Vendos goli i Kekos, Partizani mposht Laçin dhe i rimerr kreun Vllaznisë

Vendos goli i Kekos, Partizani mposht Laçin dhe i rimerr kreun Vllaznisë

18:58, 24/11/2024

Partizani merr tri pikë përballë Laçit në ‘Arenën e Demave’ dhe rimerr vendin e parë në renditjen me dy pikë më shumë se Vllaznia (27/25).

Të kuqtë vuajtën jo pak ndaj kurbinasve, që luajën me shpirt dhe të organizuar, por në fund iu gëzuan fitores falë golit të Kekos në pjesën e dytë.

Ende pa nisur loja, futbollistët e të dyja skuadrave bënë homazhe me lule në duar në fotografinë e djaloshit të ndjerë Martin Cani, i ndarë nga jeta vetëm pak ditë më parë për shkak të një sherri bana me një bashkëmoshatar të tij. 14-vjeçari ka qenë pjesë e akademisë së kuqe.

Sa i përket kronikës së ndeshjes, Laçi e nisi furishëm duke e gjetur golin që në minutën e dytë, por një pozicion jashtë loje i Prodanit për çështje centimetrash, bëri që goli të anulohej për pozicion jashtë loje nga sistemi VAR.

Laçi u shfaq agresiv në pjesën e parë, por rezultati, me gjithë rastet e krijuara në të dyja portat mbeti i pandryshuar.

Partizani e nis me gol pjesën e dytë, por Keko, që shtyu topin drejt rrjetës ishte në pozicion jashtë loje.

Vetëm pak çaste më vonë, Mba goditi traversën me kokë në zhvillimet e një këndoreje.

Gjithsesi goli nuk do të vononte shumë: pas një harkimi në zonë nga e majta, Zeka me kokë godet shtyllën e pastaj topi shkon te Keko, i cili, me një diagonale, gjen rrjetën.

Partizani iu afrua disa herë golit të dytë gjatë minutave në vazhdim, por bëri mrekullinë portieri i Laçit.

Pas kësaj disfate, Laçi mbetet në vendin e parafundit me 12 pikë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco