Filozofi George Steiner: Ja dy arsyet se përse Ismail Kadare nuk e merr dot çmimin Nobel

Filozofi George Steiner: Ja dy arsyet se përse Ismail Kadare nuk e merr dot çmimin Nobel

11:35, 14/10/2016
A+ Aa A-

George Steiner është kritik letrar, filozof, novelist, etj. Disa letrarë e folozofë sot e karakterizojnë Steiner-in si poliglotin dhe polimathin më të madh të kohës sonë. Si professor i letërsisë krahasuese dhe filozofisë, Steiner ka ligjëruar pothuaj në të gjitha universitetet elitare të botës. Steiner është autor i një varg librash të cilësuara si vepra tejet të rëndësishme në fushën e tij. Ndër veprat e tija më të njohura janë: Tolstoy or Dostoyevski, The death of tragedy, In bluebirds castle, No passion spent, After Babel, etj. Libri tij i fundit, i botuar në vitin 2008, titullohet: My unwritten books.

Disa ekspert kanë bërë me dije se Steiner mëton ta zëvendësoj Isaiah Berlin-in duke e imituar jetën dhe veprimet e tija por nuk e arrin dot. Megjithatë, Steiner, në fushën e letrave, është autoritet i pakontestuar.

Për ju, që e lexoni këtë postim, nuk kam nevojë ta prezentoj Ismail Kadrenë por rreshtat më poshtë mund t’ju ndihmojnë në sqarimin e pyetjes: Pse Kadare nuk e merr Çmimin Nobel?

**********

Më duket se ka qenë pranverë e vitit 1997 kur Blerim Shala, kryeredaktori i Zërit, kërkoi nga unë që ta intervistoja George Stener-in. Unë nuk dija shumë për Stener-in. E dija që merrej me letërsi e filozofi por nuk i kisha të qarta përmasat e punës së tij. Shkova në bibliotekën e afërt të lagjes pasi që atëherë Google ishte në fazë eksperimentale dhe nuk dihej që ekzistonte. Interneti atëherë nuk ishte sikur sot.

Por, Steiner më ndihmoi që të mësoja edhe më shumë për te. Në telefon, ai pranoi që ta intervistoja por me një kusht: vetëm nëse, para intervistës, e lexoja librin e tij të quajtur ‘Errata – an examined life’. Ishte një libër, një lloj autobiografie e tij, që mbahet në mend për kohë të gjatë dhe që të njofton me aftësitë e shkruesit dhe thellësitë e trajtimit të çështjeve. Libër që nuk ka shumë fletë por që shpjegon shumë probleme të jetës së njeriut.

Nuk më kujtohen detajet e intervistës, por Steiner ishte njeri i cili lë përshtypje madhështore edhe në shikim të parë. Kur hyra në zyrën e tij që e kishte në Universitetin e Kembrixhit dhe ku ligjëronte atëherë, përshtypja e parë ishte pamja fizike e tij: gjatësia e trupit dhe veshja elegante. Ai, atëherë ishte rreth 60 vjeçar kurse unë gati përgjysmë më i ri se ai.

Pas përshëndetjes me shtrëngim duarsh dhe buzëqeshjeve të ndërsjella të çastit u ulëm në kolltukë përballë njëri tjetrit. Kur unë e nxora kasetofonin, ai kërkoi t’i shihte pyetjet. Ia dhashë listën me shumicë të përpiluara nga Blerimi. Steiner e nxori lapsin dhe filloi t’i binte vi disa pyetjeve. ‘Këtë nuk e di kush është’, thoshte për ndonjë filozof, apo ‘kjo është e parëndësishme’ thoshte derisa i anuloi nja 30% të pyetjeve.

Unë u habita pak nga tekanjoziteti i tij por nuk e pashë të arsyeshme të reagoja pasi që kisha dëshirë që intervista të zhvillohej nën kushtet e ndjenjës së mirë.

Biseda më e rëndësishme u zhvillua pas intervistës. Pasi që e futa kasetofonin në çantë. Steiner tha: ‘tashti do të pimë çaj’. Kur asistentja e tij i solli gjygymat e porcelanit, ai më dhe pyeti:’A pini ju shqiptarët çaj?’

‘Aty, ku jetoj unë, pihet çaji me të madhe’- ishte përgjegjëja ime.

‘Ku jeton ti?’

I tregova.

‘Natyrisht, vetëm popujt që kanë jetuar në perandori e dinë kënaqësinë e çajit’- tha ai.

E kështu me radhë dhe në mënyrë të ngadalshme, por të këndshme, filloi muhabeti që po dilte më interesant se intervista e incizuar.

Për luftën që ende zhvillohej në Jugosllavi Steiner mundohej të mbante qëndrim neutral. Tentonte t’i fajësonte njësoj të gjitha palët në konflikt. Nuk e fajësonte vetëm Serbinë siq bënin shumë intelektualë gjatë asaj kohe. Ballkani për te dukej se ishte arenë e njerëzve të egër.

Gjatë bisedës doli se Steiner ishte më tekanjoz dhe më nervoz se që prezantohej. Ishte i mendimit se hebrenjtë i kanë dhënë botës më shumë civilizim se myslimanët dhe të krishterët së bashku për të cilën gjë unë i dhashë shenja mospajtimi. Se ai ishte hebre, dihej.

‘Numri i nobelistëve hebrenjtë është skandaloz’ – tha ai duke e forcuar argumentin e tij për të treguar shifrën tejet të madhe të nobelistëve të përkatësisë së tij nacionale apo etnike.

Gjatë bisedës ai shtoi se edhe numri i pretenduesve hebrenjtë është tejet i madh dhe këtë ai e dinte se ishte anëtar i një ekipi që here pas here këshillohej nga Komiteti i Nobelit. Me fjalë tjera, ai i lexonte veprat e shumë kandidatëve për Nobel.

Ky fakt ishte rast për mua që ta parashtroja atë pyetjen që e bënë çdo shqiptar: Kur do ta merr Ismail Kadare Çmimin Nobel?

‘Kurrë, hiq’- më tha.

‘Pse?’

Më tha se ia kishte lexuar disa romane të cilat në fakt, sipas tij, nuk e arrinin nivelin e shpërblimit në fjalë.

‘Megjithatë, ka gjasa’-më tha dhe vazhdoi.

Kadare, sipas Stener-it, duhej t’i plotësonte dy kushte në veprat e tija që t’i afrohej seriozisht shpërblimit në fjalë. Kushti i parë: Kadare duhej të shpjegonte pse në Ballkan ka aq shumë prirje apo etje për dhunë, dhe kushti i dytë: Kadare duhej ta kuptonte lëvizjen e civilizimit që është bërë në botë dhe peshën e tij dhe ndikim e ndërsjellë që ka treguar deri tani.

Kushti i dytë ishte i paqartë apo ‘ambiguous’ siç i thashë por ky i pari nuk do të duhej të ishte problem. Kushtin e parë nuk e plotësonin gjithë ata hebrenjë pasi që nuk e kishin shpjeguar apo nuk kishin kontribuar as ata në ndalimin e dhunës në mes hebrenjve dhe palestinezëve në Izrael dhe Palestinë.

Ky mendim i imi e acaroi bisedën pasi që Stener nuk kishte përgjigje dhe haptas e mbronte pozitën e shtetit izraelit. Megjithatë, Steiner më doli mjaft kontarvers pasi që në bisedë tashti fliste ndryshe nga intervista.

Ia bëra me dije se nuk isha ndonjë ithtarë i Kadaresë por kushtet e paraqitura nuk dilnin nga ndonjë kriter valid. Tek e fundit kishte plotë që kishin marrë Nobelin e nuk kishin treguar ndonjë vlerë që e kërkonte ai.

‘Mos u lodh’ – më tha, dhe shtoi: ‘Nuk e merr dot’.

Ka kohë që Steiner me siguri nuk këshillohet për Nobel. As kushtet e tija nuk duhet më të jenë në fuqi. Ai tash është në pension dhe në pleqëri të thellë sikur edhe Kadareja. Megjithatë, kushtin e dytë, nëse ekziston ende, Kadare nuk e plotëson kurrë.

Për fund, më duhet ta pranoj se Steiner ishte mjeshtër edhe për përgatitjen e çajit dhe se që të dy e preferonim të njëjtin lloj: Earl Grey. Daut Dauti/Iliria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco