Iku nga Shqipëria për Zvicrën, Adrian Bajrami: Jam më krenar për prindërit e mi sesa për veten

Iku nga Shqipëria për Zvicrën, Adrian Bajrami: Jam më krenar për prindërit e mi sesa për veten

11:46, 05/11/2025

Mbrojtësi i Luzernit, Adrian Bajrami, tregon për ‘20 Minuten’ se si e përjetoi debutimin me kombëtaren e Zvicrës, mënyrën se si menaxhon paratë dhe ndikimin që pati koha te Benfica në formimin e tij.

Adrian Bajrami është bërë pjesë e Zvicrës që nga muaji tetor, kur debutoi kundër Sllovenisë. Para kësaj ndeshjeje, ai kishte zhvilluar tri takime miqësore me Shqipërinë. 21-vjeçari mori lëvdata menjëherë nga kapiteni Granit Xhaka, i cili e quajti “lojtari i së ardhmes”.

“Nuk pata shumë kohë për t’u bërë nervoz”, kujton Bajrami momentin e debutimit, teksa rrëfen se pas dëmtimit të Ricardo Rodriguez gjithçka ndodhi shumë shpejt. “Kur po prisja të futesha, mora frymë thellë dhe i thashë vetes: ‘Hyr brenda dhe bëj lojën tënde’.”

Formimi te Benfica: Më kaliti karakterin

Bajrami la Langenthal-in dhe akademinë e Young Boys në moshën 16-vjeçare për të provuar veten te Benfica në Lisbonë. “Aty duhej të bëhesha i pavarur që herët, të gjeja rrugën vetë dhe të rritesha. Kjo periudhë ma formoi shumë karakterin”, tregon ai.

Edhe pse nuk arriti të konsolidohej në ekipin e parë, ai pati mundësinë të stërvitej me ‘yje’ si Ángel Di María dhe Nicolás Otamendi, duke mësuar shumë nga ta dhe duke mësuar gjuhën portugeze në kohë rekord.

Kthimi në Zvicër dhe lidhja e fortë me familjen

Verën e kaluar, Bajrami u transferua te Luzerni, jo vetëm për projektin sportiv, por edhe për familjen. “Pas stërvitjes shkoj në shtëpi, te prindërit dhe vëllezërit e motrat, këtë nuk e kisha përjetuar për shtatë vite”, thotë ai.

“Jam jashtëzakonisht krenar për prindërit e mi, madje më shumë për ta sesa për veten”, thekson Bajrami. Ai rrëfen se me rrogën e parë u kishte ofruar prindërve t’i ndihmonte financiarisht, por ata nuk kanë pranuar kurrë.

Përballja me Kosovën dhe identiteti i dyfishtë

Pas ndeshjes me Suedinë, Zvicra do të luajë takimin e fundit të kualifikueseve të Botërorit në Prishtinë. Edhe pse familja e tij është nga Struga e Maqedonisë së Veriut, për Bajramin kjo ndeshje është e veçantë: “Ka lidhje emocionale. Është ndeshje speciale dhe të jep kënaqësi të veçantë.”

Bajrami mbetet i lidhur me të dy kombet: “E ndiej veten edhe shqiptar, edhe zviceran. Jam rritur me traditat, gjuhën dhe kulturën shqiptare, por jam lindur dhe rritur në Zvicër, kjo është shtëpia ime. Jam krenar ta përfaqësoj këtë vend.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco