Doni të mësoni, se çfarë vendimesh merr qeveria Rama? Prisni të flasë Kotzias!

Doni të mësoni, se çfarë vendimesh merr qeveria Rama? Prisni të flasë Kotzias!

Nga Syri.net - 03/01/2018

Më  28 Gushtit të vitit 2016 rreth orës 02:00 të natës, forcat e INUK  i dhanë fund debatit të madh ku u përfshi jo vetëm politika vendase por edhe qeveritë e Shqipërisë dhe Athinës, për çështjen e prishjes së kishës së Shën Athanasit në Dhërmi. Ajo çfarë kishte ngelur nga kisha e famshme u rrëzua përtokë pavarësisht nga protestat e shumta të banorëve. Për të mos lejuar prishjen e kishës, Kryepeshkopi Anastas Janullatos zhvilloi edhe një takim me kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tsipras. Akti u dënua edhe nga opozita shqiptare dhe europarlamentarë të shumtë. Në atë kohë kryeministri Rama deklaroi, se ligji është për të gjithë njësoj në çdo cep të vendit dhe kisha e Shën Athanasit nuk ishte, veçse një “garazh pa leje”.

Ngrirja e marrëdhënieve, madje acarimi si kurrë më parë, mes Tiranës zyrtare dhe Athinës vazhdoi në këtë rrugë deri në momentin kur Edi Rama e gjeti veten në një situatë teje të vështirë skandalesh brenda vendit, veçanërisht pas plasjes së çështjes Tahiri dhe njohjes zyrtarisht nga ndërkombëtarët të kanabisimit të vendit.

Për ta tejkaluar këtë fazë, Rama futi në lojë fuqishëm kauzën e “Integrimit Europian” dhe posaçërisht hapjen e shpejtë të bisedimeve për anëtarësim të vendit në Bashkimin Europian. Fillimisht ndryshoi papritur ligjin për minoritet, duke i dhënë status pakicës bullgare në vend. Por problemin më të madh e kishte me Greqinë, me të cilën me ndërgjegje i kishte çuar marrëdhëniet gati në pikën zero.

 Në funksion të kësaj lëvizje, pra për të larguar vëmendjen nga gjendja katastrofave brenda vendit, Rama i futi një ndryshim radikal qasjes prej “trimi” ndaj Greqisë dhe nisi të lëshojë me shpejtësi, çfarëdolloj gjëje që ju kërkua. Kulmi u arit në takimin sekret të Kretës, ku edhe sot e kësaj dite nuk dihet se çfarë marrëveshje ka kopsitur Ditmir Bushati me homologun Kotsias. Ajo që dihet e sigurt deri më tani është, se në Athinë janë të lumtur që pas këtij takimi, tërësisht jo transparent.

Më shumë detaje kemi mësuar nga pala greke, sesa nga qeveria shqiptare, për çfarë është vendosur në Kretë gjatë atyre 48 orëve takim kokë më kokë, pa dëshmitarë.

Sa herë del dhe flet ministri i Jashtëm Kotsias, “për marrëdhëniet e reje të shkëlqyera me Tiranën”, zbulojmë se çfarë ka vendosur qeveria shqiptare këtu në Tiranë dhe se çfarë ka në plan në të ardhmen. Kështu ndodhi për lëshimin e beftë dhe antiligjor, për varrezat e ushtarëve grek në vendin tonë, për atë që pritet të ndodhë me çështjen e kufirit detar, për mos zënien fare në gojë të çështjes çame etj.

Tani së fundmi, vetëm dy ditë më parë, është po ministri Jashtëm i Greqisë që na jep lajmin se “garazhi pa leje”, apo “kasollja” e Shën Thanasit do të ndërtohet e madhe dhe plot shkëlqim.

"Janë bërë hapa që kishim kërkuar dhe parashikuar, pala shqiptare ka përmbushur disa kërkesa.  Kam parasysh tri gjëra: nëse se dy vjet më parë qeveria shqiptare kërcënonte me prishjen e një "kasolle", që ishte përdorur si  kishë e Shën Athanasit, sot qeveria shqiptare ka marrë një vendim -simbolik të fuqishëm, për të vetë-financuar ndërtimin e një tempulli në atë vend me gjithë shkëlqimin që i takon
Më në fund u nxorën vendime për zbatimin e marrëveshjes për çështjen e varrezave që shpirtrat e ushtarëve tanë të prehen të qetë  dhe gjithashtu iu dha shtetësia një Shenjtori, njeriut i cili është Kryepeshkopi i Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. 
Disa thonë se duhej bërë, ishte vetëkuptueshme. Po pse nuk u bë në 25 vjet. Mos u mundoni të dyshoni dhe sfidoni përmirësimin e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe sa të dobishme janë ato”, deklaroi së fundmi Kotsias për një radio kombëtare greke.

Rindërtimi i kishës së Shën Thanasit është një lajm i mirë, për të gjithë besimtarët ortodoks të zonës së Dhërmiut dhe gjithë Shqipërisë. Por lajmi i keq është se po bëhet rrugë, që vendimet e qeverisë shqiptare në lidhje me Greqinë, shqiptarët duhet të presin tani e tutje ti mësojnë nga Athina zyrtare!

Çfarë halli ka Edi Rama, që edhe për gjëra kaq të thjeshta si ndërtimi i një kishe, duhet të presim të dalë Kotsias, për të na dhënë lajmin?!  

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco