Një malë mangësish në aktakuzat e ngritura nga prokurorët për korrupsion

Një malë mangësish në aktakuzat e ngritura nga prokurorët për korrupsion

14:22, 19/02/2021

Drejtësia Sot, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike shpalosi të gjeturat e botimit “Mangësitë e aktakuzave në veprat penale
korruptive”.

Kjo konferencë u titullua “Arsyet prapa mungesës së efikasitetit të sistemit prokurorial në luftimin e veprave penale korruptive”. Ky hulumtim ka analizuar disa nga aktakuzat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK-së), dhe të prokurorive themelore në Kosovë.

Nga të dhënat e analizës, Drejtësia Sot, ka vërejtur që aktakuzat e PSRK-së dhe prokurorive themelore të Kosovës kanë mangësi posaqërisht në elementet e domosdoshme të tyre. Këto mangësi kryesisht kanë të bëjnë me mos përcaktimin e saktë të vlerës së dëmit (mungesës së ekspertizave financiare), pastaj mungesës së precizimit të palës së dëmtuar si dhe paqartësive në paraqitjen e saktë të veprimeve inkriminuese të të akuzuarëve.

Drejtësia Sot, në pjesën e parë të hulumtimit ka trajtuar bazën ligjore dhe elementet e hartimit të një aktakuze. Ndërsa në pjesën e dytë ka analizuar 5 aktakuza të PSRK-së (ndër të cilat edhe rastet TOKA 1 dhe 2, pastaj rastin Veteranët, rastin Pronto) dhe 7 aktakuza të prokurorive themelore në Kosovë.

Drejtësia Sot, ka gjetur se në aktakuza ka mangësi në:
1. Kualifikimin e saktë të veprës penale;
2. Përcaktimin e palës së dëmtuar dhe dëmit të shkaktuar;
3. Zhvillimin e ekspertizave financiare të cilat lidhen direkt me precizimin e dëmit të shkaktuar;
4. Përshkrimin e qartë të gjendjes faktike; dhe
5. Definimin e personit zyrtar.

Të tilla mangësi të vërejtura në aktakuza, sipas Drejtësia Sot, shkaktojnë paqartësi, huti juridike e në raste më të rënda (si p.sh në kualifikim të gabuar të veprës penale nga prokuroria) gjykatat përfundojnë gjykimin e rastit me Aktgjykim Lirues. Kurse në raste të mos përcaktimit të palës së dëmtuar, apo precizimit të dëmit, pamundësohet definimi i palës së dëmtuar si dhe vetë dëmit të shkaktuar e vlerës së tij.

Më tutje, analiza ka trajtuar rolin dhe detyrat e gjykatës në raport me kontrollimin e aktakuzave dhe ka ofruar një përshkrim të saktë të rrugëtimit e rregullimit ligjor sa i përket elementeve përbërëse për ndërtimin e aktakuzave në kuadër të Kodit të Procedurës Penale në Republikën e Kosovës. Në këtë aspekt janë portretizuar edhe ndryshimet në të cilat kanë kaluar dispozitat ligjore që përcaktojnë elementet përbërëse të aktakuzës si dhe ndryshimet që pritet të bëhen në kuadër të projekt- kodit të ri.

Dhe në fund, është bërë një vlerësim karahasimor i dallimeve dhe ngjashmërive të rregulllimit të përmbajtjes së aktakuzave sipas KPPRK-së në Kosovë dhe kodeve të procedurës penale në vede të tjera në rajon. Pra, në kuadër të kësaj analize janë paraqitur mangësitë e aktakuzave të rasteve të identifikuara nga monitorimet, me qëllim që të njëjtat mangësi të merren parasysh dhe që të shërbejnë si një praktikë për të evituar përpilimin e aktakuzave me mangësi të tilla.

Andaj Drejtësia Sot rekomandon Prokurorinë që me rastin e ngritjes së aktakuzave për vepra korruptive, të:
1. Përcaktohet saktë gjendja faktike, përkatësisht të bëhet kualifikimi i saktë ligjor i veprës penale duke
i’u referuar dispozitave të Kodit Penal;
2. Bëhet precizimi i dëmit në bazë të ekspertizave financiare;
3. Bëhet precizimi i palës së dëmtuar, në atë mënyrë që saktë të identifikohet kush është palë e
dëmtuar; dhe
4. Përcaktohen saktë veprimet inkriminuese të pandehurve, në atë mënyrë që dispozitivi i aktakuzës të
përmbajë në mënyrë të qartë dhe precize përshkrimin e gjendjes faktike.

Në fund Drejtësia Sot, rekomandon që Ministria e Drejtësisë gjatë draftimit të KPPRK-së në kuadër të elementeve përmbajtësore të aktakuzës të përfshij përsëri pikat 1.8 par 1 e nenit 241 të KPPRK-së aktuale, që kanë të bëjnë me hetuesinë e veçantë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco