reja ka sukses kur del në kohë, kundër një të vjetre të konsumuar dhe problematike. E reja merr mbështetje kur nuk asociohet me grupet ne pushtet, ka puritet moral dhe vullnet për të hapur një rrugë të re. Shumica e partive tona të reja krijohen dhe drejtohen nga personazhe të njohur të jetës politike që vijnë mbas një periudhe të gjatë si eksponentë markantë të partive të mëdha (ish-ministra, ish-deputetë apo ish-drejtorë të lartë të korporatave shtetërore). Që aty burojnë benefitet dhe kostot e imazhit. Që aty parashkruhet fati i tyre. Partitë e reja personalizohen me emrat e drejtuesve dhe në perceptimin publik iniciativat duken të vonuara dhe jo në një koherencë me aktivitetin e tyre të mëparshëm. 

Mungesa e qëndrueshmërisë cenon besueshmërinë e tyre. Karrierat nuk janë të ngjashme me ato të liderëve të suksesshëm të vendeve të tjera si Cipras-i, Macron-i, Albin Kurti, Beppe Grillo apo edhe Donald Trump-i, të cilët krijuan lëvizje tërësisht të reja, që vinin nga jashtë sistemit, jo legjitimues në heshtje të funksionimit të tij. Kjo i pengon tanët në krijimin e profilit të heroit antiestablishment. Alternativa të tilla  shpesh shikohen si lëvizje të dëshpëruara për të qëndruar në sistem sesa si lëvizje të pjekura idealiste për ndryshime të qenësishme me përfitime të gjera popullore.

MUNGESA E RRËNJËVE SHOQËRORE

Partitë e reja në gjithë këto vite kanë qenë produkte politikanësh jo lëvizjesh popullore apo të ndonjë grupi të qenësishëm social. Atyre u mungojnë rrënjët. Nuk janë parti të krijuara nga poshtë, nga konvulsioni popullor që ka nxjerrë në skenë një lidership të ri, por janë liderët ata që kanë krijuar partitë dhe kanë shkuar në kërkim të mbështetësve. Mungesa e strukturave të konsoliduara kombëtare me rrënjë të thella popullore e bën të pamundur përçimin e mesazhit dhe mbrojtjen e frontit. Nisur nga ky kontekst themelues, rreziku i kthimit në meteorë elektoralë është i pranishëm. Kjo dukuri ka ndodhur shpesh në këto 25 vite post-komunizëm si për mungesë të strukturave kombëtare, mangësi të drejtuesve por edhe prej indiferencës së zgjedhësve. 

MUNGESA E LIDERËVE KARIZMATIKË

Elektorabiliteti, potenciali ekektoral i një udhëheqësi bën diferencën në zgjedhje. Në Shqipëri zgjedhësit në pjesë të madhe orientohen nga emri i partisë dhe karakteristikat e liderit jo nga programi i tyre. Në një treg politik, me inflacion premtimesh dhe mungesë ekspertize të pavarur, programet anashkalohen nga zgjedhësit. Kanë kaluar kaq gënjeshtarë në këto anë sa gënjeshtrat apo të vërtetat e reja nuk i merr njeri seriozisht. 

Ajo që bën diferencën në zgjedhje është lideri. Një lider karizmatik tejçon energji, krijon besim, zgjon emocione të forta, motivon për veprim. Ndonëse shumë prej drejtuesve të partive të reja ndër vite kanë pasur profile më pak a më shumë të njohura publike, dimensionin karizmatik e kanë pasur  të reduktuar. Për parti të sapokrijuara  (dhe jo vetëm) ky është një aset thelbësor, një potencial për mbështetje të gjerë popullore, një mundësi për të bërë ndryshimin me të tjerët.

Vështirë të bësh për vete kur në treg ka karizmatikë në kufijtë e normalitetit, përfaqësues partish të mëdha, me pushtet të konsoliduar, që dalin gjithë ditën në media dhe joshin masat. Marrëzia ngatërrohet shpesh me gjenialitetin, sidomos në këto anë. Ty të duket i vendosur dhe i vërtetë, por ai është i lojtur, pa dilema, pa ndërgjegje, pa skrupuj, pa racionalitet, pa turp dhe pa ndjenja. Kjo i magjeps një pjesë të zgjedhësve. Shumë popuj në histori kanë rënë viktima të magjisë së karizmatikut sociopat prandaj duhet e kundërta e tij me të njëjtin rrezatim.

Karizmatiku racional bën diferencën. Kur mungon ndriçimi 'hyjnor', aureola e një lideri që shkëlqen, reflektimi i pushtetit që po vjen, i pasionit dhe ngrohtësisë ndaj njerëzve të thjeshtë, zëri kumbues që prin revoltën shpirtërore për ndryshim, prijësi që injekton emocion, shpresë dhe optimizëm, votuesit potencialë mbeten indiferentë ose bien pre e magjisë së sociopatit. Nuk ekziston stimuli që bën diferencën, ajo tërheqje e fortë dhe dashuri e sinqertë që krijon bazat për një lidhje të re. Vota kalon nga zemra dhe këta drejtues të lenë të ftohtë në këtë drejtim. Shkëlqimi i tyre është tretur në labirintet e partive historike që vrasin pasionin dhe iniciativën, inkurajojnë heshtjen dhe konformizmin.

KONSERVATORIZMI I ZGJEDHËSVE

Një tjetër faktor që nuk ndihmon partitë e reja është tradita e munguar e shqiptarit për të provuar masivisht të renë. Ndryshimi tek ne ndodh vetëm në kohë krizash të thella. Kjo sjellje mund të lidhet me traditën tonë familjare - nuk apelojmë tek ndarja megjithëse jeta ne na shkon keq e më keq. Ndoshta lidhet me të nxënit e një shoqërie që e përshkruan aq mirë Warren Bennis tek On Becoming a Leader. 

Sipas tij të mësuarit tradicional është mirëmbajtje e sistemit ekzistues dhe ndryshim vetëm në raste shoku, tronditjesh të mëdha, ndërsa të mësuarit bashkëkohor është përfytyrim, dëgjim dhe pjesëmarrje për t'iu dhënë formë ngjarjeve përpara se të na japin formë ato. Ndoshta ne ende nuk e kemi bërë këtë hop cilësor në jetën tonë shoqërore, kalimin nga reagimi në raste rëniesh ekstreme në reagimin e përhershëm ndaj deviacioneve sado të vogla, projektimin dhe ndjekjen me këmbëngulje të më së mirës publike.

Ende partishmëria tek ne luan një rol në votën për zgjedhjet parlamentare. Në 25 vjet, veç një parti e re ka mundur të kalojë pragun prej 10% të votave. Edhe ajo në zgjedhjet e treta parlamentare dhe me futjen e interesit të rëndomtë në mes, me blerje vote dhe vende pune në shtet. Një parti që mbledh jo prej liderit frymëzues por prej instalimit të transaksionit me benefitet e personalizuara të pushtetit. Rast unik dhe i papranueshëm në ndonjë vend të civilizuar për ilegalitetin dhe dëmet  që i krijon sistemit dhe korruptimit të mendjes së votuesve.

Kështu elektorati ynë shfaqet kryesisht si konservator politik, pak si përfitues korruptiv dhe fare pak si nxitës i së resë. Dy partitë kryesore (në ditën më të vështirë) kanë marrë mbi 70% të votave parlamentare. Kjo traditë nuk duket se do ndryshojë as në këto zgjedhje. Ndryshe nga votuesit e Kosovës që sanksionuan me votë partitë qeverisëse dhe dy partitë kryesore PDK dhe LDK i zbritën poshtë 50%, zgjedhësit e Shqipërisë ende nuk e tejkalojnë dot masivisht daljen jashtë ndikimit të partive historike. 

E ARDHMJA E LEVIZJEVE TE REJA

A është dekurajuese kjo situatë për lëvizjet e reja politike? A duhet të përpiqemi mbas një sërë mos arritjesh të partive të reja? Shqipëria ka nevojë për ndryshim, pret me etje një lidership karizmatik, një elitë të re drejtuese dhe herët a vonë do t'i bashkohet trend-it global për ndryshime të qenësishme në skenën politike. Veçse duhet provuar vazhdimisht. Gjithçka ka një efekt që shtrihet në kohë. Ndryshimin e sjell qëndrueshmëria dhe goditja ritmike e një sistemi të vjetruar që nuk i përgjigjet sfidave të kohës. Siç thotë një fjalë kineze: uji lan dheun, pika çan gurin. 

Këtu vlen të përmendet edhe  historia e elefantëve që e tregon me aq domethënie Champy dhe Nohria tek The Arc of Ambition: Defining the Leadership Journey. Në një kopsht zoologjik diku në Afrikë, disa elefantë qëndronin mbyllur në një gardh modest për përmasat e tyre. Dikush pyet se si ka mundësi që nuk dalin. Rojtari me buzëqeshje ia shpjegon se kur ishin të vegjël u munduan dhe nuk ia dolën, tani që janë rritur nuk e provojnë se e dinë që është e kotë. Kështu edhe puna e përpjekjeve për ndryshim, e sistemeve dhe sjelljes së votuesve. Duhet provuar se bota ndryshon me ditë.

Në vitet '50-'60 edhe amerikanët votonin kryesisht mbi bazë partiake, sot priren nga kandidatët dhe situata politike e momentit. 

Të pavarurit që përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve variojnë në 30-40% të elektoratit. Kohët ndryshojnë, njerëzit pjekin ndryshimin në mendjen e tyre, liderët e rinj i motivojnë të kalojnë në një fazë të re të implikimit të tyre politik. Në këtë kontekst, nuk është e thënë që ndryshimi të vijë menjëherë, nuk është e thënë që ndryshimi të vijë nga parti të reja, ai mund të jetë edhe si transformim demokratik i partive historike. Evolucioni është me i preferuar se revolucioni, transformimi i përhershëm më i dobishëm se përmbysja. Çelësi i transformimit të një kombi janë garat e ndershme periodike dhe racionaliteti i votuesve.

KONSOLIDIMI I VOTES RACIONALE

Pritet që votuesit racionalë që gjykojnë programet, realizimet, kandidatët dhe partitë, të shtohen edhe në Shqipëri. Të rinjtë janë më të prirur drejt ndarjes kur gjërat nuk ecin. Herët a vonë ata do dalin nga sfera e votimit familjar dhe krahinor. Urbanizimi, lëvizshmëria dhe vota e emigracionit do modifikojnë sjelljen e votuesve. Votuesi që gjykon pritet t'i zërë vendin votuesit emocional, rutinor apo tregtar i rëndomtë. 

Samuel Popkin, autor i The Reasoning Voter: Communication and Persuasion in Presidential Campaigns, zhvillues i teorisë së zgjedhjes racionale, shikon se votuesi i sotshëm amerikan nuk është një blerës, por një investitor i politikës. Vota si investim për interesin individual të harmonizuar me drejtimin e vendit dhe interesin publik, pritet të jetë një qasje e re edhe tek ne. 

Nga një votues partiak për inerci dhe traditë familjare pritet që dhe ne të kalojmë tek një votues racional, investues i një kandidati, partie dhe politike e caktuar. Jo robotë që gjykojnë me mendjen e tjetrit por njerëz që gjykojnë me mendjen dhe për interesin e tyre. Jo shitës vote por pjesëmarrës aktivë si individë dhe grupe të organizuara në drejtimin që merr vendi.

Frakturat e vjetra sociale mbi baza krahinore dhe shtresore nuk i përshtaten më interesave tona. Sot na duhet një votë si investim për jetën tonë, jo një biletë për një shfaqje groteske aktorësh të rëndomtë të dramës kombëtare.

NË VEND TË PËRFUNDIMIT...

Nuk mund të priten surpriza në zgjedhje kur liderët nuk frymëzojnë, programet nuk janë të njohura në masë të gjerë dhe nuk para besohen nga zgjedhësit, kur zëdhënësit dytësorë të mesazhit janë thuajse të panjohur, hapësira mediatike e kufizuar, eventet dhe mesazhet e forta drejtuar votuesve thuajse mungojnë. 

Në mungesë të një militantizmi dhe këmbësorie elektorale që shtrihet në çdo fshat dhe qytet të vendit, efekti i tyre do të jetë i vogël, me ndonjë përqindje disi me të lartë në qendrat urbane. Prania e tyre elektorale nuk pritet të kthejë besimin dhe shpresën e humbur tek politika dhe absenteizmi do të jetë ende i lartë. Kur nuk ndjehet atmosferë ndryshimi dhe partitë e reja nuk kanë mundur të njohin veten tek zgjedhësit, ato nuk mund të kthehen në lokomotiva të mobilizimit kombëtar për transformime të qenësishme. 

Megjithatë e ardhmja është premtuese. Shqipëria po hyn në epokën e modernitetit, liderë karizmatikë dhe të pakompromentuar, me rrënjë të forta në grupe të qenësishme shoqërore do krijojnë lëvizje të forta rinovuese, brenda partive historike apo si lëvizje të reja politike. Të ndërtuara me kujdes ato do u japin motiv zgjedhësve dhe do kenë shanse të larta për sukses.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco