Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Orhan Pamuk dhe Ismail Kadare, kandidatë për çmimin ndërkombëtar të BERZH-it

Orhan Pamuk dhe Ismail Kadare, kandidatë për çmimin ndërkombëtar të BERZH-it

14:23, 06/02/2018
A+ Aa A-

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është një nga 6 finalistët e çmimit europian të letërsisë “EBRD” që jepet nga Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim. Romani i tij “Kamarja e turpit” që në gjuhën angleze është përkthyer me titullin “Niche Traitors” është shkruar 40 vjet më parë dhe është botuar në gjuhën angleze vitin e kaluar.

“Kamarja e turpit”, e përkthyer në anglisht nga John Hodgson, në shqip është botuar për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”. E shkruar në një nga periudhat më të errëta të letërsisë, “Kamarja e turpit”, është pjesë e një trashëgimie historike letrar, e cila pavarësisht diskutimeve me të cilat shpesh përballet, do jetë gjithnjë pjesë identitare e letërsisë sonë. Kadare e fillon historinë e tij nga këndvështrimi i një njeriu të zakonshëm, 31- vjeçari Abdulla, i cili është roja i kamares së turpit. Romani që ka në qendër fatin e Ali Tepelenës, pashait rebel shqiptar, që u ngrit kundër sulltanit dhe shtetit osman, është konsideruar nga kritika botërore si një nga veprat më tragjike të Kadaresë, ku përshkruhet terrori shtetëror.

“Ismail Kadare satirizon dinakun Hoxha”, titullohej shkrimi i botuar në revistën “The Spectator” ku promovohej romani në gjuhën angleze. Sipas autorit, romani është një parodi e diktaturës komuniste dhe “Në ‘Kamaren e Turpit’, spastrimet e diktatorit shqiptar tinëzisht janë fshehur nën gjakmarrjet e Ali Pashës në shekullin XIX”. Autori përshkruan krijimtarinë e Kadaresë në një atmosferë të rënduar tiranike dhe vlerëson mënyrën se si ai ka arritur të kritikojë sistemin përmes letërsisë. Gjaku, thonë ata, shkon shpejt në thikë, në Shqipëri, ku vrasjet për hakmarrje të stilit ballkanik janë njohur që në kohët e lashta, edhe për çështje pronësish. Mekanizmi i hakmarrjes, ideja e vjetër e pastrimit me anë të gjakut- është trajtuar nga shkrimtari shqiptar.

“SHORTLISTA”

Çmimi i letërsisë “EBRD 2018” jepet për herë të parë këtë vit. Fituesi i çmimit shpallet me 10 prill dhe merr shumën prej 20,000 euro, shkruan gazeta shqiptare. Çmimi i BERZH vjen në partneritet me British Council dhe Panairin e Librit në Londër. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, shënohet se çmimi synon të ofrojë një mundësi unike për të reflektuar kulturën dhe kreativitetin në 40 vendet ku banka operon dhe investon, nga Maroku në Mongoli, Estoni dhe Egjipt. Çmimi do t’i jepet veprës më të mirë të letërsisë që është përkthyer nga gjuha origjinale në anglisht dhe është botuar nga një botues në Mbretërinë e Bashkuar nga 18 maji deri më 15 nëntor 2017. Shuma ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet autorit dhe përkthyesit, duke bërë që të vlerësohet arti i përkthimit po aq sa pasuria, thellësia dhe shumëllojshmëria e artit dhe historisë së jashtëzakonshme në vendet ku banka operon.

Juria ka përzgjedhur gjashtë romane që i konsideron të jashtëzakonshme.

Gjashtë romanet e shortlistës janë:

“All the World’s a Stage” shkruar në rusisht nga Boris Akunin (përkthyer nga Andrew Bromfield);

“Belladonna” shkruar në kroatisht nga Dasa Drndic (përkthyer nga Celia Hawkesworth);

“Kamarja e turpit” shkruar në shqip nga Ismail Kadare (përkthyer nga John Hodgson);

“Gruaja me flokë të kuq” shkruar në turqisht nga Orhan Pamuk (përkthyer nga Ekin Oklap);

“Istanbul Istanbul” shkruar në turqisht nga Burhan Sönmez (përkthyer nga Ümit Hussein);

“Maryam: Keeper of Stories” shkruar në arabisht nga Alawiya Sobh (përkthyer nga Nirvana Tanoukhi);

JURIA

Në juri bëjnë pjesë Peter Frankopan (Profesor i Historisë në Universitetin e Oksfordit), Gabriel Gbadamosi (poet, dramaturg, eseist), Lucy Hannah (shkrimtare, producente, themeluese e shkrimtarëve të Commonwealth-it) dhe Rosie Goldsmith kryetare e jurisë (gazetare e vlerësuar me çmime).

Goldsmith tha se “Ky çmim është ndryshe dhe i rëndësishëm. Ka të nominuar nga Armenia në Shqipëri, nga Balltiku në Ballkan dhe më gjerë. Ky çmim e ka zgjeruar botëkuptimin tim dhe përkufizimin tim për romanin. Kemi lexuar një roman të një feministeje turke, një tregim dashurie nga Bejruti, një kujtim nga Maroku, një komedi të zezë nga Shqipëria dhe një satirë shpërthyese ruse – dhe këta janë vetëm disa prej shkrimtarëve që po përmend, por standardi i rrëfimit dhe i përkthimit është i shkëlqyeshëm dhe fituesit tanë do t’ju bëjnë për vete”.

Më tej, Colm Lincoln, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i EBRD, komentoi se: “Ne shpresojmë që çmimi i letërsisë EBRD jo vetëm të nxjerrë në pah më të mirën e fiksionit të përkthyer, por, gjithashtu, të inkurajojë botuesit në botën anglishtfolëse për t’i dhënë më shumë rëndësi historive të shkëlqyera të shkruara në arabisht, turqisht, në pafundësinë e gjuhëve sllave dhe në ato të rajonit më gjerë. Shumë pak lexohet veprat e përkthyera në gjuhën angleze”.

ÇMIMI

Çmimi i parë prej 20,000 euro do të ndahet në mënyrë të barabartë midis autorit fitues dhe përkthyesit. Ndërsa të tjerët do marrin 1,000 € secili. Tre librat finalistë do të shpallen në fillim të marsit 2018.

Fituesi do të shpallet në Londër në një ceremoni në selinë qendrore të BERZH-it në “One Exchange Square”, Londër, më 10 prill 2018, çka përkon me Panairin e Librit në Londër.

Një eveniment i veçantë do të mbahet gjithashtu në Panairin e Librit të Londrës më 11 prill 2018, që këtë vit ofron edhe libra nga vendet baltike, një nga rajonet ku operon BERZH-i.

Çmimi i letërsisë i EBRD është një projekt i Bankës. Programi Kulturor i Bankës promovon filmin, muzikën dhe letërsinë nga rajonet në tranzicion. BERZH u krijua në 1991 pas rënies së Murit të Berlinit për të përmbushur sfidën e një momenti të jashtëzakonshëm në historinë e Evropës: kolapsi i komunizmit. Është një bankë shumëpalëshe me pothuajse 70 aksionerë që promovon zhvillimin e sektorit privat dhe iniciativave sipërmarrëse në 37 ekonomi në tri kontinente/GSH

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco