Lalo i dashur, çlodhu tani, bëj atje lart muzikën tënde të madhe me engjëjt që po presin

Lalo i dashur, çlodhu tani, bëj atje lart muzikën tënde të madhe me engjëjt që po presin

08:56, 21/11/2017
A+ Aa A-

Fjala e Lamtumirës për Aleksandër Lalon.


Miq, shokë, të afërm,
Jemi sot këtu për t'u ndarë me një nga shpirtrat më të dashur të muzikës shqiptare, me Aleksandër Lalon. Jemi mbledhur t'i japim lamtumirën një njeriu që ishte dhe është një vlerë e madhe dhe e pazëvendësueshme kombëtare. Jemi ende të pandërgjegjshëm aq sa duhet se çfarë pasurie kolosale po humbasim sot teksa po përcjellim njërin prej kompozitorëve më të shquar e më të dashur për miliona shqiptarë që kanë në veshët e tyre sot meloditë e tua të pavdekshme.

I dashur Sandër, vëllai dhe miku ynë i shtrenjtë,
Unë e di mirë më mirë se kushdo, që ti njeriu më rrebel dhe antikonformist, që kam njohur në këtë jetë, do të doje sot, që ne t'i shmangnin fjalët e mëdha. Por kjo është tej fuqive tona, të paktën sot. Na lerë të të themi se ne të gjithë e besojmë me gjithë shpirt se ti ishe dhe je një artist i madh, i jashtëzakonshëm në gjithçka që bëre dhe le pas në jetën tënde. Na lerë të paktën vetëm sot të ta themi, se sapo kemi humbur një nga shpirtrat më të trazuar dhe më fëminorë që mund t'i vijnë botës tonë artistike, një nga melodistët më të famshëm e më të papërsëritshëm të muzikës shqiptare. Na lerë të të themi se me muzikën tënde ti i ke dhenë jetës sonë një dritë që nuk do të vdes kurrë dhe se me të e ke zbukuruar jetën tonë.

Na lerë të të themi se ishe një njeri i jashtëzakonshëm me dashurinë tënde të pakufi për shokët e tu dhe miqtë e tu. Të të themi se ishe një lajm i gëzuar me çdo këngë tënden, me çdo intervistë tënden, me çdo grindje tënden të bekuar me të gjitha pushtetet, me çdo kafe tënden ku çdo bisedë e ktheje në një festë dhe ngjarje që tregohej si një lajm i ri, me dashurinë tënde të papërsëritshme për Margën, për Endrin dhe Marinin, fëmijët e tu, me trishtimet, gëzimet dhe zhgënjimet e tua që ishin edhe ato një muzikë tjetër që nuk u shkrua dot në pentagram, po që është inçizuar ne veshët dhe shpirtrat tanë.
Sandër i dashur, që nga sot, pianoja jote e stërdjegur nga mijëra cigare gjysmë të fikura mbi tastat e bardha nuk do të kumbojë më për të nxjerrë mrekulli si muzika jote. Ky do të jetë "Dimri i fundit" që do të pllakos mbi të. Por njëkohësisht sapo kanë filluar të bëhen më të shtrenjta e më të pavdekshme ato miliona nota që enden nëpër qiejt e Shqipërisë, që ti e deshe aq shumë dhe që tërë jetën i dhe më të bukurën që dite të nxjerrësh prej asaj zemrës tënde të artë.

Lalo i dashur, e di që si kishe qejf fjalimet e gjata dhe unë do ta mbyll këtu. Por më lerë të të them për të fundit herë se sa shumë të kemi dashur e mbase bëmë gabim që nuk ta thamë aq herë sa duhet deri dje.

Të kemi dashur shumë shoku ynë, vëllai ynë, maestroja ynë i papërsëritshëm! Shumë!
Akoma më shumë do të të duam nga sot e tutje me mungesën tënde që do të shkëlqejë përmes mallit tonë të pafund.
Shko dhe çlodhu tani! Bëj atje lart muzikën tënde të madhe e të rrallë bashkë me engjëjt që po presin një engjëll tingujsh!
Jemi krenar që bëmë bashkë me ty një copë rruge në këtë jetë! Faleminderit Sandër i dashur që ishe në jetën tonë. Nuk po të themi lamtumirë, sepse për njerëz të tillë si ty, nuk ka kurrë lamtumirë.
Tani shko dhe çlodhu vëllai ynë!
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco