Rafael van der Vaart, ish-mesfushor ofensiv holandez, që ndau dhomën e zhveshjes me Cristiano Ronaldon gjatë sezonit të tij debutues te Reali i Madridit (2009/10), e përshkroi etikën e punës së portugezit si një hap përpara kohës.
Në një intervistë për podcast-in “The LineUp” të radios Talksport, ish-lojtari holandez tregoi edhe një batutë të pazakontë për periudhën e shkurtër që kaloi me Ronaldon, i cili aktualisht luan për Al Nassr.
Van der Vaart vuri në dukje se Ronaldo ishte gjithmonë i përkushtuar dhe profesional.
“Ai kurrë nuk dilte nga shtëpia! Gjithmonë them me shaka: Ronaldo është lojtari i vetëm që nuk e kam parë kurrë lakuriq në dhomën e zhveshjes. Ai gjithmonë ishte i pari që mbërrinte në stërvitje dhe i fundit që largohej,” tha ai me humor.
Van der Vaart shtoi se trupi i Ronaldos ishte si një makineri dhe mënyra e tij e punës, përfshirë kujdesin për ushqimin, gjumin dhe ushtrimet shtesë, ishin përtej normave të zakonshme të asaj kohe. Ai gjithashtu komentoi mbi natyrën e tij egoiste për shënimin e golave, duke e krahasuar me Ruud van Nistelrooy-n.
“Nëse fitonim 6-0 dhe ai nuk shënonte, nuk ishte i lumtur. Nëse humbnim, por ai shënonte dy gola, ishte mirë me kaq. Nuk ishte se luante vetëm për vete, por ai kishte një nevojë të madhe për të shënuar,” përfundoi Van der Vaart.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: