Ekipi i xhudos nis në Zagreb rrugëtimin për “Parisi 2024”

Ekipi i xhudos nis në Zagreb rrugëtimin për “Parisi 2024”

21:51, 23/09/2021

Prej së premtes e deri të dielën në Zagreb të Kroacisë mbahet turneu Grand Prix i xhudos. Është kjo gara e parë e turit botëror të xhudos pas lojërave olimpike “Tokio 2020”. Zyrtarisht për xhudistët nis cikli i ri olimpik. Natyrisht edhe për xhudistët kosovarë.

Derisa adutët kryesorë të Kosovës nuk do të paraqiten në Zagreb, në kryeqendrën kroate suksesin e kërkojnë xhudistët që e synojnë normën olimpike për “Parisi 2024”. Trajneri Driton Kuka për garën në Zagreb ka përzgjedhur Flaka Loxhën, Laura Fazliun e Shpati Zekajn.

Pjesë e turit botëror të xhudos janë turnetë Grand Prix e Grand Slam, pastaj turnetë Masters, si dhe kampionatet e mëdha. Pra, garat kryesore të xhudos, sport në të cilin Kosova ka sukseset kulmore.

 

Në “Tokio 2020” Kosova fitoi medalje të arta olimpike me Distria Krasniqin e Nora Gjakovën. I shtati në Tokio në muajin korrik ishte Akil Gjakova, ndërsa Majlinda Kelmendi e Loriana Kuka u ndalën në luftërat e para. Majlinda, kampione olimpike nga “Rio 2016”, i ka dhënë fund karrierës si xhudiste dhe tashmë ka nisur punën si trajnere.

Nora, Distria, Akili, Loriana vazhdojnë punën në Pejë nën drejtimin e trajnerit Driton Kuka, derisa Flaka, Laura e Shpati do të garojnë në Zagreb. Me xhudistët në kryeqendrën kroate ka udhëtuar trajneri Fatos Tabaku.

“Për Grand Prix është një ekip i ri që po e fillon sfidën olimpike. Përveç Laurës, që ka një përvojë, Flaka e Shpati ende janë në kërkim të përvojës për nivele të tilla. Çdo fitore e arritur është sukses”, ka thënë trajneri Driton Kuka të enjten për KOHËN.

Të enjten është tërhequr shorti, ndërsa të premten garon Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë. Të shtunën garon Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa Zekaj të dielën në kategorinë deri 100 kilogramë.

Gjithsej në Zagreb paraqiten 243 xhudistë nga 35 shtete. Në fakt, top-xhudistët botërorë nuk paraqiten në garat e para pas Olimpiadës. Kështu që gara në Zagreb shihet rast për xhudistët e rinj që synojnë shpërthimin te të rriturit.

“Pas Tokios kam pasur hapësirë për të punuar më shumë me xhudistët e gjeneratës më të re. Natyrisht që i presim frytet e kësaj pune, herët ose vonë. Një kohë, derisa të fillojë gara për normë olimpike, jemi në fazë të evidentimit të ekipit që do të ecë drejt ‘Parisi 2024’. Pritjet prej këtyre që janë në Zagreb natyrisht se ekzistojnë”, ka theksuar Kuka.

Flaka Loxha është bartëse e dytë në kategorinë e saj, pas sllovenes Kaja Kajzer. Laura Fazliu është bartëse e tretë, ndërsa Shpati Zekaj nuk është në mesin e bartësve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco