Humbi “Këpucën e Artë” ndeshjen e fundit, Eze: Urime Bregut, por Kukësi nuk më respektoi

Humbi “Këpucën e Artë” ndeshjen e fundit, Eze: Urime Bregut, por Kukësi nuk më respektoi

20:20, 28/05/2021

Patrik Eze ishte në krye të listës së golashënuesve të kampionatit deri në javën përmbyllëse, por në fund, ishte Dejvi Bregu me tripletën ndaj Apolonisë që fitoi “Këpucën e Artë”. Për nigerianin e Kukësit, ishte e pandershme nga ana e klubit që e la jashtë sfidës me Kastriotin pa ndonjë arsye bindëse, por gjithsesi uron kolegun e tij te Teuta për këtë titull.

 

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, përpara se të largohet nga Shqipëria dhe të shkojë te skuadra e tij e re në Katar, 28-vjeçari rrëfen shumë gjëra. Mundohet të shmangë polemikat, ku ndonëse priste më shumë respekt nga Kukësi, në fund u uron suksese dhe e cilëson si një eksperiencë të bukur. Sipas tij, mbrojtësit që i kanë hapur më shumë punë kanë qenë ata të Partizanit, pasi nuk u shënoi dot, ndërsa uron edhe Teutën që në fund u shpall kampione me meritë.

 

Patrik, pse nuk ishit i grumbulluar në ndeshjen me Kastriotin?

 

Të them të drejtën, klubi nuk më dha ndonjë arsye konkrete pse nuk do të luaja. Ishte diçka që ata e vendosën  vetë dhe kështu nuk mund të bëja asgjë, por thjesht të pranoja vendimin.

 

Bëtë një reagim në rrjetet sociale, ku edhe shpërthyet për këtë mosgrumbullim…

 

Reagimi im ishte normal, sepse u ndjeva i zhgënjyer nga klubi. Unë kam qenë korrekt me të gjithë dhe që kur mbërrita këtu nuk kam pasur kurrë ndonjë problem me askënd. Për këtë arsye, mendoj se meritoj të trajtohem me njëfarë respekti, kaq.

 

Mendoni se ju bë padrejtësi?

 

Besoj se nuk është nevoja ta them unë këtë. Absolutisht, çdo adhurues i futbollit e kupton që kjo nuk është fare e ndershme.

 

Humbët mundësinë të shpalleshit golashënues. Sa i mërzitur jeni?

 

U mërzita pas rezultatit përfundimtar, por Bibla më mëson të mos shkoj në shtrat me zemërim në zemrën time. Unë besoj se Zoti do t’i shpërblejë përpjekjet e mia në të ardhmen, në një mënyrë apo tjetër. Lutem vetëm për ditë më të mira.

 

Mendoni se po të ishit në fushë, mund të shënonit dhe të dilnit golashënues?

 

Nuk ka asnjë garanci që do të kisha shënuar nëse do të isha në fushë, por gjithçka mund të kishte ndodhur. Por, të privohesh nga të qenit në fushë është e vështirë të pranosh. Unë dua të luaj futboll, ky është pasioni im. Gjithmonë dua të luaj dhe të fitoj.

 

Ju ka mbetur peng kjo gjë?

 

Në tërësi falënderoj Zotin që më mbrojti nga dëmtimet deri në fund të sezonit dhe gjithashtu i jam mirënjohës Kukësit për kthimin e karrierës sime, kur mendova se gjithçka kishte mbaruar për mua. Nuk kam asnjë peng, aspak, por mësova shumë me këtë situatë.

 

Ndërkohë, Bregu i Teutës doli golashënues dhe shënoi tre gola. Si e komentoni?

 

Urime për të. Ai është një lojtar i mirë dhe jam i lumtur për të. Kur do të udhëtoni drejt Katarit me skuadrën e re? Tani thjesht do të shkoj te familja ime dhe do të kaloj disa kohë me ta, më pas do të shkoj te skuadra e re dhe do të bëj publik edhe klubin.

 

Me çfarë përshtypjesh largoheni nga Kukësi?

 

Asnjë përshtypje, i jam mirënjohës klubit. Pa marrë parasysh se çfarë ka ndodhur, u uroj atyre suksese në të ardhmen.

 

Si ka qenë kjo eksperiencë në kampionatin shqiptar për ju?

 

Ishte një përvojë e mirë futbollistike, mësova shumë, edhe pse kam luajtur në Ballkan më herët.

 

Cili ka qenë mbrojtësi që ju ka hapur më shumë punë?

 

Mbrojtësit e Partizanit, sepse kjo është skuadra e vetme ndaj së cilës unë nuk shënova dot, për fat të keq.

 

Mendoni se në fund Teuta e meritoi titullin kampion?

 

Ata nuk e fituan kampionatin në dhomat e tyre, të ulur në shtëpi. Ata luftuan në fushë, ku fituan, barazuan dhe humbën. Gjithashtu, patën disa ulje-ngritje gjatë sezonit. Kështu që, nëse janë kampionë sot, unë mendoj se e meritojnë, edhe pse ka ekipe të tjera që gjithashtu meritonin të fitonin kampionatin. Por, mund të jetë vetëm një kampion.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco