Pacolli interesohet të investojë në 'FC Prishtina'

Pacolli interesohet të investojë në 'FC Prishtina'

19:13, 12/07/2022

Derisa FC Prishtina sot e ka kryer një kuvend dhe kuvendin tjetër e ka vendosur ta mbajë pas një muaji me qëlim të një riorganizimi madhor tani ka zhvillime interesante rreth këtij procesi në të cilin ka hyrë klubi më me nam në futbollin e Kosovës.

Remzi Ejupi, aksionari i madh i FC Prishtinës më herët konfirmoi se ka të interesuar, ka njerëz dhe biznesmen të njohur e biznese të mëdha që janë të interesuar të blejnë aksione në FC Prishtina nqë mënyrë që të rriten investimet në klub dhe klubi 100 vjeç të ecë përpara.

Ndërsa, ndër njerëzit më të interesuar për të investuar në FC Prishtina është njëri ndër shqiptarët më të pasur, Behgjet Pacolli, i cili kaherë ka marrëdhënie shumë të afërta dhe miqësore me Remzi Ejupin.

Mundësinë e inkuadrimit të Pacollit në FC Prishtina e ka konfirmuar edhe bashkëpunëtori shumë i afërt i Pacollit, Jetlir Zyberaj.

“Nëse ka një projekt të qartë zhvillimor pse jo. Zoti Pacolli ka raporte te mira me të gjithë e veçanërisht me rininë dhe qytetarët, andaj investimi në futboll është i mundur. Për momentin çka mund të them është se vullneti i zotit Pacolli ekziston dhe Kosova mund të shndërrohet në një platforme të fuqishme futbollistike në rajon, dhe si akademi që furnizon Evropën me futbollistë cilësorë. Ky është në fakt edhe motivi kryesor që vendit do t’i sillte ndër të tjera edhe zhvillim ekonomik, ngase e dimë që futbolli prodhon përveç kënaqësisë edhe të hyra për ekonominë e vendit”, u shpreh Zyberaj për Express.

Tutje, ai theksoi se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në sport, ku Pacolli ka qenë i përkushtuar të investojë.

“Presidenti Pacolli gjithmonë ka qenë i përkushtuar që të investojë në sport, ngase nëpërmjet sportit, ku Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm, varet edhe progresi ekonomik dhe shoqëror i vendit”, deklaroi Zyberaj.

Pacolli edhe në të kaluarën nëpër qarqet e futbollit është përmendur si një njeri që mund të kontribuojë në futboll. Madje ka pasë nga ata që e kanë përmendur edhe si një kandidat të mundshëm për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës në të kaluarën.

Po ashtu, ka pasë zëra që e kanë ndërlidhur mundësinë e investimit të tij në ndonjë klub futbolli, duke e marrë parasysh pasurinë e madhe të tij dhe nevojën e futbollit të Kosovës për investime, pasi që dihet që ndër vite klubet e futbollit përballen me kriza financiare.

Edhe pse Pacolli më shumë njihet si biznesmen dhe politikan, e kaluara e tij kohë pas kohe është ndërlidhur edhe me sportin.

Me investimet e tij, para disa vjetëve kur basketbolli i Kosovës kishte prekur kulmin, firma e Pacollit, Mabetex e kishte sponzoruar klubin e Mabetexit, i cili në atë kohë bënte investime marramendëse.

Ndërkohë si president i Kosovës, vite më parë kishte dekoruar legjendën e futbollit gjerman dhe botëror, Franc Beckenbauerin me çmimin “Ambasador Nderi i Kosovës”.

Madje, vizita e Beckenbauerit ishte mundësuar pikërisht nga Pacolli, në një kohë kur futbolli i Kosovës nuk ishte anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s dhe e izoluar nga katër anët.

Mirëpo, Pacolli u përmend për mbështetje edhe në disa sporte tjera individuale. Ai ka përkrahur herë pas here sportistë të ndryshëm për t’i ndjekur ëndrrat e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco