Akuzat për Festivalin e RTSH, Krasta: Do t'u kthejmë përgjigje në festival, do t’i bëjmë t’u shkojnë djersët

Akuzat për Festivalin e RTSH, Krasta: Do t'u kthejmë përgjigje në festival, do t’i bëjmë t’u shkojnë djersët

11:58, 18/11/2017
A+ Aa A-

"Ne të tre s’do të ishim këtu nëse nuk do të kishim një festival që jep garanci. Sa për deklaratat e ndryshme, ne nuk i marrim në konsideratë dhe nuk u kthejmë përgjigje. Do u kthejmë përgjigje në festival dhe do t’i bëjmë t’u shkojnë djersët. Siç thuhet, ata që vijnë na nderojnë, ata që nuk vijnë, na bëjnë nder”. Kështu u shpreh Adi Krasta dje, i pyetur nga “Gazeta Shqiptare” mbi deklaratat e këngëtarëve mbi Festivalin e RTSH-së.

I ulur përkrah regjisorit Pali Kuke e drejtuesit muzikor Sokol Marsi, treshja prezantoi në një konferencë për mediat në pika të përgjithshme Festivalin e 56-të që do të ketë 22 këngëtarë, nga 11 në dy net. I pyetur për deklaratën e Kastro Zisos, Sokol Marsi shtoi se nuk ka asgjë të vërtetë në çfarë thuhet.

Në komision kanë qenë pesë anëtarë që kanë votuar sipas mendimit të tyre. Për detaje të tjera ju mund t’i drejtoheni zyrës juridike, shtoi ai. Marsi, e vuri theksin te fakti që të gjithë janë aty që të garantojnë një festival të ndershëm dhe të bukur. Sokol Marsi tha se ka qenë skeptik kur iu dha detyra, por, kur mësoi se do punonte me Pali Kuken e Adi Krastën, që i cilësoi njerëzit më të rëndësishëm në median shqiptare, tha se mori siguri. “Jam i lumtur që shoh Manjola Nallbanin, Elton Dedën, Orgesa Zaimin, Mariza Ikonomin. Jam i lumtur që ka këngëtarë ‘big’ dhe emra të rinj. Mendoj se do bëjmë festivalin tonë”, -tha ai. Marsi shtoi njëherësh se Këshilli i RTSH ka miratuar një rregullore që do të nënshkruhet nga të gjithë dhe se këngët do dalin në youtube dhe në mediat sociale si dhe do bëhet një version video për emisionet e RTSH në mënyrë që publiku të njihet me këngët para nisjes së festivalit.

Mbijetesa më 1972 e 1997
Regjisori Pali Kuke premtoi surpriza duke e vënë theksin te Adi Krasta, si garancia e suksesit të festivalit. “Festivali është institucion që ka grafikën e vet me ulje e ngritje. Është fat që e duan të gjithë dhe reziston. Duroi gjithë atë ndërkryerje dhe nuk u tremb më 1972. Duroi edhe vitin 1997 madje guxoi të mos ndërpritej. Sivjet do ngrihet më lart se ka shumë interes. Duke mbrojtur vlerat e Festivalit do bëjmë një show të madh”,-tha Kuke. Duke vlerësuar cilësinë e këngëve pjesëmarrëse ai tha se ka më shumë se 5 këngë që do mbeten nga ky festival. I pyetur se ç’risi ka sivjet ai citoi një emër të madh. “Patën pyet Tish Dainë- ça të reje ka- ai tha janë: jana fana kangt e reja more”.

Krasta ‘show’
Edhe në bisedat para konferencës Adi Krasta vinte në dukje të shijuarit e festivalit më shumë se çdo gjë tjetër. “Ne qeshëm me njëri-tjetrin kur vendosëm ta bënim. Të shkonim kundër rrymës së viteve. Pali tha “ringritje” është term. Ne nuk bëjmë dot “Sanremo”, por duam që çdo sekondë ta ndjejmë ndryshe jo vetëm nga kolegët që e kanë bërë ndryshe. Për mua mund të jetë festivali i fundit. Kemi vendosur të kënaqemi. Festivali është sober. Jo me gjëra të tepruara. Se çdo gjej për të folur Zoti e di”,-tha ai mes shakasë dhe seriozitetit. Kam qenë i entuziazmuar me skenën, shtoi, duke treguar imazhin pas shpinës së tij. “Largohemi nga skena pllakateske dhe futemi në skenë të mbuluar. Prezantuesi është i varfër kur nuk ka kontakt me artistët” – tha Krasta. Pati një thirrje për këngëtarët: “Ejani në këtë festival sikur po shkoni në Ariston si nga veshja dhe nga paraqitja. Do ketë këngë të bukura. Ne nuk jemi fare të shqetësuar kush fiton çmimin e parë. Është me interes zero. S’më kuriozon fare kush shkon në “Eurovizion”. Ne nuk do merremi me kush u kualifikua e kush jo. Ne si organizatorë kemi marrë vendim të kënaqemi shumë.”

Postfestival
Këtë vit diskutimet do të bëhen në një postfestival. Krasta tha se do të bëhet një postfestival në skenë në tri net ku prania e artistëve është e detyrueshme. “Jemi ndjerë të futur në rrjedhë thashethemnajash e në një vorbull fjalësh. Do jemi aty në postfestival për këngët e do të flasim për tema të mëdha. Biseda do prekë tema të forta që nga rënia e sensit të humanizmit në këtë vend e deri te biseda për ata që e duan këtë vend dhe rrinë këtu e më pas do përballemi me veten. Të kuptohemi, postfestivali është analitik, por jo prashitje në bahçe. Është e folur me analizë dhe me mendim të pjekur, do kemi vlerësimin e gjykimin tonë”,-tha Krasta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco