Futbolli italian ka hyrë zyrtarisht në një epokë të re. Pas zgjedhjes së tij në krye të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) me 68.58 për qind të votave, Giovanni Malagò ka nisur punën për rindërtimin e futbollit italian pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Botëror për herë të tretë radhazi.
“Ndjenja e përgjegjësisë që ndiej është shumë e thellë dhe emocionuese. I vetëm nuk mund të bëj asgjë, por së bashku me ju mund të bëj gjithçka”, deklaroi Malagò në fjalimin e tij të parë pas zgjedhjes.
Një nga vendimet e para që pritet të marrë presidenti i ri është emërimi i drejtorit teknik të kombëtares, një rol që konsiderohet thelbësor për lidhjen mes federatës dhe trajnerit të ekipit kombëtar. Emri që kryeson listën e kandidatëve është ai i Paolo Maldinit, i cili ka përvojë në këtë detyrë pas punës së tij te Milani nga viti 2019 deri në vitin 2023.
Mes alternativave përmendet edhe Frederic Massara, i cili së fundmi u largua nga Roma pas mosmarrëveshjeve me trajnerin Gian Piero Gasperini.
Vetëm pasi të përcaktohet drejtori teknik, Malagò do të marrë një vendim për trajnerin e ri të kombëtares. Favoriti kryesor mbetet Roberto Mancini, i cili mund të rikthehet në stolin e Italisë tre vjet pas largimit të tij. Aktualisht, ekipi drejtohet përkohësisht nga Silvio Baldini, por federata duket e vendosur të ndërtojë një projekt afatgjatë.
Përveç çështjeve sportive, Malagò ka vendosur disa prioritete të rëndësishme. Ai synon bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë italiane për rikthimin e masave të ashtuquajtura “Decreto Crescita”, që parashikonin lehtësime fiskale për klubet që afronin sportistë profesionistë nga jashtë vendit.
Presidenti i ri i FIGC-së ka theksuar gjithashtu nevojën për investime më të mëdha te të rinjtë dhe infrastruktura sportive, me qëllim që futbolli italian të bëhet më konkurrues dhe më i aksesueshëm për brezat e ardhshëm.
Ndryshimet kanë nisur, por sipas shumë analistëve, rezultatet e para të epokës Malagò do të kërkojnë kohë për t’u bërë të dukshme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: