E ardhmja e Alexander Nübel po kthehet në një çështje delikate për Bayern Munich.
Portieri gjerman, i cili aktualisht është i huazuar te Stuttgart, mund t’i kushtojë miliona klubit bavarez nëse palët vendosin të ndajnë rrugët përfundimisht.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, Nubel ka ende një kontratë të vlefshme me Bayernin deri në vitin 2030, nga e cila përfiton rreth 11 milionë euro në sezon.
Në total, detyrimet financiare të klubit ndaj portierit arrijnë në afro 44 milionë euro.
Për këtë arsye, drejtuesit bavarezë po shqyrtojnë mundësinë që t’i ofrojnë lojtarit një paketë kompensimi financiar për ta bindur të largohet në mënyrë përfundimtare pas rikthimit nga huazimi te Shtutgarti. Kjo shumë mund të shkojë deri në 25 milionë euro.
Ndërkohë, te Bayerni shpresojnë që interesimi për Nubel të vijë nga Premier League, ku klubet kanë potencial më të madh financiar dhe mund të përballojnë pagën e lartë të gardianit gjerman.
Nga ana tjetër, burime të afërta me Shtutgartin bëjnë me dije se qëndrimi i portierit në klub mbetet i vështirë, edhe në rast se Bayerni do të pranonte të mbulonte një pjesë të pagës së tij.
Situata e Alexander Nubel pritet të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos verore në Gjermani.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: