Legjionarët kuqezi vijojnë të paraqiten mirë me klubet e tyre, teksa edhe java që lamë pas ishte shumë pozitive. Shumica e lojtarëve u aktivizuan titullarë, ndërsa disa prej tyre gjetën rrugën e rrjetës dhe asistuan.
Mirlind Daku shënoi golin e radhës në kampionat në sfidën ndaj CSKA Moscow. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi takimin në minutën e 43-të për skuadrën e Rubin Kazan, duke shënuar golin e tij të nëntë në kampionat.
Myrto Uzuni ishte sërish protagonist për skuadrën e Granadës. Sulmuesi kuqezi realizoi një tjetër gol të bukur në takimin ndaj Almerias, duke shkuar në kuotën e nëntë golave në La Liga 2.
Jasir Asani gjeti sërish rrugën e rrjetës në Champions-in e Azisë. Sulmuesi kuqezi i aktivizuar në minutën e 57-të, u bë menjëherë protagonist duke shënuar golin që i dha fitoren skuadrës së Gwangju. Asani kryeson renditjen e golashënuesve në Champions-in e Azisë me 7 gola.
Anis Mehmeti po kalon një formë shumë të mirë me skuadrën e Bristol City. Në ndeshjen ndaj Plymouth, sulmuesi kuqezi realizoi dy gola dhe dha një asist në fitoren 4-0. Mehmeti u shpall lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 9.8 nga sajti i specializuar për statistika ‘sofascore’.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: