Paris Saint-Germain merr një tjetër goditje të rëndë përpara përballjes së shumëpritur në Champions League ndaj Barcelonës. Kapiteni dhe lideri i mbrojtjes, Marquinhos, do të mungojë për disa javë për shkak të një dëmtimi në kuadricepsin e këmbës së majtë.
Braziliani nuk mori pjesë në stërvitjen e mëngjesit të së premtes dhe, sipas raportit mjekësor të klubit, është i detyruar të ndalet për t’u rikuperuar. Kjo do të thotë se ai nuk do të jetë as në sfidën e Ligue 1 kundër Auxerre, e sidomos jo në duelin jetik të mesjavës në “Camp Nou”, i shpallur si ndeshje me rrezik të lartë nga autoritetet spanjolle.
Mungesa e tij i shtohet listës së gjatë të futbollistëve të dëmtuar të PSG-së, ku ndodhen gjithashtu João Neves, Désiré Doué dhe Ousmane Dembélé, të cilët janë ende në fazë rikuperimi.
Marquinhos kishte dhënë shenja shqetësimi që në “Le Classique” ndaj Olympique Marseille dhe duket se dëmtimi është përkeqësuar, duke e detyruar Luis Enriquen të riorganizojë repartin mbrojtës.
Megjithatë, tekniku asturian nuk është pa alternativa. Ai ka në dispozicion Lucas Beraldo dhe Lucas Hernández, ndërkohë që mund të ndryshojë edhe skemën, duke kaluar nga një mbrojtje me tre qendërmbrojtës në një me dy.
Situata nuk është ideale, por organika e pasur i jep PSG-së fleksibilitet për të përballuar sfidat vendimtare që e presin si në kampionat, ashtu edhe në arenën europiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: