Për vete Diellin, për shqiptarët Qametin

Për vete Diellin, për shqiptarët Qametin

Nga SYRI.net - 02/12/2017

Të gjithëve ju kujtohet spoti elektoral i Edi Ramës gjatë fushatës elektorale të këtij viti ku u lutej shqiptarëve ti jepnin pushtet, madje absolut, edhe për katër vite të tjera.

“Më ndihmoni të bëj gjithçka mundem për ju”, dhe pastaj tërhiqte litarin dhe ngrinte lart në qiellin një diell që do të ngrohte dhe ndriçonte Shqipërinë. Dhe shqiptarët e ndihmuan, që të ngrinte lart “diellin” duke shpresuar, se në ditë të këqija si ato që po kalojnë sot, ai do ti ngrohte dhe shpëtonte.

Kur ishte në opozitë Edi Rama dhe Rilindja e tij, mes të tjerave, një nga pikat më të forta që përdorte për të goditur qeveritë Berisha në çdo sezon reshjesh apo zjarresh, ishte mungesa e aftësive parandaluese dhe më pas menaxhuese, në rast katastrofash që vijnë nga natyra.

Rama në fakt në opozitë mendonte ndryshe nga sot, kur fajin sipas tij e ka vetëm natyra që tërbohet papritur;

“Është e pamundur, që të tilla katastrofa [përmbytjet], të përsëriten, në rast se ka një qeveri, që qeveris dhe jo një pushtet që sundon. Në rast se ka institucione të cilët bëjnë punën e tyre, si mendoni ju, ka mundësi që arsyeja jonë të pranojë se nuk ka pasur shira të tillë në të shkuarën?!”

Sapo u ul në karrigen e kryeministrit për herë të parë, duke folur për Emergjencat Civile deklaroi se as çizme nuk kishte gjetur nëpër magazina për raste të jashtëzakonshme dhe se historitë e përmbytjeve për faj të shtetit, do të merrnin fund njëherë e mirë.

Kaluan katër vite në pushtet të cilat gjithmonë i numëronte me muaj deri në ditët e fundit të mandatit të parë, dhe situata sipas raportit më të fundit botëror të Riskut dhe vetë BE-së nëntorin e kaluar, ka ardhur në përkeqësim.

Sot vendi gjendet në kushtet e një kataklizme që tashmë duket hapur, se nuk vjen vetëm prej qiellit.

Le të japim disa fakte të marra nga vetë institucionet e qeverisë, për të kuptuar se kush është fajtori i vërtetë për këtë që po përjetojnë shqiptarët; natyra apo qeveria?!

 Nga vlerësimet e bëra prej ekspertëve për gjendjen teknike të 626 digave, rezulton se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), paraqesin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente. Sa herë që bien reshje të mëdha ato hapen për të mos shpërthyer, duke përmbytur papritur qindra hektarë dhe mijëra shtëpi.

Këto statistika nuk dalin nga mediat e kazanit, por prej Këshillit Kombëtar të Ujit në një relacion të posaçëm për Parlamentin në kuadër të miratimit të një strategjie të re për Ujitjen dhe Kullimin, e cila nuk u bë kurrë.

Gjithashtu ministria e Bujqësisë llogarit që në total, kapaciteti ujor i rezervuarëve është zvogëluar me rreth 45%. Kjo për faktin se cikli i jetëgjatësisë së tyre është në përfundim sepse rezervuarët janë tejmbushur me mbetje, që askush nuk i pastron

Prandaj pas shiut të parë detyrohen që ti hapin portat e rezervuarëve siç bën së fundmi me atë të Kasharit, duke përmbytur autostradën Tiranë-Durrës dhe shkaktuar miliona euro dëme në bizneset aty pranë, për cilat askush deri më tani nuk po mban përgjegjësi. Po kjo skemë papërgjegjshmërie, të shpëtojmë çfarë të shpëtojmë, po përdoret edhe në Korçë, Vlorë, Myzeqe etj.

E njëjta histori është edhe me kanalet kulluese, të cilat u janë dhënë në menaxhim 3-4 duarve në pushtetin lokal dhe atë qendror dhe po njësoj, askush nuk mban përgjegjësi.

Por nëse do të kishim të bënim vetëm me paaftësi dhe papërgjegjshmëri, do të ishte gjysma e të keqes. Progres raporti i Bashkimit Europian i publikuar nëntorin e vitit të kaluar i quante Emergjencat tona, si sektori ku abuzohet më shumë me fondet publike.

Pra edhe për çështje që kanë të bëjnë me jetën fizike dhe pasurinë e shqiptarëve, banesën, bagëtinë të mbjellat, biznesin... vidhet.

Me mashtrime vjedhje votash apo jo, Edi Rama arriti ta ngrinte “diellin” për herë të dytë këtë Qershor.

Sot që shqiptarëve ju duhet më shumë se kurrë ai “diell”, fatkeqësisht po kuptojnë se kryeministri i tyre, atë e ka vetëm për një grusht njerëzish.

Pas pesë vitesh duket qartë se kjo është Shqipëria e Edi Ramës; për vete Diellin për popullin Qametin!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Salvo02/12/2017 16:34

Populli nuk ia dha, populli ia shiti voten. Pasi u pagua, populli nuk mund te prese gje, as t'i kerkoje gje (aq me pak llogari) Rames. Le te mbajne 2000 lekeshin tani, e cili shenjon ne momentin e dorezimit edhe permbushjen e paketes se pritshmerive te votuesit ndaj te votuarit.

t02/12/2017 15:59

shiu vertet na permbyti ne,por ai diell ka per ta perveluar ate

Shto koment