Saxhexhinjtë e Korçës, si e tundën në dasmën e mbretit Zog dhe dhurata speciale që u bëri

Saxhexhinjtë e Korçës, si e tundën në dasmën e mbretit Zog dhe dhurata speciale që u bëri

12:47, 28/05/2017
A+ Aa A-

Sazexhinjtë e Korçës mblodhën veglat e tyre muzikore me një përkujdes të madh, por ende nuk po i vendosnin nëpër valixhe. Diçka u mungonte. Dukej sikur donin t’ia merrnin edhe një herë këngës para se të niseshin për udhë. Të gjithë ishin veshur me frak dhe kapela republike. Po bëheshin gati për të shkuar në dasmën e mbretit Zog.

Ishte viti 1938. Vetë mbreti Zogu I i kishte ftuar të ishin të pranishëm në ceremoninë e dasmës së tij. Kjo kishte qenë ftesa më e rëndësishme që sazexhinjtë e Korçës kishin marrë në gjithë jetën e tyre. Ndoshta për këtë arsye ata ndiheshin disi të shqetësuar. A do të mundeshin vallë ta linin mbretin të kënaqur? Po sikur ai të mbetej i zhgënjyer?

Nga Vepror Hasani

Demka i Hajros që kryesonte grupin e sazexhinjve u dha zemër: “Me ustallarë si ju gjithçka shkon mbarë”. Ata vështruan njëri-tjetrin në sy; ishin marrë vesh në heshtje. Morën veglat dhe ia nisën një kënge: “O bandill të paçim sa malet,/ pse nuk vjen një natë që të qajmë hallet…”. Pas kësaj u këndua edhe një këngë tjetër: “Behari ç’u lulëzua”. Kishin filluar të ndiheshin mirë.

“Tani jemi gati”, tha Demka i Hajros që ende mbante violinën në dorë. Ishin vërtet gati. Automobili që do t’i çonte në Tiranë priste përpara derës së shtëpisë së tyre. Të afërm, miq e shokë, dolën t’i përcillnin. Sazexhinjtë e Korçës po shkonin te mbreti! Demka i Hajros që mbante violinën në dorë, shkoi deri te automobili me një kaba që të rrëqethte.

Dhuratë mbretit, shpirtin e tyre prej artisti

Dikush tha se dasma do të vazhdonte për disa ditë. Do të këndonin dhe do të luanin me veglat popullore pa pushim. Çdo minutë do të ishte festë. Rakia dhe vera do të derdhej si lumë. Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Kur sazexhinjtë ishin çlodhur mjaft nga rruga që kishin bërë, erdhën dhe u thanë se tani ishte radha e tyre Mbreti kishte rastin t’u tregonte të huajve anët e panjohura të këtij vendi.

    Sazexhinjtë bënë gati veglat. Ishte një çast heshtjeje. Një drithërimë i përshkoi atë çast. E nisën me një melodi të gëzuar. Kur interpretimi i parë kishte mbaruar, u dëgjuan zëra që thanë: “Bravo… bravo!…”.

    Demka i Hajros po ndjente se gjithçka po shkonte mirë. Erdhi një çast kur mbreti me mbretëreshën u shfaqën para tyre. Demka i Hajros se ç’bëri një shenjë, dhe këngëtarët ia nisën këngës: “Ti moj syçkë vetullgjilpërë”.

    Gjithë atmosfera u mbush nga tinguj drithërues. Pas saj erdhi një këngë tjetër: “Zogë ku më qënke rritur”. U dëgjuan përsëri “Bravo…bravo!…” Demka i Hajros bëri sërish shenjë si për t’u thënë sazexhinjve se cila do të ishte kënga e radhës: “Pare kush ta preu fustanë”, ushtoi zëri i këngëtarëve.

    Mbreti që qëndronte pranë Geraldinës të veshur me fustan të bardhë dukej i lumturuar. Dukej që po i pëlqenin këngët. Kur sazexhinjtë u ndalën për një çast, dikush prej shoqëruesve të sazexhinjve u tha: “Mbreti mbeti i kënaqur”. Demka i Hajros, ndjeu një lehtësim të madh në shpirt.

    Erdhi një çast dhe dasma mori fund. Të gjithë do të largoheshin. Do të iknin edhe sazet e Korçës. Kur po vendosnin veglat muzikore nëpër valixhe, dikush nga njerëzit e mbretit u afrua sërish dhe u tha. “Mbreti ka vendosur t’u bëjë një dhuratë, një udhëtim falas në Itali”.

    Dhuratë më të bukur sazexhinjtë e Korçës nuk kishin ëndërruar ndonjëherë.

    Në Itali

    Sazexhinjtë e Korçës të kryesuar nga Demka dhe dy vëllezërit e tij, Shefka dhe Rushani kishin menduar shumë se si do t’i kalonin ditët atje, por druheshin se mund ta kishin edhe të vështirë të orientoheshin në një vend të huaj. Megjithatë gjithçka shkoi aq mirë sa ata nuk e ishin marrë me mend. Për udhëtimin e tyre ishin përkujdesur njerëzit e mbretit.

    Me të mbërritur në Itali disa njerëz dolën për t’i pritur. Kishin qenë përfaqësues të shtëpive diskografike. Kur turneu i tyre po përfundonte njerëzit e shtëpive diskografike bënë një propozim: sazet e Korçës duhej të mbeteshin të regjistruara në pllaka gramafoni, këngët duhej të dëgjoheshin nga të gjithë njerëzit, ato mund të bliheshin nga të gjithë, edhe zëri mund të shitej. Për sazexhinjtë e Korçës ky ishte një sukses i madh. Ishte vizita e tyre që solli shtëpitë diskografike në Shqipëri. Sazexhinjtë e Korçës i bënë regjistrimet te “Odeoni”, por shtëpi të tjera diskografike, jo vetëm nga Italia, por dhe nga vende të tjera do të shfaqeshin njëra pas tjetrës në Shqipëri: “Columbia” “ His Master’s Voice” “Sahibin Sesi” “Columbia” etj.

    Rruga e një dinastie muzikore

    Ibrahimi

    Gjithçka kishte filluar me lindjen e Ibrahimit aty rreth vitit 1820. Emri i tij tashmë përmendet si legjendë, sepse ishte koha kur violina po hynte për herë të parë në qytetin e Korçës. Thonë se Ibrahimi vdiq duke luajtur në violinë. U duk sikur violina e tij heshti përgjithmonë, por nuk ndodhi kështu. Ibrahimi kishte lënë pas një djalë me emrin Hajro

    Hajroja i Ibrahimit

    Kabaja e Hajros së Ibrahimit, “e qara” e tij me violinë nuk linte njeri pa lotuar e pa mallëngjyer. Ai kishte qënë gjithnjë i kërkuar jo vetëm në Korçë, por edhe në Kostur, në Manastir në Leskovik, në Përmet e gjetkë. Vetë sazexhinjtë e tjerë kishin ngritur këngë për të: “Tin’ o Leskovik i shkretë,/ delni e hapni penxheretë,/ se vjen Hajrua vet’ i tretë,/ sjell bozuk’ e gjemenxhetë”. Emri i tij do të bëhej edhe më i dëgjuar kur tre djemtë e tij, Demka, Shefka dhe Rushani do të bëheshin po kaq muzikantë të talentuar. Pikërisht në këtë kohë ata ngritën shoqërinë e parë të sazeve në Korçë të quajtur “Hajro dhe Demka”, (H&D). Në grupin e tyre do të bënte pjesë edhe Qamili i Famës, Arifi me llahutë dhe këngëtarë.

    Demka i Hajros

    Hajroja kishte vdekur në vitin 1920. Pas këtij viti Demka mori në sazet e tij edhe Xhemal Gajden nga Përmeti me violinë dhe këngëtarë. Formacioni i sazeve ndryshonte vazhdimisht. Tre djemtë e Hajros ishin bërë të dëgjuar.

    Abazi i Demkës

    Demka u nda nga jeta, por pas kishte lënë një tufë fëmijësh: Danin, Sulejmanin, Bidon, Abazin, Sazanin dhe dy vajza: Adivien dhe Xhevrien. Që të gjithë kishin qenë të lindur për muzikën, por Abazi, Bidua dhe Sazani do të shkëlqenin me talentin e tyre. Abazi i Demkes u pasionua pas fizarmonikës. Mbeti virtuoz në këtë instrument deri ditën që u nda nga jeta në 6 shtator të vitit 1996. Ai ishte pjesëtar i Orkestrës Simfonike me dirigjent Kristo Konon. Më pas, në vitin 1956, Abazi i Demkës do të merrte drejtimin Orkestrës së Estradës Profesionistë të Korçës. Abazi i Demkës, kompozonte, orkestronte, krijonte. La pas më shumë se 100 këngë e melodi. Ai ka mbetur i përjetësuar në një bust bronzi në Korçë. Megjithatë kjo rrjedhë historike nuk përfundon këtu.

    Ylli i Abazit

    Talentin e Abazit do ta rrëmbente biri i tij, Ylli. Ylli i Abazit luan në kitarë, tashmë ka 18 vjet që bën pjesë në Orkestrën e Estradës Profesioniste të Korçës. Duket se nga kjo familje rrjedha e talenteve nuk ka për të shterur kurrë. Historia e tyre vijon… si uji i një burimi të pashtershëm mali./Marre nga Dita

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco