Akademia e Shkencave themelon çmimet e saj, ja ç'emra kanë dhe kujt do t'i jepen

Akademia e Shkencave themelon çmimet e saj, ja ç'emra kanë dhe kujt do t'i jepen

12:57, 10/10/2016
A+ Aa A-

Themelohen çmimet shkencore kombëtare që jep Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Fjala e akademik Muzafer Korkuti, Kryetar i ASH-se në konferencën për shtyp për shpalljen e çmimeve shkencore kombëtare që jep Akademia e Shkencave e Shqipërisë:

"Sot, në ditën e themelimit të Akademisë së Shkencave, kemi një lajm të gëzuar për të gjithë ata që i bashkon kërkimi shkencor akademik dhe universitar në Shqipëri e jashtë saj, në dijet albanologjike dhe në shkencat natyrore e teknike me ndikim në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Akademia e Shkencave, në përputhje me ligjin që rregullon veprimtarinë, përgjegjësitë, funksionet dhe misionin e saj; ka vendosur themelimin e çmimeve të mëdha të vlerësimit të kontributeve shkencore origjinale në shkencat shqiptare dhe për zhvillimin në Shqipëri.

Duke filluar nga viti 2016, në funksion të nderimit të punës shkencore kudo që ajo zhvillohet, Akademia e Shkencave do të japë këto çmime shkencore kombëtare:

1. Çmimin Eqrem Çabej, për veprat më cilësore origjinale monografike në shkencat shoqërore dhe albanologjike;
2. Çmimin Petrit Radovicka, për veprat, projektet apo patentat e regjistruara më të rëndësishme në shkencat natyrore dhe teknike;
3. Çmimin e karrierës akademike, për merita jetësore në të dyja fushat e përmendura, që do të jepet duke iu referuar vlerësimit retrospektiv të rezultateve në kërkimin akademik-universitar, me rëndësi për shkencën shqiptare dhe jetën e vendit;
4. Çmimin për studiuesin e ri më të suksesshëm, që do të përzgjidhet prej brezit më të ri të kërkuesve qysh në fillimet e punës së tyre shkencore.

Me themelimin e këtyre çmimeve Akademia e Shkencave ka për qëllim të identifikojë e vlerësojë për çdo vit arritjet më cilësore dhe më me ndikim në zhvillimin shoqëror të vendit; të certifikojë origjinalitetin e punës shkencore dhe të inkurajojë forcimin e konkurrencës; të zgjerojë rrethin e bashkëpunëtorëve të saj në institucione kërkimore-shkencore dhe nga radhët e kërkuesve të pavarur; të forcojë ndërveprimin midis brezave dhe të rrisë shkëmbimin e përvojave mes tyre, sikurse u rekomandua me të drejtë dhe në mbledhjen e Asamblesë së ALLEA-s (All European Academies, maj 2016).

Këto çmime do të jenë të përvitshme. Organizimi i konkurseve, ngritje e jurive, përzgjedhja dhe nominimi i kandidatëve dhe shpallja e laureatëve do të bëhet sipas një rregulloreje të posaçme, që Kryesia e Akademisë së Shkencave sapo e ka miratuar.

Kjo rregullore dhe të gjitha aktet e tjera të lidhura me të, nga sot do të jenë lirisht të këshillueshme në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave.

Përfitojmë prej këtij rasti të shpallim menjëherë të hapur rendin e parë të konkurrimit për çmimet e mëdha të Akademisë së Shkencave. Duke qenë se ky është viti i parë i dhënies së tyre, Kryesia ka vendosur që për këtë rend të përzgjedhë e të vlerësojë vepra monografike, projekte dhe arritje në kërkimin shkencor teknik dhe patenta të regjistruara për gjithë periudhën 2012-2016 (duke e përfshirë dhe vitin 2016).

Ne u bëjmë ftesë studiuesve shqiptarë nga Republika e Shqipërisë dhe gjithë hapësira historike shqiptare, si dhe nga diaspora, të shpallin interesin e tyre për të marrë pjesë në konkurset për çmimet vjetore akademike kombëtare për vitin 2016.

Ne ua bëjmë të njëjtën thirrje të gjithë albanologëve, që e kanë lidhur jetën e tyre me historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe që janë aktivë në kërkimin korrent, pavarësisht vendit të origjinës dhe vendit të rezidencës. Ftojmë stafet shkencore të Universiteteve, fakulteteve, departamenteve, qendrave kërkimore e instituteve shkencore që të bëhen pjesë e aplikimeve për

Sipas rregullores së miratuar, të drejtën për të konkurruar e kanë individë e institucione, vepra me autorësi vetjake e shumautorëshe. Kushtet dhe kriteret e pjesëmarrjes, si dhe kalendari i zhvillimit të konkurseve, për të gjithë kandidatët do të shpallen përmes medieve e multimediave, përmes faqes zyrtare të Akademisë së Shkencave dhe në forma të tjera.

Çmimet e mëdha shkencore kombëtare vjetore të themeluar nga Akademia e Shkencave do të shoqërohen me shpërblim financiar. Ne urojmë prurje dinjitoze për këtë rend të parë të konkurrimit dhe që fituesit e tyre të lartësojnë respektin publik për çmimet e themeluara."

Image

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco