Pasi humbi titullin për konstruktorë në garën e fundit, Ferrari po shikon drejt vitit 2025 të Formula 1 me ambicie të rinovuara, edhe për sa i përket garës për titullin e pilotëve.
Mbërritja e Lewis Hamilton krah Charles Leclerc-it kompleton një skuadër ëndrrash, megjithëse të kesh dy pilotë të nivelit të lartë në të njëjtën skuadër mund të krijojë ndonjë problem menaxhimi. Jo, sipas Frederic Vasseur-it.
"Nuk jam aspak i shqetësuar për Charles dhe Lewis. Të dy janë në një nivel shumë të lartë, janë të shpejtë, kanë përvojë dhe respekt të madh reciprok. Përballja mes tyre do të përmirësojë performancën, nuk duhet ta shmangim," tha drejtuesi i ekipit të Maranellos për Sportmediaset.
E rëndësishme tani është që Ferrari të kthehet te fitoret, jo vetëm në gara individuale. "Fitimi i një titulli është shumë ndryshe nga aftësia për ta bërë këtë; kur e fiton, gjithçka ndryshon. Hamilton vjen me këtë lloj kërkese për veten e tij, por edhe për ekipin dhe kjo është një gjë e mirë. Për ne është e rëndësishme të kemi këtë shtytje nga pilotët. Ai vjen me një vizion tjetër dhe jam i bindur se përvoja e Lewis-it do të jetë e dobishme," shtoi ai.
Shumë pritshmëri janë vendosur te Leclerc, i cili pritet të bëjë një hap tjetër përpara: "Charles është ende i ri dhe këtë sezon ka bërë një hap përpara pë rsa i përket maturisë dhe menaxhimit të garave. Një përmirësim i madh krahasuar me vitin e kaluar, veçanërisht në menaxhimin e vështirësive gjatë sezonit.
Sepse një kampionat kaq i gjatë nuk është gjithmonë Monza apo Monako. Ka momente të mira, por edhe të vështira, dhe duhet të dish si t’i përballosh pjesët e vështira të sezonit dhe të reagosh. Mendoj se ai ka bërë përparime të shkëlqyera në këtë aspekt."
Kur do të shohim makinën e re? "Më 19 shkurt," njoftoi Vasseur. Pastaj bëri një premtim: "Mentaliteti është aty, njerëzit gjithashtu. Jam i sigurt se vitin e ardhshëm do të bëjmë një sezon më të mirë se ky."
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: