Koeman jep dorëheqjen për t’i qëndruar pranë bashkëshortes së sëmurë: Ka gjëra më të rëndësishme se futbolli

Koeman jep dorëheqjen për t’i qëndruar pranë bashkëshortes së sëmurë: Ka gjëra më të rëndësishme se futbolli

08:31, 01/07/2026

Përfundimi zhgënjyes i rrugëtimit të Holandës në Botërorin 2026 është shoqëruar me një vendim prekës nga trajneri Ronald Koeman. Tekniku 63-vjeçar ka njoftuar dorëheqjen nga drejtimi i përfaqësueses holandeze, duke shpjeguar se dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë bashkëshortes së tij, Bartina, e cila është diagnostikuar me kancer të gjirit.

Holanda u eliminua në fazën e 1/16-ave nga Maroku, pasi u mposht 3-2 me penallti. Ndeshja e zhvilluar në Monterrey përfundoi 1-1 pas kohës shtesë. Holandezët ishin shumë pranë kualifikimit falë golit të Cody Gakpo, por Issa Diop barazoi në minutat shtesë. Më pas, Justin Kluivert, Quinten Timber dhe Crysencio Summerville gabuan nga pika e bardhë, duke vulosur eliminimin e ekipit.

“Nata e kaluar mora vendimin për ta përfunduar detyrën time si trajner i kombëtares holandeze. Të gjithë ndanim ëndrrën për të bërë histori në këtë Botëror, por nuk ia dolëm. Askush nuk është më i zhgënjyer se unë. Si trajner, përgjegjësia përfundimtare është imja”, shkroi Koeman në një mesazh të publikuar në Instagram.

Megjithatë, arsyeja kryesore e largimit të tij lidhet me situatën familjare. “Vitet e fundit më kanë bërë të kuptoj edhe një herë se ka gjëra më të rëndësishme se futbolli. Futbolli ka qenë jeta ime, por shëndeti nuk ka çmim. Kur njeriu që do po zhvillon një betejë të vështirë, këndvështrimi yt ndryshon”, u shpreh ai.

Koeman, ish-lojtar dhe ish-trajner i Barcelonës, si edhe ish-teknik i Southamptonit dhe Evertonit, ishte në mandatin e tij të dytë në krye të Holandës.

Ndërkohë, Federata Holandeze e Futbollit dënoi ashpër fyerjet raciste të publikuara në rrjetet sociale ndaj futbollistëve pas eliminimit nga Botërori.

“Futbolli i bashkon njerëzit, pavarësisht origjinës apo prejardhjes. Kemi parë reagime në internet ku lojtarët janë bërë objekt i fyerjeve raciste dhe diskriminuese pas eliminimit të ekipit. Vendosim një vijë të kuqe ndaj kësaj sjelljeje. Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në futboll, as në internet dhe as në shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e federatës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco