‘Zona e Gënjeshtrës’ së Edi Ramës

‘Zona e Gënjeshtrës’ së Edi Ramës

Nga Enton Abilekaj - 29/10/2017

Të premten në mbrëmje, Edi Rama pati mundësinë e arte, për të thëne të vërtetën. Një intervistë gjysmë serioze, si dëshmitar përpara prokurorit, ai mund të çlirohej nga gënjeshtrat pa u dëmtuar politikisht, të distancohej nga një dosje që po e demaskon gradualisht lidhjen e qeverisë së tij me Kanabisin.

Pasi humbi mundësinë që të pranonte përgjegjësinë politike dhe të kërkonte ndjesë, pas publikimit të dosjes italiane, pasi dështoi të përfitojë pafajësi nga shitja e ish ministrit, dhe pasi zhgënjeu partnerët ndërkombëtar duke penguar  drëjtësinë, të premten ishte mundësia që me gjysmë të vërtetën që iu ofrua në "Zonë e Lirë", të distancohej me një ndjesë, me një rrëfim.

Të së vërtetës që mund t'i vinte kapakun përgjegjësisë së tij. Ndodhi e kundërta. Edhe aty ai zgjodhi të gënjejë, madje ta thellojë gënjështrën. Tha që denoncuesi i parë i Tahirit, Dritan Zagani është i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, tha që dosja e Habilajve ka shkuar në Itali nga Shqipëria për tu kthyer prapë në Shqipëri.

Sa mundësi ka që Kryeministri të mos e dijë se Dritan Zagani nuk ka asnjë dënim, madje po kërkon të merret një vendim nga Gjykata e Fierit, ndërsa Krimet e Rënda as nuk pranuan ta shqyrtojnë? Sa mundësi ka që Kryeministri të mos e dijë atë që dinë të gjithë se dosja Habilaj në Prokurorinë e Katanias, është hapur atje në 2013 dhe u mbyll me arrestimin e trafikantëve në fillim të tetorit? A ka mundësi që Kryministri të jetë më pak i informuar se qytetarët e thjeshtë, më i dizinformuar se mediat e Kazanit?

Jo, ai doli atje për të gënjyer, për të manipuluar nëpërmjet gënjeshtrave që i mendoi dhe i reshtoi në shërbim të një deshmie të rreme me shpresën se shqiptarët do t' i japin pafajësinë. Më shumë se dëshmitar, dukej si një i pandehur në siklet, që duhet të shpikte alibitë për t'i shpëtuar ndëshkimit dhe thirri në ndihmë gënjeshtrën. Ai nuk ishte kryeministri. Kryeministri pranon gabimin e injorimit, përndjekjes dhe linçimit të Zaganit dhe premton se akuzave dhe fakteve që çensuroi 2 vjet më parë, do t u rikthehej për verifikim me seriozitet sot.

Kryeministri kërkon ndjesë për kanabizimin e vendit, për tonelatat e drogës që ka çuar në Europë, për shkatërrimin e imazhit të vendit, për fuqizimin e trafikantëve dhe deformimin e shoqërisë dhe ekonomisë. Nuk ishte as dëshmitar. Dëshmitari nuk prish provat, nuk perndjek denoncuesit, nuk shtrembëron faktet. Ishte i pandehuri që kërkon të kapet pas çdo alibie, pas çdo gënjeshtre, i pandehuri që akuzon të tjerët për të shpëtuar kokën, që mbron bashkëpunëtorët që të dal i papërlyer.

Java duket se e fashiti çështjen. Saimir Tahiri doli i qetë nga Prokuroria të hënën, duke i falenderuar të njëjtët prokurorë që fyeu dhe akuzoi disa ditë më parë. Ishte e qartë që prokurorët kishin reflektuar, që tek ftesa plot delikatesë me të cilën zëvendësuan fletëthirrjen për të dyshuarin që donin ta arrestonin deri të mërkurën. Mes dy palëve që zbrazën gjithë municionet e tyre në një betejë të zhurmshme dhe të ashpër, me fund nuk pati asnjë viktimë. Kështu ka ndodhur ne 27 vjet, kështu do vazhdojë të ndodhë. Deri kur të bëhet Drejtësia.

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

t29/10/2017 16:32

ajo drejtesi nuk ka per tu bere asnjehere,se te dy palet jane ndotur deri ne fyt,

Shto koment

Denonco