Përpjekja e fundit, ndonëse e pasuksesshme, u bë nga drejtuesit e Liverpool-it për të mbajtur Trent Alexander-Arnold në "Anfield", por gjithçka ishte e kotë. Mbrojtësi i djathtë anglez, i lindur në vitin 1998, sipas asaj që raporton Marca, ka thënë "po"-në e famshme për Real Madridin dhe është gati të veshë fanellën e bardhë.
I tërhequr nga sharmi i Real Madridit dhe dëshira për një përvojë të re, akoma më mirë nëse është pranë shokut të tij të Kombëtares, Jude Bellingham. Gjithçka ka nisur nga qasja e ngadaltë e klubit anglez për rinovimin e kontratës së Alexander-Arnold, e cila skadon në fund të sezonit.
Pikërisht në atë moment, ai do t’i thotë lamtumirë klubit që e ka formuar dhe rritur në akademinë e vet. Sipas gazetës spanjolle, lojtari tashmë i ka komunikuar Liverpool-it vendimin për të lënë Anglinë dhe për të fluturuar drejt Spanjës për të veshur fanellën e Real Madridit.
Tani mbetet të kuptohet nëse transferimi do të ndodhë menjëherë, gjatë merkatos së janarit, apo në verën e ardhshme. Sipas Marca-s, klubi i Florentino Perez-it do të qëndrojë në pritje: nëse do të ketë një thirrje, negociatat për një blerje të menjëhershme mund të hapen në çdo moment. Megjithatë, gjithçka lë të kuptohet se "Reds" nuk janë të gatshëm ta lënë të lirë 26-vjeçarin nga Liverpool-i kaq herët, duke pasur parasysh kampionatin në vazhdim dhe trofetë që janë ende në lojë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: