4 shekuj më parë, kur Peqini numëronte 400 vila me shatërvane dhe saraje plot begati

4 shekuj më parë, kur Peqini numëronte 400 vila me shatërvane dhe saraje plot begati

07:28, 22/01/2017
A+ Aa A-

Një përshkrim i jashtëzakonshëm Evlija Çelebiut

Nga Fatos Salliu PhD 

Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Ka ekzistuar një kohë kur Peqini numëronte mbi 400 vila stolisur me kopshte plot me lule, shatërvane në oborre, pjergulla, dhe hambarët plot me drithë. Ishte koha më e begatë për qytetin që e ka zanafillën që në lashtësi. 400 vjet më parë Peqini ngjasonte si një perlë buzë lumit Shkumbin. Me kala të fortifikuar me topa, xhami të bukura, shkolla, medrese, rrugë, ujësjellësa, kroje, tregje, hane, zejtarë dhe mullinj. Përshkrimin më fantastik rreth Peqinit të kësaj epoke e bën kronikani i famshëm i kohës Evlija Çelebi (Muhamed Dhil­li Ibni Dervishi). Ai i referohet Peqinit të viteve 1660­1670. Ja si e përshkruan ai hyrjen në Peqin: “… Pasi lamë Kavajën u nisëm drejt lindjes buzë lumit Shkumbin (me shumë gjasa përgjatë vijës Egnatia). Pas 4 orë udhëtimi nëpër rrugë të rregullt mbërritëm në Peqin. Pa arritur na u shfaq hijerëndë kështjella e Peqinit. Ajo është ndërtuar për të siguruar nga kusarët rrugën Elbasan­Kavajë­DurrësBashtovë. Mban emrin turk Beklejen, i cili me kalimin e kohës u shëndërrua në Peklin e më vonë Peqin”. Më pas Çelebiu përshkruan hyrjen në kala. “Peqini është krahinë e Elbasanit dhe drejtohet nga një vojvodë. Kështjella ndodhet në shesh në anë të lumit dhe ka formë katërkëndore. Ajo ka një perimetër prej 500 hapash. Nuk ka hendek, por ka 4 kulla të rrepta dhe besnike. Ana jugore ka një kodrinë. Në anën veriore ka një portë që komunikon me varoshin e Peqinit. Muret e kështjellës janë 12 m të lartë. Brenda kështjellës qëndron dizdari me 7 ushtarë. Ka 5 topa. Brenda në kështjellë ndodhen 30 shtëpi. Mbi portë ka një xhami pa minare dhe në të majtë të kështjellës, në murin ngjitur ndodhet namazgjahu…”

Pasi përshkruan kështjellën e Peqinit, Çelebi mahnitet nga peizazhi përreth. “Varoshi i Peqinit ka pushtuar anën lindore, veriore dhe perëndimore të kështjellës. Ka 400 shtëpi të mira e të bukura si pallate ndërtuar me qarqir me nga dy pode të mbuluara me tjegulla të stolisura me vreshta, kopështe e shatërvane. Ky varosh ka 7 lagje dhe katër xhami. Ndër to më e famshme është xhamia e Abdurrahman Pashës i cili ka qenë komandant i jeniçerëve të Vezirit trim që mori pjesë në luftën për pushtimin e Gjiritit. Kjo xhami është e bukur dhe ka shumë xhemat. Mbi portën e saj gjendet mbishkrimi që bën fjalë për datën e ndërtimit dhe që i përket vitit 1656. Në të citohet: I qofshim falë Zotit që kjo xhami e re u ndërtua/ Cilido që do ta shohi do t’i dëfrejë zemra/Në mes të pranverës u krye ndërtimi i saj. Ju bekoftë Zoti o të pasur që shkëlqyet datën e përurimit të saj! Veç kësaj është e famshme edhe xhamia e Hariz Sades. Në Peqin ka edhe dy teqe dervishësh. Peqini ka 7 nesxhide, tri medrese me studentë të ndershëm e të urtë të cilët nuk ngjajnë me studentët e disa rajoneve përreth të cilët janë të egër dhe nga të cilët mund të presës çdo gjë.

    Peqini ka edhe 5 shkolla fillore me nxënës shumë të zgjuar që lexojnë e mësojnë përmendësh shumë libra e vjersha. Në këtë vend ka 7 kroje me ujë shumë të mirë dhe të ëmbël me të cilin peqinasit ujitin tokën, atdheun e Abdurrahman Pashës. Që të gjitha këto kroje janë hajati (bamirësia) e tij. Abdurrahman Pasha është nip nga motra i Mustafa Çelebisë, i cili ka qenë qehajai i Oborrit të Sulltan Muhamedit IV. Peqini ka edhe një banjë shumë të rregullt me ujë mjaft të mirë të ndërtuar nga Abdurrahman Pasha. Në qytet ka dy hane dhe 200 dyqane shumica e të cilëve janë këpucarë. Tregu i Peqinit është nën hijen e manave dhe pjergullave të mbështjella në mënyrë shumë të rregullt për bukuri. Ky qytet ka klimë të mirë prandaj banorët e tij janë shumë të bukur dhe me femra shumë të bukura. Janë njerëz të urtë, me karakter të kulluar, fetarë të vërtetë dhe që shohin punën e tyre. Peqini është qytet i hijshëm i stolisur me vreshta kopështe dhe i pasur me ullinj. Ka limonë, portokallë, fiq, shegë e fruta pa mbarim. Këtu gjendet çdo gjë”. Më tej Evlija Çelebiu tregon për mikpritjen që ka gjetur në shtëpinë e Abdurrahman Pashës.

    “Pasi i dhamë fund vizitës në qytet, u ndamë me të gjithë miqtë që më dhanë shumë letra për zotërinë e tij Abdurrahman Pashën. Lamë Peqinin dhe për gjysmë ore kaluam urën e Abdurrahman Pashës dhe hymë në fshatin Çiçul. Çiçuli, majë një kodre, është vendlindja dhe prona e Abdurrahman Pashës. Këtu qëndruam një javë rresht dhe u kënaqëm me miqësinë e Mahmut Agës, vëllait të Abdurrahman Pashës”. Por nuk mbaron me kaq. Çelebiu përshkuan edhe rrugën në dalje të Peqinit në drejtim të Elbasanit. “Morëm sërish rrugën drejt lindjes bregut të lumit Shkumbin në drejtim të Elbasanit. Këtu pamë 10 mullinj të ndërtuar me mjeshtëri të hollë që punonin me shpejtësi, pa pushim e që të merrnin mendjen. Pasi pamë këta mullinj të çuditshëm, vazhduam rrugën drejt Elbasanit duke kaluar nga katundet Lolaj, Pajovë, Bishqem e Bradashesh…”. Ky pra është përshkrimi më emocionues për Peqinin e 350 viteve më parë. Asnjëherë tjetër qyteti nuk ka qenë kaq i lulëzuar. Kjo, për shkak se ai ndodhej pranë vijës Egnatia ku kalonin ushtri dhe barbarë. Rënia e perandorisë, luftërat mes pashallëqeve shqiptare, sëmundjet dhe më vonë edhe skamja e varfëruan qytetin. Megjithatë, edhe në vitet që pasuan ai mbeti një oaz i i dashur, me histori, kulturë dhe njerëz që i dhanë famë…I. Salliu, Peqini/ Infoelbasani.al

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco