Drita ka shënuar fitore komode në shtëpi ndaj Dukagjinit, në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës. “Intelektualët” morën pikët e plota me rezultat 3-1, pavarësisht se skuadra nga Klina ishte e para që zhbllokoi rezultatin. Mesfushori Dienit Isufi shënoi një gol të bukur në minutën e 20-të, por vetëm tre minuta më vonë Drita barazoi me Liridon Balajn (23’). Pas kësaj, vendasit dominuan plotësisht. Arb Manaj përmbysi epërsinë kundër ish-klubit të tij (54’), ndërsa Salifu Ibrahim vulosi fitoren në minutën e 86-të. Me këtë triumf, Drita ngjitet në pozitën e pestë me 8 pikë, ndërsa Dukagjini zbret në vendin e tretë me 13.
Ballkani regjistroi fitore të qartë në udhëtim, duke mposhtur Prishtinën e Re me shifrat 0-3. Almir Kryeziu ishte protagonist absolut me dy gola dhe një asist. Fillimisht, ai shërbeu Arbër Potokun për golin e parë (34’), ndërsa në pjesën e dytë shënoi dy herë (54’, 65’). Kampioni në fuqi mbetet i pamposhtur pas shtatë xhirove, me 15 pikë në vendin e dytë. Prishtina e Re mbetet në fund me 6 pikë.
Malisheva arriti një rikthim të madh në Skenderaj, duke përmbysur Drenicën nga 3-1 në 3-4. Ferati, Brruti dhe një autogol i Dasilvës i dhanë fitoren mysafirëve, të cilët tani kanë 10 pikë, ndërsa Drenica mbetet me 11.
Llapi siguroi fitoren e parë këtë sezon, duke mposhtur Gjilanin 4-1 në Podujevë. Golat për vendasit i shënuan Axel Gnapi (2), Lulzim Peci dhe Arbnor Ramadani, ndërsa për mysafirët realizoi Aganspahiq. Llapi shkon në kuotën e 6 pikëve, kurse Gjilani mbetet me 7.
Prishtina regjistroi një fitore të thellë ndaj Ferizajt (0-5). Muja, Ilievski, Zeqiri, Baftiu dhe Ahmeti ishin autorët e golave për ekipin e Arsim Thaçit. Ndeshja u shoqërua me incidente mes tifozëve, pasi “Plisat” nuk u lejuan të hynin në stadium, duke shkaktuar përplasje me vendasit dhe ndërhyrjen e policisë. Megjithatë, në aspektin sportiv, Prishtina merr kryesimin me 16 pikë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: