Frika e madhe e Ilir Metës, për të hedhur një firmë!

Frika e madhe e Ilir Metës, për të hedhur një firmë!

Nga Poli Hoxha - 13/11/2017

Menjëherë pas dorëheqjes së papritur dhe të parevokueshme të kreut të SHISH, Visho Ajazi, kryeministri Rama ende pa u tharë boja e firmës i propozoi presidentit të vendit, zëvendësimin e tij me Helidon Bendon. Pavarësisht hendekut të madh që ishte krijuar veçanërisht gjatë fushatës elektorale, mes Ramës dhe Metës, ky i fundit tashmë nën lëkurën e një presidenti mbi palët nuk hezitoi të pranonte brenda 24 orëve, dorëheqjen e Ajazit.

Ky akt u mor dhe u komentua si një shenjë afrimi, mes dy ish aleatëve e më pas “armiqve” elektoralë. Madje pati zëra se mes dy njerëzve më të fuqishëm të shtetit shqiptar ishte “firmosur”, edhe një pakt i ri.

 Kjo situatë krijoi përshtypjen, se dekretimi i propozimit të kryeministrit për postin e rëndësishëm të kreut të shërbimit informativ shqiptar, do të ishte çështje ditësh nga ana e presidentit.

Mediat pranë Ramës u kujdesën ato ditë, që pasardhësit të Ajazit ti skiconin një portret ku ai paraqitej si një individ, “që e kishte çarë vetë karrierën”, se kishte punuar në detyra të rëndësishme në këtë institucion gjatë mandateve të qeverive të PD-së e PS-së njëkohësisht, etj, etj.

Por mbi të gjitha, asaj që i mëshohej më shumë ishte krijimi i një aureole, magjike për vendin tonë, sipas së cilës “Bendo është njeri i amerikanëve” dhe kjo i vë kapak gjithçkaje.

Të gjitha këto mund të jenë të vërteta, por në të njëjtën kohë u hodhën dyshime jo pa bazë, se Edi Rama me “shkarkimin” e Ajazit bëri hapin final për kapjen e këtij institucioni, i cili i kishte sjellë jo pak telashe, veçanërisht për nxjerrjen cullak që i bëri kryeministrit dhe policisë së tij, në çështjen e kanabisimit të vendit.

Por tanimë jemi më shumë se 2 javë larg nga dita që Ilir Metës ju la mbi tavolinë emri i Helidon Bendos si propozim i Ramës dhe ai, ende po vazhdon të mendohet gjatë.

Është e vërtetë se ligji për dekrete të sigurisë kombëtare nuk i përcakton afate kohorë presidentit, por e gjithë kjo kohë e gjatë tregon hapur, se Ilir Meta është nën një dilemë serioze.

Menjëherë pasi presidenti, pa mëdyshje hodhi firmën për largimin e Ajazit u krijua përshtypja, se kandidatura e Helidon Bendos ishte e mirëpritur nga Ilir Meta dhe dekretimi, do të ishte një formalitet që do të kërkonte maksimalisht, 3-4 ditë.

Nuk ndodhi kështu dhe duket se nuk ka ende sinjale nga pallati presidencial, për një firmë të shpejtë të Ilir Metës mbi emërimin e Ramës.

Çfarë po ndodh? Cilat janë arsyet e kësaj dileme të gjatë të presidentit të vendit?

Një nga variantet më normal që do të shpjegonte këtë hezitim të tij mund të ketë të bëjë, thjesht me një proces teknik e burokratik.

Pozicioni i kreut të Shërbimit Informativ është shumë delikat dhe i rëndësishëm dhe për këtë, presidencës i duhet edhe më shumë kohë, që të kryejë verifikimin e plotë të figurës së Bendos, aq më tepër që ai rezulton me dy emra; njërin të përdorur gjatë kohës kur ka qëndruar në Greqi.

 Një këndvështrim tjetër që mund të shpjegojë dilemën e Ilir Metës janë marrëdhëniet e tija, me Edi Ramën.

 Pavarësisht nga ngushticat kushtetuese që ka tashmë roli i presidentit, Ilir Meta si një ujk i vjetër i politikës,  sigurisht që do të vjelë maksimumin nga ato çfarë ka në dorë. Rasti i këtij dekreti është një gur që nuk i vjen shpesh në dorë. Jemi në një situatë kur prapa perdeve po zhvillohet një betejë e vërtetë, për mbijetesën e njerëzve të LSI në punët që gëzojnë në administratën shtetërore.

Ilir Meta si babai gjenetik i LSI-së, si një njeri i lidhur fortë me bazën e partisë që e riktheu triumfues në arenën e protagonistëve të politikës shqiptare është i ndërgjegjshëm, për pamundësinë e shmangies së prerjes së kokave drejtuese, të përfaqësuesve të LSI-së në institucionet e shtetit. Por atij tani për tani, më shumë i dhemb (I duhet më saktë) baza; ata anëtarë që përpëliten “për një copë punë”, për të mbajtur familjen. Monika Kryemadhi me Petrit Vasilin mund të vazhdojnë të bëjnë “të egrin” në TV e FB, por rolin kryesor për ta bërë sa më pak të dhimbshëm këtë tranzicion të LSI-së e ka dhe mund ta bëjë, vetëm Ilir Meta. Dhe jo vetëm për punësimet…por edhe për “gjera” shumë më të mëdha, që nga publiku nuk perceptohen dot!

Këto që thamë më sipër dhe të tjera arsye më mikroborgjeze janë disa nga variantet, që shpjegojnë dilemën e presidentit, për dekretimin e kreut të SHISH dhe mbajtjen në ajër të Edi Ramës.

Por duket se një “lepur” edhe më i madh, fshihet pas gjithë kësaj!

Edhe Ilir Meta e ka “shërbimin e tij sekret” (është gati paranojak në këtë drejtim), që i ka bërë prognozën e një SHISH-i, nën drejtimin e Helidon Bendos. Ai e di shumë mirë, se ato legjendat që përhapi me shpejtësi propaganda e Ramës, për kandidatin e tij si “një njeri i amerikanëve”, tani në vitin 2017 janë demode dhe nuk i ha askush.

Të gjithë ata që punojnë në Shërbimin Informativ Shqiptar, nga rojet e deri te i pari janë “të amerikanëve”. Edhe Gazidede që kërciti kundër tyre gjatë vitit 1997, nëse do të ishte gjallë dhe do të punonte sërish në këtë institucion, do të ishte “njeri i amerikanëve”.

Kush punon aty ka kaluar nëpër një skaner 3 dimensional për interesat amerikane. Por deri këtu.

SHISH ka edhe një dimension tjetër brenda vendit, i cili nuk ka të bëjë fare me terrorizmin apo spiunazhin dhe kundërspiunazhin ndërkombëtar. Droga, pastrimi i parave, përgjimet,  tenderët e koncesionet, fijet e krimit të organizuar në qeveri etj, janë gjithashtu fushëveprimi i këtij institucioni, pavarësisht se në çfarë niveli profesional.

 Imagjononi edhe njëherë një Edi Ramë që ka në dorë “kutinë e zezë” të SHISH ndër vite, ku janë ndryrë “gjera të vogla” për amerikanët, por “bomba” të vërteta pisllëqesh reale, apo edhe thashetheemesh për gjithë klasën politike shqiptae e jo vetëm.

Prandaj Ilir Meta që i di mirë të gjitha këto, nuk po vonohet të hedhë atë firmë për arsyen në dukje, se ligji i jep të drejtën pa afat, të verifikojë figurën e emërimit të Ramës, Helidon Bendon.

Ai është i verifikuar dhe certifikuar me kohë, siç ishte edhe Ajazi kur opozita e atëhershme e Ramës shfaqej qesharake, kur i bënte biografinë.

“Shërbimi i tij sekret” tashmë i ka dhënë indiciet e duhura, se Bendo përveç se “njeriu i amerikanëve” ka ndërlidhje dhe garanci nga njerëz afër kryeministrit; se është potencial i madh që gjatë kryerjes së detyrës së tij të shndërrohet, edhe në “njeriu i Edi Ramës”.

Prandaj kjo vonesë e presidentit për të firmosur emrin e kreut të SHISH që Rama prej më shumë se dy javësh ja ka lenë mbi tavolinë, më shumë se dilemë është frikë.

Edi Rama, vetëm me një “SHISH” privat që ka instaluar në bodrumet e kryeministrisë nga përhapen metastaza në media dhe opinionin publik drejt kundërshtarëve, edhe e ka bërë çorbë politikën dhe opinionin publik. Imagjinoni nëse shtie në dorë, shërbimin e vërtetë informativ...

Prandaj Ilir Meta bën mirë që ka frikë (qoftë edhe vetëm, për vetveten), ta hedhë atë firmë!

Të gjithë duhet të kemi frikë në fakt, nëse ndodh që “njeriu i amerikanëve”, për ca punë “të brendshme shqiptare” që SHBA i quan të dorës së dytë, herë pas herë funksionon, edhe si “njeriu i Edi Ramës”.

Syri.net  

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment