Lajmi i fundit

Reagimi qytetar/ Sot protesta e opozitës para bashkisë

Vendi i individit, lumturisë dhe patriotizmit të vërtetë

Vendi i individit, lumturisë dhe patriotizmit të vërtetë

Nga Erion Piciri - 03/11/2017

Si tregon një vend që i lumturon qytetarët e tij dhe kultivon ndjenjën e krenarisë kombëtare? Si tregon një vend ku njerëzit hidhërohen nga mungesa e shpresës dhe e zhvillimit? Në këtë shkrim do flasim për mënyrën e ndërtimit të një vendi me impakt në përmbushjen individuale, për fortësinë e raporteve të qytetarit me vendlindjen, për tiparet e një shoqërie që kthehet në preferencën numër një të emigrantëve nga mbarë bota dhe tiparet e një shoqërie ku mbi një e treta e popullsisë ka emigruar në këto tre dekada dhe sot është ndër vendet e para në botë, me mbi gjysmën e popullsisë gati për tu larguar në vende të tjera.

VEND I NDËRTUAR PËR INDIVIDIN

Qëllimi i çdo shoqërie duhet të jetë krijimi i një klime kolektive bashkëpunimi ku çlirohen energjitë kombëtare dhe gjithsecilit i mundësohet një perspektivë vetrealizimi. Njeriu i lumtur me vendin e tij, i kënaqur me mënyrën e jetës, me njerëzit (mirësinë, virtytet dhe aftësitë e tyre), me atë se çfarë kanë krijuar ndër breza, çliron një energji pozitive, bashkëpunon me të tjerët dhe kthehet në një forcë me arritje në çdo fushë. Disa vende e kanë gjetur me kohë formulën e bashkëjetesës që prodhon sukses ndërsa disa të tjera ende jo. Ka shoqëri të ndërtuara në atë mënyrë që ta bëjnë njeriun ta dashurojë vendin e tij. Të bën t'i duash edhe ti, që sapo ke shkelur në ato anë. Njerëz të dashur e të qytetëruar, një sistem me rregulla të qarta, të qëndrueshme në kohë dhe një jetë që nuk të afron surpriza dhe traumatizime. Një sistem që fut njeriun në korsinë e punës me ndershmëri dhe jep garancinë e një gare me drejtësi, ku gjithkujt i kthehet investimi i tij.

Nëse ju punoni shumë dhe sipas rregullave në një vend si Shtetet e Bashkuara, "do ecni përpara pavarësisht se nga keni ardhur apo si dukeni" thotë Barack Obama; "mund të realizoni gjithçka" se Amerika është realisht mendjehapur thotë Arnold Schwarzenegger, "do shpërbleheni me një jetë të mirë për veten dhe një mundësi më të mirë për fëmijët tuaj" thotë Bill Clinton-i. Janë dëshmi të tre njerëzve që vijnë nga tre trajektore të ndryshme, njëri bir ish-studenti te huaj me ngjyrë, tjetri emigrant i lindur jashtë Amerike dhe një amerikani autokton, jetim dhe me një fëmijëri të vështirë, që kanë një të përbashkët: ngjitjen përmes talentit dhe punës deri në majat e elitës amerikane dhe asaj globale. Samuel Huntington, i shumënjohuri ish-profesor i Harvardit, e përforcon këtë mendësi e realitet, që nuk është një retorikë politike, por një e vërtetë e ndërtuar ndër shekuj. Sipas tij "në mungesë të një hierarkie sociale të ngurtë, njeriu është (në Amerikë) ajo që ai vetë realizon. Horizontet janë të hapura, mundësitë të pafundme dhe realizimet varen nga energjitë, sistemi dhe këmbëngulja individuale". I njëjti model, me dallimet sipas kulturave kombëtare, funksionon edhe në vende të tjera të Perëndimit. Njeriu programon jetën e tij, investon i bindur se sistemi shpërblen talentin, nxënien, përvojën dhe rezultatet e arritura ndër vite. Një sistem i ngritur t'ia bëjë njeriut jetën më të lumtur. Shoqëri që u afrojnë edhe të huajve atë që vendi i tyre nuk ua ka afruar kurrë.

Natyrshem lind pyetja: a ka ndodhur ky dallim midis vendeve rastësisht? Çdo gjë ka një fillesë, ka rrënjët e saj që njerëzit e mençur të çdo kombi i ruajnë, kultivojnë dhe trashëgojnë si një pasuri e vyer e kulturës së tyre vetëqeverisëse. Samuel Huntington e ka zbërthyer këtë kod kulturor të zhvillimit të shoqërisë së tij. Në librin "Kush jemi ne", përmes një sërë citimesh dhe konstatimesh ai tregon bazën e zhvillimit të shoqërisë amerikane ndër shekuj. Një përshkrim frymëzues për çdo shoqëri të dështuar që kërkon të gjejë rrugën e duhur. Suksesi amerikan shikohet nga Huntington-i, tek individualizmi i kultivuar nga kultura anglo-saksone, nga brendi amerikan nonkonformist i protestantizmit, nga mungesa e hierarkive fetare, me një rol kyç të individit për të kuptuar Perëndinë duke nxjerrë konkluzione të drejtpërdrejta nga librat e shenjtë, pa nevojën e ndërmjetësimeve klerikale, e kombinuar me kufizimin e pushtetit politik nga ligji dhe njeriu. Kjo kultivoi shpirtin e fuqishëm të lirisë, të pavarësisë së individit, të vetëbesimit dhe ecjes në rrugën e tij i pa influencuar shumë nga të tjerët, të përgjegjësisë vetjake për suksesin dhe dështimin në jetë, me shenjtërimin e punës si burim statusi, vetërealizimi, pavarësie dhe legjitimiteti dhe jo si në shoqëri të tjera mbi bazë trashëgimie, etnie, klase a familjeje. (Samuel P. Huntington, "Who are We? The Cultural Core of American National Identity", Simon & Schuster, 2004, pp. 58-80).

Kjo trashëgimi kulturore e përftuar ndër shekuj është materializuar në një sistem politik, arsimor dhe ekonomik që garanton qëndrueshmëri dhe efektivitet. "Çdo vit Shtetet e Bashkuara prodhon më shumë për person se çdo ekonomi e avancuar" shkruan në esenë e tij mbi arsyet e pasurimit të Amerikës, Martin S. Fildstein, profesor i ekonomisë në Universitetin e Harvardit. Duke bërë një analizë se pse Amerika është më e pasur se të ngjashmet e saj, ai shikon 10 karakteristika dalluese të saj nga ekonomitë e tjera industriale. Sipas Fildstein kultura individuale e sipërmarrjes, dëshira për të nisur një biznes pavarësisht risqeve dhe dështimeve, një sistem financiar bankar i decentralizuar që mbështet bizneset, universitete kërkimore të klasit botëror, tregu i punësimit që lidh punëtorin dhe vendin e punës pa rregulla të shumta, pa prezencë të sindikatave të mëdha dhe ndërmarrjeve shtetërore, një popullsi në rritje që tërheq si magnet emigracionin e individëve të talentuar dhe investues, një kulturë dhe sistem taksimi që inkurajon punën me orë të gjata, një qeveri të vogël që nuk rëndon mbi ekonominë dhe pengon iniciativën e punës, një sistem të decentralizuar me konkurrencë midis shteteve dhe jo së fundmi një klime intelektuale që favorizon kapitalizmin, janë bazat e rritjes ekonomike dhe realizimit të individit. (Martin Feldstein, "Why the U.S. Is Still Richer Than Every Other Large Country," Harvard Business Review, April 20, 2017). Me fjalë të tjera një sistem që sanksionon lirinë individuale si nëna e çdo të mire, i jep rol parësor iniciativës dhe sipërmarrjes si lokomotiva të prodhimit, punësimit dhe mirëqenies, me një qeveri me rol dytësor që lehteson e nuk frenon me taksim, ndërhyrje dhe rregulla zhvillimin kombetar.

Kjo i bën qytetarët e thjeshtë, sipërmarrës, pushtetarë dhe emigrantë të flasin të gjithë me një gjuhë për krenarinë e të punuarit dhe jetuarit në një "great nation", për "american dream" të arritshme për këdo, që bën individët patriotë natyralë dhe të devotshëm të mbrojnë me çdo çmim këtë që të gjithë bashkë kanë arritur.

Shumë njerëz seriozë që duan të realizojnë diçka me jetën e tyre në vendet e origjinës nuk e gjejnë këtë klimë, se duke punuar shumë dhe sipas rregullave nuk kanë asnjë garanci t'ia dalin me sukses për veten dhe fëmijët. Në disa shoqëri ligjin e bën i forti i politikës apo/dhe krimit, njerëzit me lidhje dhe pushtet bëhen barriera për disa dhe ndihmëse për disa të tjerë, kështu i zoti dështon dhe dështaku fiton. Njeriu nuk mund të çajë dot i vetëm, duhet të bëhet pjesë e grupeve që i japin mbështetje duke i marrë individualitetin, pavarësinë, iniciativën dhe ndershmërinë.

VEND I NDËRTUAR KUNDËR INDIVIDIT

Ndryshe nga ç’deklaronte me krenari Obama, Schwarzenegger-i, Clinton-i dhe Huntington-i për Amerikën e tyre, deklarojnë njerëzit publikë të vendeve ku ka pllakosur dëshpërimi. Pak kohë me parë një artist largohej nga Shqipëria dhe fliste i indinjuar për një atdhe të dështuar "që po jep shpirt në duart e një kaste kriminale", të dominuar nga batakçinj të paaftë dhe pushtetarë të droguar. Një shkrimtare ikte në një vend të perëndimit dhe ndjehej me dhimbje pjesë e një burgu kaotik me demokraci qesharake, ndërsa një njeri i medias hidhte tej mitizimin e shqiptarizmit dhe kërkonte mirëqenien për çdo qytetar që të ndjeheshin krenarë se ishin shqiptarë. Një panoramë e zymtë, ku droga dhe krimi kanë forcë ekonomike dhe lidhje të forta politike, ku vrasjet në stil mafioz tronditin herë pas here jetën e qytetarit të thjeshtë. Ndodh që të duket vetja si i kapur mes një skene shekspiriane: "Vend i mjere! Trembet kush sheh veten! E kishim nënë dhe na u bë varr, Ku s'qesh veç buza e ndonjë të marri! (...) Ku dëshpërimi u bë zakon dhe modë." (William Shakespeare, Macbeth, Akti IV, Skena III, Sh.B. Onufri, 2005, fq. 113).

Nëse do pyesni qeveritë në këto vende të kapura, do ju thonë se po e ekzagjerojmë. Nëse pyet njerëzit e thjeshtë, me zë apo nën zë, do e etiketojnë vendin me një fjalë: pasiguri. Pasiguri për pronën, punën dhe jetën. Ndjenjë pakënaqësie që e dokumentojnë herë pas here edhe studime të huaja. Kështu sipas një raporti të 2017-ës mbi lumturinë në nivel global, publikuar nga OKB, një vend europian si Shqipëria renditet e 109-a nga 155 vende, mbas të gjitha vendeve të rajonit, midis Kamerunit, Iranit dhe Kenias, midis vendeve që nuk e lidh as gjeografia, as historia dhe as modeli social, politik e kulturor që njerëzit e këtij vendi ëndërrojnë. (http://worldhappiness.report/…/upl…/sites/2/2017/03/HR17.pdf). Një vend europian, i vendosur nga fati në mesin e vendeve më të pasura dhe të civilizuara të botës, por i degdisur nga njerëzit që e kanë drejtuar dhe ata që i kanë mbështetur, në një depresion shpirtëror të ngjashëm me vende të Afrikës dhe Lindjes së Mesme. E trishtë kur shikon këtë gjë dhe një sërë indikatorësh të tjerë të flasin për një prapambetje të përhapur në mënyrë uniforme në thuajse çdo fushë.

Shqipëria renditet në indeksin global të korrupsionit të Transparency International për vitin 2016, e 83-ta nga 176 vende, midis Xhamajkës, Zambias dhe Kolumbisë, në kategorinë e vendeve kryesisht të korruptuara; në indeksin e prosperitetit për vitin 2016 renditet e 74-a nga 149 vende, mbas të gjitha vendeve ballkanike, midis Paraguajit dhe Vietnamit; në indeksin e konkurueshmërisë (sipas një raporti të Forumit Ekonomik Botëror), e 80-a nga 138 vende; në raportin e fundit të Freedom House, konsiderohet si një ndër të paktat vende pjesërisht të lira të Europës bashkë me Kosovën, Bosnjën dhe Turqinë; për sa i përket arsimit dhe zhvillimit të burimeve njerëzore, renditet e 77-a nga 181 vende; për lirinë e shtypit për 2017-ën, nga Reporterët pa kufij, është e 76-a nga 180 vende, midis Qipros Veriore dhe Guinea Bisaut; për prodhimin e kanabisit dhe narkotrafikun vlerësohet ndër të parat në Europë dhe rang global nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Bashkimit Europian. Lista e klasifikimeve është e gjatë dhe e ngjashme për zgjedhjet e manipuluara, për klimën e biznesit, për nivelin e kriminalitetit e sa të tjera.

Këto realitete i bëjnë njerëzit të ikin përgjithmonë nga vendi i tyre. Nuk duan të jetojnë dhe t'i rrisin fëmijët në një vend që ka humbur ndjenja e përgjegjshmërisë politike, mungesa e ndjesisë për normalitetin e funksionimit të gjërave, që nuk shikohet si një familje me një shtëpi të përbashkët që duhet mirëmbajtur, por si një ngrehinë ku më të zotët marrin ç’të mundin, disa i shikojnë me admirim, disa i përkrahin me heshtje a indiferentizëm dhe një pjesë më ideale ndjehet jashtë këtij sistemi të prapambetur dhe anakronik. Në mungesë të një kohezioni social, në mungesë të një bazamenti me drejtësi dhe moral, fillojne ndahen dy botë, ku njëra sundon dhunshëm tjetrën dhe e nxjerr nga përcaktimi i drejtimit të vendit dhe gradualisht e flak edhe jashte kufijve te tij.

Sipas një sondazhi të Gallup, në vitet 2013-16, afro 710 milion të rritur (14% e popullsisë së botës) donin të linin vendin e tyre përfundimisht nëse u jepej mundësia. Europa jokomunitare bashkë me Afrikën kanë nivelin më të lartë të popullsisë të prirur për emigrim, me 27 dhe 30 përqind. Shqipëria në këtë sondazh del me një potencial abandonimi të vendit, sa katërfishi i mesatares botërore dhe sa dyfishi i Europës jokomunitare, e dyta nga 156 vende, me 56% të popullsisë së rritur, me dëshirën për të ikur drejt emigrimit. Ajo radhitet mbas Sierra Leones (62%), në të njëjtin nivel me Haitin (56%) dhe më keq se Liberia dhe Kongo. Krahasuar me vitet 2010-12, sondazhi vëren një ndryshim domethënës, një përkeqësim me 20%, si asnjë vend tjetër në botë (www.gallup.com). Të dhënat tregojnë një dështim të vendit për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të tij. Njerëzit ikin valë valë, drejt një rruge pa kthim, drejt një sakrifice për mbijetesë dhe përshtatje, nga një atdhe që zbrazet nga kapitali njerëzor (më të mirët e rinisë, intelektualitetit dhe profesionistëve) dhe një botë që bëhet më e pasur nga investimi i tyre. Një dramë njerëzore me disa akte ku regjisorë janë njerëzit me influencë dhe viktima, spektatorët e përunjur të këtij teatri absurd.

Vendi i prapambetur nuk është vendi më i mirë për të jetuar, pavarësisht se është dhe do mbetet vendi yt. Sado patriot të jetë njeriu, një jetë ka dhe do t'i japi kuptim. Ai ka obligimin t'i rrisi fëmijët në një vend të civilizuar, me standarde dhe siguri. E vështirë që për hir të patriotizmit të lësh të tutë në një mjedis që mund t'i deformojë karakterin dhe kompromentojë të ardhmen. Vështirë të rish në një vend që të mohohen të drejtat, të merret prona, te merret jeta dhe nuk të afrohet mbrojtje dhe siguri nga shteti yt. Aty ku vritesh me njerëzit për një të parë, ku nuk njihet respektimi i dinjitetit dhe i integritetit fizik të tjetrit, ku votohen në mënyrë masive më të korruptuarit, ku krimi ka rrënjë të thella dhe kontrollon para dhe pushtet, ku intelektuali luftohet dhe cubi nderohet, ku i dituri përjashtohet dhe hileqari vlerësohet, ku njeriu që bën emër nëpër botë kthehet në shënjestër për t'i ekzekutuar publikisht karakterin, vështirë të jetë vendi i njeriut të ndershëm dhe të qytetëruar, qoftë ky edhe vendi i të parëve të tu. Këtë duhet ta kuptojë çdokush që ka marrë përsipër të qeverisi, që ka obligimin të krijojë kushte që vendi mos boshatiset. Në mënyrë të vetëdijshme apo jo, klima që përzë më të mirët nga vendi është politikë antikombëtare. Ky model që ndjek si hije e zezë të gjithë historinë tonë duhet të marrë fund.

PËRKUSHTIMI VEND/INDIVID - KRIJUES I LUMTURISË, NXITËS I ATDHEDASHURISË

Ka një debat të hapur midis atyre që e kritikojnë vendin e tyre dhe disa të tjerëve që e mbrojnë pavarësisht realitetit në të cilin ndodhet. Meriton të analizojmë këtë çështje që influencon raportet tona me atdheun, sikurse perspektivat e zhvillimit të tij. A duhet parë marrëdhënia jonë me vendin e kushtëzuar nga atmosfera dhe qasja e tij ndaj nesh apo duhet një devotshmëri pa kushte, pavarësisht raporteve të vendit me gjithsecilin prej nesh. A mund të çohet një jetë në linjën e sugjeruar prej John Kennedy-t 'mos pyet se çfarë vendi do bëjë për ju, por çfarë ju do bëni për vendin', apo duhet parë edhe mënyra se si William Frend-i i qaset këtij raporti, rreth dyqind vjet më parë, në esenë e tij 'Patriotizmi' (1804), se "vendi duhet ta dojë individin, përndryshe individi nuk do ta dojë vendin e tij"?

Çdo vend si një familje apo organizatë duhet të kuptojë qëndrimet dhe ndjesitë e çdo anëtari, e çdo qytetari, veçanërisht të atyre më të shquarve dhe që kërkojnë standarde te larta, më të mirën ndaj vetes dhe të tjerëve. Emigracionet masive tregojnë se njerëzit kërkojnë një tjetër qasje nga bashkëqytetarët e tyre dhe vendi në tërësi.

Kuptohet që patriotizmi është ndjenjë, devotshmëri dhe besnikëri ndaj vendit tënd, një forcë e madhe lëvizëse që i ka motivuar njerëzit të punojnë së bashku, duke i ngritur kombet drejt madhështisë, veçse kjo ndjenjë e fisme nuk zhvillohet në zbrazëti, aq më pak në një marrëdhënie hileqare ku disa ua hedhin shumë të tjerëve. Ai duhet kultivuar nga të gjithë, të krijohet atmosfera ku është krenari të kontribuosh në një drejtim që ua bën njerëzve jetën më të mirë. Kështu kjo frymë rritet e dobishme dhe jep fryte, krijon kushte ku investohet mendja dhe idealizmi i njerëzve të tij. Në të kundërt, kthehet në një bashkëjetesë të sforcuar, në një vuajtje pa fund, me fryte të thara nga mërzia, me ndarje dhe braktisje të vendit nga të zhgënjyerit e shumtë.

'Ubi bene, ibi patria' (ku ndjehem mirë, është atdheu im) është një shprehje domethënëse që vjen nga antikiteti, përmendur edhe nga Ciceroni, që është bërë moto në subkoshiencën e shumë emigrantëve anembanë botës, sot e në mijëra vjet të ekzistencës njerëzore. Kalimi nga vende të kapura në vende të lira, nga tradicionalizmi drejt modernizmit, nga etnocentrizmi drejt universalizmit, nga provincializmi drejt globalizmit, i ka bërë njerëzit e lirë me mendje të hapur të epokës tonë, t'i shikojnë ndryshe raportet me vendin dhe patriotizmin. Krahasimi me disa vende ku mund të kenë jetuar apo për të cilat kanë lexuar a dëgjuar, i kthjellojnë në këtë drejtim.

Ka vende që ua dinë vlerën çdo njeriu, sikurse të tjera që i shohin si numër, si ushtarë të bindur dhe pa pretendime. Ka vende që e dinë se ç’është kapitali njerëzor, emigrantët e ardhur nga vendet e dështuara janë potenciale zhvillimi.

Bota e përparuar ndryshe ajo e prapambetura, ka ndërtuar sistemin në qendër të të cilit qëndron individi. Të drejtat e tij kufizojnë të drejtat e shtetit. Vetë historia moderne e botës së zhvilluar është historia e njerëzve të suksesshëm, ajo e të prapambeturës, kryesisht e diktatorëve dhe regjimeve që kanë mbajtur peng individin. Kështu në botën e përparuar është ndërtuar një sistem ku njeriu ndjehet i mbrojtur, i përkrahur, i vlerësuar nga shteti dhe të ngjashmit e tij. Në kësi raportesh vendi bën çmos ta fitojë çdo ditë devotshmërinë e qytetarëve të tij. Kjo nuk ndodh me çdo vend.

Disa vende kanë ndërtuar sistemin e sakrifikimit të individit, në dukje për shtetin apo kolektiven, por në fakt për prijësin dhe kastën. Kjo trashëgimi, pjesë e një mendësie ku bota vërtitet rreth regjimit jo individit, duhet ndryshuar. Raporti i vendit me qytetarët e tij është çelësi i çlirimit të patriotizmit, të përkushtimit dhe suksesit të një vendi. Për këtë duhet një sistem që kombinon konceptin e Kennedy-t dhe Frend-it. Individi duhet të mendojë si Kennedy, por jo vetëm se çfarë të bëjë por edhe si ta transformojë klimën kombëtare, ndërsa vendi duhet të përpiqet t'iu qaset qytetarëve dhe t'i fitojë sipas kushtëzimit të Frend-it. Duhet të jete një mirëmbajtje dhe përkushtim i dyanshëm. Dashuria për vendin nuk duhet marrë e mirëqenë, por çdo vend duhet të fitojë përmes një sistemi të ndershëm dhe të drejtë, devotshmërinë e qytetarëve të tij. Në këtë konfigurim të ri, nuk mund të ketë përfitues të privilegjuar si prijës, kasta apo grupe të organizuara që përdorin për interesa ekskluzive forcën e shtetit. Kështu qytetarët ndjejnë se meriton të investohet në vendin e tyre.

Vende që nuk e kanë këtë traditë duhet ta përftojnë. Vendet që nuk e kanë individin në qendër të sistemit duhet ta vendosin. Siç thoshte John Gardner-i tek libri i tij "On Leadership", "Individi i talentuar dhe jokonformist që gjendet në laborator apo studio është ai që na i ka sjellë dhe duhet të vazhdojë të na i sjelli, të gjitha burimet bazë me të cilat jetojmë". Ka vende që se kanë kuptuar energjinë e njeriut të aftë dhe ia kanë nënshtruar këtë potencial zhvillimor grupit, që si një gardian mban të nënshtruar pjesën më të mirë të shoqërisë. Ketu përfshihemi edhe ne.

Në disa analiza mbi vlerat kulturore, Shqipëria kategorizohet si vend me individualizëm të ulët dhe centralizim hierarkik të larte pushteti. Midis 103 vendesh, në lidhje me individualizmin, Shqipëria renditet e fundit në Europë, në një të katërtën e fundit të botës (vendi 76-85), me vetëm 20 pikë, në të njëjtin nivel me vende si Sierra Leone dhe Etiopia. Ky klasifikim udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara me 91 dhe siç thotë Huntington-i në librin e sipër cituar, tetë nga dhjetë vendet e para janë me një background kulturor protestant, vende që stimulojnë punën, lirinë, krijimtarinë dhe rendjen mbas fitimit të ndershëm.

Analiza e këtij studimi evidenton se jemi një shoqëri kolektiviste, ku njeriu më shumë se t'i përkasi vetes dhe familjes së ngushtë angazhohet tek familja e zgjeruar apo grupi, ku besnikëria ndaj grupit tejkalon ligjet dhe rregullat e tjera shoqërore. Tek ne vihet re se hierarkia është e fortë, centralizimi është popullor, njeriu pret t'i thuhet se ç’duhet të bëjë dhe shefi ideal është një autokrat dashamirës. (https://geert-hofstede.com/albania.html). Kjo radiografi flet shumë dhe tregon llojin e shoqërise që kemi, se pse nuk bëjmë dot shtet ligjor, demokratik, vendin e lirisë, e konkurrencës së ndershme dhe mundësive për të gjithë. Shoqëritë klanore nuk i njohin këto simbole të botës moderne. Këtu buron ikja masive. Njerëzit na ikin se kasta politike, ekonomike dhe të natyrave të tjera ia bëjnë të pamundur suksesin individual. Njerëzit ikin se moderniteti i tyre tejkalon tradicionalizmin regresiv që shfaqet në shoqëri.

Nëse i hedh një sy edhe klasifikimit të Gallup-it mbi emigracionin shikon se vendet me nivel të ulët të individualizmit janë edhe vendet me dëshirën më të madhe për të emigruar dhe destinacionet më të preferuara janë vendet në top listën Hofstede të individualizmit si Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Europës Perëndimore.

Sfida e çdo shoqërie është të ndërtojë vendin e dashur për çdo qytetar veçanërisht për ata që kanë formimin, ambicien dhe standardet e larta e që mund ta ngrenë vendin në një nivel më të lartë. Nje koncept menaxhimi te burimeve njerezore flet per gjuetine e specieve te rralla, qe vende dhe organizata e kane bere pjese te kultures se tyre. Kujdes i tha dikush presidentit Trump (ne nje shkrim tek CNN-i) se me mbylljen e kufijve për shtatë vende myslimane, mos penalizohet dhe nuk vjen tek ne babai i ndonjë Steve Jobs-i të ardhshëm. Vende qe kujdesen jo vetëm per ata që jane konsakruar si vlera shoqërore, por edhe per ata që mund të lindin në të ardhmen. Këtë kujdes duhet të tregojmë edhe ne me vendin, se mos me klimën që kemi krijuar po nxisim largimin përfundimtar të një Nënë Tereze tjetër, të një Konice, Çabeji apo Rugove tjetër, që mund të na i bëjë jetën më të mirë.

Kur flasim për vendin, ky nuk është një koncept abstrakt por jemi të gjithë ne (njerëz, kulture dhe institucione) pjesë të vogla të një organizmi të madh ku secili me investimin e tij të mirësisë apo ligësisë, e bën sistemin më të mirë a më të keq. Varet nga ne që ky vend të bëhet i dashur për të gjithë. Nëse shtetari ka pasion politikën për implementimin e një vizioni jo si një obsesion pushteti për të frikësuar a përfituar nga të tjerët, nëse politikani nuk ble a vjedh vota por zgjidhet me zotësi, pa qenë peng i krimit apo interesave okulte por vetëm në shërbim të interesit publik, nëse një punonjës administrate shërben dhe nuk i lodh njerëzit t'ju marri ndonjë lek, nëse avokati është mbrojtës të drejtash jo sekser, nëse mësuesit përhapin dijen universale dhe nuk tregtojnë vlerësimet e diplomat, nëse sipërmarrësit kanë parimin e konkurrencës së ndershme jo si të fitojnë mbi tregje të trukuara, nëse gazetari ndjek të vërtetën, informon dhe nuk manipulon opinionin publik, nëse pronari i medias kërkon të ngrejë një sipërmarrje të ndershme jo si një armë për përfitime tenderash, ndërtimesh apo pastrimi parash, nëse një polic lufton krimin dhe nuk bëhet palë me të, nëse një gjyqtar jep drejtësi e nuk e shet për para, nëse të gjithë prindërit i edukojnë fëmijët të shkojnë drejt shkollës dhe punës me ndershmeri jo korrupsionit politik, krimit dhe narkotrafikut, nëse ne qytetarët e thjeshtë do mbështesim njerëzit me ideale dhe integritet në hapësirën publike jo njerëzit pa karakter, një ditë jo shumë larg nga sot, shqiptarët nuk do ikin më në vend të huaj por të huajt cilësorë do duan të jetojnë dhe kontribuojnë për vendin tonë. Ne të gjithë jemi vendi. Disa prej nesh e kanë djegur deri më tani por ne të gjithë, me një mendje tjetër mund të rikuperojmë ç’kemi humbur. Një patriotizëm i vertete mund të na jepte një zgjim kombëtar, një ndërgjegjësim të nevojshëm për ndryshime të qenësishme.

PATRIOTIZMI I VËRTETË - NDËRTON VENDIN E MUNDËSIVE PËR ÇDO NJERI

Patriotët e vërtetë, njerëzit me mendje të hapur që e dinë se ç’do të thotë një vend i dashur për të gjithë duhet të marrin drejtimin, të krijojnë frymën dhe të formësojnë një tjetër klimë kombëtare. Nuk mund të pranosh që në vendin tënd të instalohen regjime kriminale e kleptokrate, sisteme autoritare që përdorin një patriotizëm fals apo venë në jetë axhenda antikombëtare ku largohen njerëzit më të zot.

Kuptimi ynë mbi patriotizmin duhet riparë. Patriotizmi nuk është mbrojte me fanatizëm e çdo gjëje, nganjëherë edhe negative që ka mbirë në vendin tënd. Patriotizëm do të thotë të ndërtosh një shoqëri të lirë, të sigurtë, me standarde jete për të gjithë, ku ndershmëria, drejtësia dhe vërtetësia aplikohet nga/për të parët e vendit deri nga/tek qytetarët më të thjeshtë. Kur kjo nuk ndodh, patriotizmi i vërtetë ta kërkon të ngrihesh, të luftosh dhe t'i dalësh kundër një sistemi të ndërtuar dhe drejtuar keq.

Një patriot i vërtetë nuk mund të pranojë që vendi i tij të jetë i fundit në kontinent, në gjysmën e poshtme të klasifikimeve globale për një sërë indikatorësh, me qytetarë të dëshpëruar dhe me mundësi të kufizuara. Në shembullin e shqiptarëve të shquar, të kombeve që ne i admirojmë për nivelin e qytetërimit, ne duhet t'i japim vendit një tjetër perspektive, atmosferë, rend dhe prestigj. Për këtë duhet të jemi të vërtetë me veten, mbi atë çfarë jemi dhe duam të jemi, mbi atë ç’është e gabuar dhe duhet ndrequr, me besimin se ne mund t'ia dalim në çdo sipërmarrje. Kështu nis ndryshimi, jo me slogane apo me valëvitje flamujsh të dalë boje nga pseudopatriotizmi, por me një luftë që e transformon në mënyrë të pakthyeshme këtë vend. Sfida e njerëzve të lirë është ta bëjmë Shqipërinë një vend të dashur për të gjithë, shqiptarë dhe të huaj. Dashuria nuk imponohet por fitohet përmes rregullit, mendjes, pamjes, sjelljes, mënyrës së jetesës, standardeve, mirëqenies dhe sigurisë për çdo qytetar. Realizimi i kësaj dëshire kërkon një revolucion në mendësi, një luftë ndaj së keqes që ka shkatërruar raportet midis njerëzve, institucionet dhe vetë shtetin tonë. Shqipëria nuk duhet të jetë më një vend i ashpër, ku dominojnë pushtetarë të marrë, banda dhe injorantë të dhunshëm.

Patriotizëm i vërtetë do të thotë mos e duash vendin ashtu siç e kanë katandisur, i kapur dhe i varur por ashtu siç duhet të jetë, i lirë dhe i pavarur nga çdo kastë a regjim. Patriotizëm i vërtetë do të thotë të ndërtosh një shtet ku çdo qytetari, pavarësisht veçorive, t'i respektohen të drejtat, t'i sigurohet jeta dhe prona, dinjiteti dhe prosperiteti. Patriotizëm i vërtetë do të thotë shanse të barabarta dhe rruge të hapura për këdo, pavarësisht origjinës dhe statusit social. Patriotizëm i vërtetë do të thotë një vend i diversitetit, i multikulturalizmit, ku respektohet identiteti, tradita por edhe qasjet e reja moderniste, ku inkurajohet shpirti kritik dhe vlerësimi objektiv i së shkuarës, të tashmes dhe çdo projeksioni drejt së ardhmes tonë.

Patriotizëm i vërtetë do të thotë një ripërkufizim i kombit modern jo vetëm si grupim individësh bazuar tek lidhjet e gjakut, fesë dhe etnisë por kryesisht si standard jete dhe vlerash universale, për një bashkësi njerëzish që jetojnë në një territor dhe meritojnë të gëzojnë pa diskriminim një sistem ligjor, demokratik dhe sekular, ku të respektohen të drejtat e patjetërsueshme njerëzore, një trajtim të barabarte para ligjit dhe një mbrojtje nga abuzimet e shtetit të tyre.

Patriotizëm i vërtetë do të thotë të dekurajojmë çdo mendësi dhe praktikë që dekurajon individin në rrugën e përsosmërisë së tij, në rrugën e krijimtarisë dhe prodhimit, që e përmbush atë dhe familjen e tij, për të dhënë kontributin maksimal për kombin dhe njerëzimin. Patriotizëm i vërtetë do të thotë siguri për çdo qytetar dhe çlirimi i vendit nga çdo potencial kriminal që cenon sigurinë individuale dhe kombëtare. Patriotizëm i vërtetë do të thotë t'i bëjmë gjërat shkëlqyer në këtë vend, në nivelin më të mirë të mundshëm sikur të luftonim gjithnjë për të zënë vendin e parë në çdo fushë e sipërmarrje. Vënia e synimeve të larta do na shtonte vendosmërinë të luftonim pa kompromis ndaj çdo patologjie që do minonte ecurinë kombëtare. Të synosh më të mirën është më e frytshme se të mësohesh me të qenit nga të fundit e kësaj bote. Ky është vendi që ne duhet të ndërtojmë sot, ky është misioni që duhet të përmbushi çdo qytetar i vetëdijshëm që realisht e do vendin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Rabbi Yehuda06/11/2017 06:33

Te lumte pena!
Ky shkrim brilant duhet lexuar ne cdo komunitet ne Shqiperi e gjetke.
Nuk i mungokeran ende Shqiperise bijte e vertete.
Shpresa vdes e fundit.

Sadik04/11/2017 08:10

Urime, Z. Piciri shume i pregatitur! Nje shkrim i sakte dhe i update-uar.

Shto koment

Denonco