Pep Guardiola deklaroi se Manchester City duhej të ndalte ecurinë negative me disa humbje radhazi në ndeshjen ndaj Nottinghamit, të cilin e mposhti 3-0 të mërkurën në mbrëmje.
Megjithatë, fitorja kishte një kosto, pasi mbrojtësit Nathan Aké dhe Manuel Akanji u zëvendësuan për shkak të dëmtimeve.
"Na duhej kjo fitore. Klubi dhe lojtarët kishin nevojë për të fituar, por është vetëm një ndeshje. Problemet vazhdojnë me Manu dhe Nathan.
Në përgjithësi, më e rëndësishmja ishte të thyenim këtë rutinë negative dhe më në fund fituam, por duhet të vazhdojmë."
Dëmtimet kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e City-t, me fituesin e Topit të Artë, Rodri, që ka humbur sezonin për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju.
Rikthimi i Kevin De Bruyne në formacionin titullar për herë të parë pas gati tre muajsh tregoi çfarë i kishte munguar City-t.
Belgu asistoi Bernardo Silvën për një gol të hershëm dhe më pas shënoi vetë për të dyfishuar epërsinë e City-t.
Guardiola hodhi poshtë zërat para ndeshjes se kishte një përçarje me De Bruyne, pasi lojtari është menaxhuar me kujdes pas problemeve me dëmtimet.
"Sezonin e kaluar ishte shumë muaj (i dëmtuar) dhe këtë sezon gjithashtu. Jam shumë i lumtur që është rikthyer," shtoi Guardiola.
"Ai luftoi shumë. Sa i përket fizikut të tij dhe minutave kundër Feyenoordit, nuk ishin të mira dhe prandaj vendosa që të mos luajë titullar në Anfield (kundër Liverpoolit) për shkak të ritmit të lartë të kundërshtarit.
Por minutat që luajti në Anfield ishin shumë të mira dhe sot luajti 75 minuta fantastike."
As Akanji dhe as Aké nuk pritet të jenë gati për ndeshjen kundër Crystal Palace të shtunën, por Phil Foden mund të rikthehet, pasi mungoi ndaj Forest për shkak të bronkitit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: