Vuk Jeremiç - favoriti pa shanse

Vuk Jeremiç - favoriti pa shanse

Nga Dojçe Velle - 05/10/2016

Shumëkush mendon se në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB duhet të emrohet një personalitet i fuqishëm. Këtu përshtatet mirë edhe serbi Vuk Jeremiç. Por ai llogaritet si nacionalist dhe pa mbështetjen e SHBA.

Një diplomat modern, i cili ka studiuar në Vita Cambridge dhe Harvard, natyrisht që nuk guxon të mungojë as në rrjetin Twitter. Por sikur Vuk Jeremiç ta kishte ditur para katër vitesh se për çfarë postesh do të kandidojë sot, gjërat me siguri që do t'i formulonte pak më me kujdes në këtë platformë. Me 2012, 37-vjeçari i atëhershëm ishte kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, kur diskutonte shumë ashpër me një shqiptarë nga Kosova në Twitter: "Ne kuptohemi për mrekulli - por në serbisht", shkruante Jeremiç.

"Mos harro, që ju e keni pushtuar provincën tonë serbe Kosovën. Por kujdes, ne do të kthehemi." Kjo nuk ishte rrëshqitja e vetme e kandidatit të sotëm për Sekretar të Përgjithshëm të OKB. Shumë shpesh ai thoshte se Kosova mund të bëhet anëtare e OKB, vetëm "nëse e vrasin ate".

Një serb në arenën ndërkombëtare

Tani është vështirë të thuhet nëse Jeremiçi e ka zgjedhur vet këtë rol të patriotit apo ia kanë dedikuar. Por nuk ka dyshim se këtë rol e ka kryer me aq pasion, sa që edhe vet babai i tij politik, Boris Tadiç u distancua nga Jeremiçi. Tadiçi e ka njohur Jeremiçin nga koha kur jepte mësim në një gjimnaz në Beograd. Kur shqiptarët e Kosovës përgatiteshin për shkëputje përfundimtare nga Serbia, Tadiçi nxori xhokerin e tij - Vuk Jeremiçin dhe e emëroi në vitin 2007 si ministër të Jashtëm. Jeremiçi ambicioz udhëtoi në mbarë botën dhe kërkonte që Kosova të mos njihet si shtet.

"Ai ka bërë reklamë për vete dhe na ka futur në konflikt me shumë vende", thoshte më vonë Tadiç, i cili ndërkohë është një figurë e parëndësishme politike në Serbi.

Megjithë grindjet e shumta me ish - shokët nga Partia Demokratike, Jeremiç mbijetoi në skenën e madhe diplomatike. Së bashku me Moskën, në vitin 2012 arriti papritur të emrohen si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, para kandidatit lituanez Dalius ?ekuolis, i cili konsiderohej si favorit. Këtë vit sa ishte "kryetar i botës", siç talleshin me te në Serbi, Jeremiçi e shfrytëzoi për vete: ai u profilua si një diplomat që flet me një gjuhë të qartë, por më së shumti atje ku duhej të luftonte kundër "armiqëve të Serbisë". Këtë pozitë e shfrytëzoi edhe për përqeshjen e Tribunalit të Hagës, për shkak të gjoja qëndrimeve antiserbe.

Jeremiçi me mençuri solli në Nju Jork jo vetëm konfliktet e Ballkanit, por edhe një masë relaksimi, të njohur nga Ballkani. Twitter-Followersit e tij njoftoheshin tërë kohën se në cilin pab Jeremiçi festonte fitoret e tenistit Novak Gjokoviq dhe me dilët diplomatë pinte shlivovicë. Në një koncert ai e "detyroi" madje edhe vet Ban Ki Moonin të vallëzojë me një këngë serbe nga koha e Luftës së Parë Botërore, por që shumëkush e krahasonte me krimet e viteve 90-të. Në Bosnje-Hercegovinë ka pasur protesta për këtë shkak.

Bllokada amerikane

Pas pesë raundeve, nga të gjithë kandidatët, Jeremiçi gjendet në vendin e dytë, pas ish-kryeministrit portugez António Guterres, por me gjashtë vota negative të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Jeremiç nuk kishte kohë për bisedë me Deutsche Wellen, por në një deklaratë të shkurtër për media tha se ai është kandidati me shanset më të mira nga vendet e Evropës Lindore. Nëse respektohet parimi i rotacionit, pasardhësi i Ban Ki Moonit do të duhej të vinte nga kjo pjesë e botës. Flitet se Jeremiç ka mbështetjen e fuqishme të Kinës dhe Francës, se edhe Rusia është miqësore ndaj tij. Ndërsa Britania e Madhe është e përmbajtur. Votimet e anëtareve të përhershme të OKB do të dihen të mërkurën (5. tetor).

Gazeta serbe "Blic" merr vesh nga qarqet diplomatike se SHBA do t'ia tregojë Jeremiçit kartën e kuqe. Gazeta mendon se bullgarja e futur në fundi në garë, Kristalina Georgieva, mund të jetë si zgjidhja “Last-Minute” e Shtëpisë së Bardhë. Në Serbi janë të bindur se SHBA është mbështetësi kryesor i pavarësisë së Kosovës dhe se Uashingtoni nuk do ta pranojë Jeremiçin. "Mendoj se Jeremiçi ka punuar shumë së fundi në sfond për të bindur edhe amerikanët për mbështetje", thotë gazetarja e njohur Ljiljana Smajloviq për DW. Por as ajo nuk është tepër optimiste.

Angazhimi i tij në sfond ka dhënë disa rezultate. Gazeta Wall Street Journal e quan Jeremiçin si "shansi më i mirë për reforma në OKB". The National Interest pohon se Jeremiçi është më i përgatituri, me planin e tij prej 53 pikash për "forcimin e OKB në shekullin 21“. Diçka të tillë nuk ka bërë kurrë asnjë kandidat. Jeremiçi do të mund të moderonte mes forcave të mëdha për zgjidhjen e problemeve madhore, siç janë ndryshimi i klimës, migracioni, pandemitë.... Kjo gazetë e quan Jeremiçin si "një lloj tjetër i Sekretarit të Përgjithshëm“.

Por pikërisht "ky lloj tjetër" nuk pëlqehet nga të gjithë. Kandidatët që ndonjëherë harrojnë mirësjelljen dhe retorikën diplomatike, janë vlerësuar shpesh si mbështetës të Lindjes apo Perëndimit dhe janë hequr shpejt nga kandidatura. Jeremiçi ka qenë kaq shpesh në ofsajd, sa që vështirë se mund t'i rregullojë këto lëshime me një fushatë disamujore. /DW

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco