Pyetjet ‘idiote’ të gazetarëve, apo përgjigjet idiote të kryeministrit?!

Pyetjet ‘idiote’ të gazetarëve, apo përgjigjet idiote të kryeministrit?!

Nga Enver Bytyçi - 03/11/2017

Prej ditësh ka një diskutim të gjerë rreth raportit të kryeministrit Rama me median në Shqipëri. Interesant është se ky raport aspak i këndshëm interpretohet "si dashuri" midis palëve, ndërkohë që nëse paraardhësi i Ramës do të ndërtonte të njëjtin qëndrim do të interpretohej si "diktaturë".

Aftësia e amplifikimit të metaforave nga kryeministri dhe zëdhënësit e tij të paguar në dorë e nën dorë është shndërruar tashmë në një rrezik serioz për lirinë e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm të gazetarisë dhe medias së lirë në Shqipëri! Sipas kryeministrit dhe "vampirëve" rreth tij me metastaza kanceroze, gazetarët "janë idiotë", sepse "bëjnë pyetje idiote". Zëdhënësit e Ramës e mbrojnë fort këtë tezë, duke i dhënë një dorë instalimit në Shqipëri të një diktature të maskuar, duke fajësuar median për raport jo të drejtë me të vërtetën, ndërkohë që mijëra fakte provojnë se është kryeministri ai që fsheh të vërtetat, të cilave media dëshiron t'u shkojë deri në fund.

Por para se të shprehem për rrezikun e raporteve agresive të kryeministrit, do të më duhet të shpjegoj raportin midis "pyetjes idiote" dhe "përgjigjes idiote"! Afër tetë vite kam jetuar në Gjermani në kontakt me dijen, në institute, universitete, bibilioteka dhe institucionet e administratës gjermane. Sa herë kam hezituar të bëj pyetje, bashkëbiseduesit më thonin: "Pyet për gjithçka, sepse nuk ka pyetje idiote, por ka përgjigje idiote"! Aq shumë është artikuluar kjo këshillë prej xhentëlmenësh nga ata me të cilët kisha kontakt në Gjermani, sa këtë ua përsëris si idiomë vazhdimisht studentëve të mij. Por kjo është kultura gjermane e po ashtu europiane e  perëndimore.

Ndërsa kryeministri ynë hapur dhe në publik u thotë gazetarëve se "Ju bëni pyetje idiote"! Ndërkohë megafonët e tij në debate televizive e mbrojnë këtë tezë me ngulm, pa menduar ky qëndrim ka të bëjë me mentalitetin ballkanas, i cili është larg së qeni një mentalitet perëndimor.

Dukej se historia e pyetjeve "idiote" ishte harruar në skutat e diktaturës, kur gazetarët dhe njerëzit në përgjithësi kishin frikë të pyesnin, se mos hamendësohej ndonjë kundërvënie ndaj vijës së partisë. Kjo histori u rikthye tani dhe unë e shoh si përpjekje për të restauruar të njëjtën psikologji frikësuese te gazetarët e te njerëzit e thjeshtë, me qëllim konstruktuimin e një vije të caktuar, e cila buron nga një lider, tek i cili gjithkush e për gjithçka do të duhej të kishte besim të padiskutueshëm! Në ndihmë të kësaj ideje vijnë shumica e botuesve të blerë të mediave në vend, në veçanti mercenarët në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, të cilët kurrë nuk i kanë munguar perandorive dhe diktaturave.

Edi Rama me një gur po "vret" shumë zogj! Kryesore për të është të largojë vëmendjen nga kriminalizimi që ai i ka bërë partisë së tij, politikës shqiptare, institucioneve të vendit dhe segmenteve të caktuara të shoqërisë shqiptare. Me këtë frymë kriminalizimi po mëkon median në Shqipëri e nëpërmjet saj edhe opinionin publik, aq sa ka filluar të qarkullojë ideja idiote dhe e rrezikshme se "Krimi, trafiqet, droga sjellin zhvillim"! Ky është një akt më i tmerrshëm se sundimi i një diktature, e cila si e tillë ushtron pushtet absolut përmes disa ligjeve dhe rregullave, të cilat së paku publiku i njeh. Krimi, i mbjellë në shtet e nëse shtrihet në shoqërinë tonë, nuk ka rregulla, ka vetëm viktima.

Nga ana tjetër kryeministri e di se sulmet ndaj gazetarëve ndikojnë të ringjallet fryma e autocensurës. Në rastin konkret një autocensurë e motivuar nga frika e "idiotizmit pyetës", por edhe nga frika e pronarëve të medias ku ata punojnë. Kryeministri, në vend të nxirrte një ligj për mbrojtjen e gazetarëve nga botuesit e pronarët, së paku që t'u sigurohet atyre një pagë e merituar si dhe garancia sociale e shlyerjes së detyrimeve për të si dhe siguria e kontratës së punës, i shtyn ata drejt pasigurisë së mëtejshme.

Dhe në fund, nëse halli i një diktatori është ruajtja e pushtetit duke eliminuar kundërshtarët e tij, halli i një të inkriminuari si kryeministri ynë, është i dyfishtë: -Si të eliminojë kundërshtarët, kryesisht si të paralizojë median dhe si t'i rezistojë të procesit larjes së hesapeve nga ana e bandave, pjesë e të cilave është ai vetë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco