Pandemisë ia shohin 'sherrin' edhe gazetarët

Pandemisë ia shohin 'sherrin' edhe gazetarët

11:34, 23/09/2020

Dhjetëra gazetarë/e mbetën pa punë nga fillimi i pandemisë në Kosovë. Dëmet në funksionimin ekonomik në medie të ndryshme shtynë drejtuesit ta largojnë nga puna një numër të madh punonjësish. Situatë e ngjashme mbizotëron edhe në vendet e rajonit.

Dhjetëra gazetarë/e mbetën pa punë nga fillimi i pandemisë në Kosovë. Dëmet në funksionimin ekonomik në medie të ndryshme shtynë drejtuesit ta largojnë nga puna një numër të madh punonjësish. Situatë e ngjashme mbizotëron edhe në vendet e rajonit. Madje, në Serbi raportohet për arrestim dhe denigrim të gazetarëve për mënyrën e raportimit në kohë pandemie dhe zhvillimeve politike atje. Por njohësit e të drejtës së medies vlerësojnë se gazetarët raportuan në mënyrë profesionale duke respektuar standardet etike, por thonë se qeveritë dështuan t’u ndihmojnë gazetarëve kur ata u përballën me krizën.

Raportuan çdo minutë! Ishin aty ku ishte lajmi, por shumë nga ta u varfëruan dhe mbetën të papunë. Rrezikuan veten dhe familjet e tyre në kërkim të lajmit të fundit duke ndihmuar dhe informuar publikun. Por, u përballën me diçka që më së paku pritën! Shumë gazetarë/e, punonjës teknikë përfunduan duke rritur numrin e të papunëve për të cilët raportuan jo rrallëherë! “Shtëpitë” për të cilat shërbyen nuk kursyen as gazetarët që në kohë pandemie pritej të sillnin në jetë fëmijë. Pavarësisht faktit që një veprim i tillë ndëshkohet rëndë me ligj.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medies, e cila i ka ndjekur zhvillimet në këtë periudhë, vë në pah raportimin e gazetarëve. Ajo thotë se është për çdo lëvdatë duke theksuar në veçanti angazhimin e gazetarëve të cilët, sipas vlerësimit të saj, nga marsi janë në vijë të “frontit” dhe kanë raportuar në mënyrë të shkëlqyeshme. Megjithatë, ajo thotë se pandemia ka shumëfishuar dhe ka vënë në pah problemet ekzistuese të gazetarëve duke filluar nga kriza financiare e deri te pasiguria në punë.

Kusari kritikon organet shtetërore që sipas saj, shteti dështoi t’i ndihmojë gazetarët kur ata ishin në “majën e ajsbergut”. Ajo akuzon qeverinë VV-LDK, edhe qeverinë LDK-AAK që kanë dështuar t’u ndihmojnë financiarisht medieve, në mënyrë që t’ua lehtësojnë punën.

“BRENDA NJË PERIUDHE TË SHKURTËR KOHORE, REKLAMAT JANË NDALUAR, GJË QË KA NDIKUAR QË MEDIET TË MOS JENË NË GJENDJE T’I PAGUAJNË GAZETARËT. NË DISA RASTE, SIÇ ËSHTË RASTI ME GAZETËN ‘ZËRI’, JANË LARGUAR NGA PUNA RRETH 20 PUNËTORË MEDIALË, PËRFSHIRË GRA SHTATZËNA. DYSHOHET SE LARGIMET JANË BËRË NË KUNDËRSHTIM ME LIGJET E PUNËS DHE NDONËSE KRIZA FINANCIARE MUND T’I DETYROJË MEDIAT TË LARGOJNË PUNËTORË, LARGIMET DUHET TË BËHEN NË PAJTIM ME LIGJIN DHE DUKE RESPEKTUAR DINJITETIN E GAZETARËVE”, THOTË KUSARI, JURISTE E SË DREJTËS SË MEDIES.

Rasti më i rëndë i largimit të gazetarëve në kohë pandemie në Kosovë ishte ai i gazetës Zëri. Mbi 20 punonjësve u ishin shkëputur kontratat e punës pa një njoftim paraprak. Ajo çka mbetet për t’u  habitur është se gazetarët misioni i të cilëve thirret në kërkim të respektimit të ligjit, nuk kërkojnë të drejtat e tyre duke ndjekur procedurat ligjore!

Denoncimi i largimeve nga vendet e punës përfundon në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. Gazetarët e larguar nuk vazhdojnë procedura ligjore në kërkim të të drejtave të tyre si punonjës.

“RASTIN E KAM LAJMËRUAR NË AGK… NUK IA VLEN ME U MARRË MË TUTJE”, THA NJËRA NGA GAZETARET E LARGUARA NË KOHË PANDEMIE.

Rreziku i largimit edhe të kolegëve të tjerë vlerësohet edhe arsyeja sepse gazetarët nuk janë në pozitë të mirë ta ngrenë zërin, apo t’i ndjekin rrugët ligjore ndaj punëdhënësve të tyre.

“PËR FAT TË KEQ, GAZETARËT NUK JANË NË POZITË QË TA NGRENË ZËRIN E TYRE APO EDHE RRUGËT LIGJORE PËR SHKAK SE ATA NUK DUAN TË BËHEN VETË LAJMI OSE KANË FRIKË SE NUK DO TË GJEJNË PUNË TJETËR. PO ASHTU, KA GAZETARË QË PUNOJNË PA KONTRATA DHE ATA E KANË TË VËSHTIRË T’I NDJEKIN RRUGËT LIGJORE”, THOTË FLUTURA KUSARI, JURISTE E SË DREJTËS SË MEDIES.

Të larguarit gazetarë/e, punonjës teknikë të gazetës “Zëri”, ishin njoftuar se situata pandemike po kërcënon qëndrueshmërinë financiare të gazetës dhe se ky ishte shkaku i largimit të tyre.

Agon Osmani, kryeredaktor i “Zëri-t” shpjegon se ndërmarrja e masave rigoroze nga qeveria e vendit të cilat kishin për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik për të parandaluar përhapjen e virusit korona Sars-CoV-2 (virus që shkakton sëmundjen COVID-19) ndikuan drejtpërdrejt në aspektin financiar të gazetës.

“PASHMANGSHËM, TË PREKURA NGA KJO GJENDJE ISHIN EDHE MEDIET TONA. GAZETA ‘ZËRI’, QË NGA MARRJA E MASAVE TË PARA NË MUAJIN MARS ËSHTË PËRBALLUR ME PROBLEME FINANCIARE SI PASOJË E PAMUNDËSISË SË GJENERIMIT TË TË HYRAVE NGA MARKETINGU, DUKE BËRË QË EDHE EDICIONI I SHTYPUR I GAZETËS TË NDËRPRITET PËR NJË KOHË, POR ME SHPRESËN QË GJENDJA TË STABILIZOHEJ NË ASPEKTIN FINANCIAR NË NJË TË ARDHME TË AFËRT. POR, PËR FAT TË KEQ, KJO NUK NDODHI, DHE GAZETA ‘ZËRI’ EDHE SOT E ASAJ DITE NUK KA MUNDUR TË RIKTHEHET NË TREG. AKTUALISHT JEMI DUKE FUNKSIONUAR NË EDICIONIN ONLINE, ZERI.INFO, ME TELEVIZIONIN ‘ZËRI’ DHE ME ‘RADIO PRISHTINËN’. GJENDJA KA FILLUAR TË STABILIZOHET, MIRËPO ËSHTË ENDE LARG IDEALES”, THA PËR RTK KRYEREDAKTORI I GAZETËS ZËRI, AGON OSMANI.

Pas reagimit publik të AGK-së dhe organizatave vendase dhe ndërkombëtare në Kosovë është arritur që dy prej gazetareve të rikthehen në punë. Njëra nga to në kohën e largimit ishte shtatzënë ndërkohë tjera është punësuar nga një medie tjetër online, konfirmon kryetarja e AGK-së Gentiana Begolli Pustina.

Për më tepër, raportohet për ulje pagash, mungesë kushtesh dhe trajtim të padinjitetshëm ndaj gazetarëve nga ana e drejtuesve të mediave.

Gentiana Begolli-Pustina, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve thotë se gazetarët janë përballur me ulje dhe vonesa të pagave, gjë që ka vështirësuar dukshëm gjendjen ekonomike të tyre.

Ajo sqaron se në fillim të pandemisë anëtarët e AGK-së kanë kërkuar ndihmë për t’u siguruar mjete mbrojtëse si maska, dezinfektues dhe doreza. Pasi shumica prej tyre kishin deklaruar se mediumet ku ishin të angazhuar, kishin dështuar t’ju sigurojnë mjetet mbrojtëse, dhe si rrjedhojë gazetarët dhe stafi teknik jenë detyruar që nga paga mujore t’i sigurojnë ato.

“PËRVEÇ LARGIMEVE NGA PUNA, TË MOS HARROJMË QË SHUMË GAZETARË, KAMERAMANË, FOTOREPORTERË, PAGA E TË CILËVE VAZHDON TË JETË 130-200 EURO NË MUAJ. PO NGA AJO PAGË, ATA KANË QENË TË DETYRUAR QË T’I BLEJNË EDHE MJETET MBROJTËSE, MEQË ASKUND NË INSTITUCIONE NUK JANË LEJUAR TË HYNË PA MASKA, NDËRKAQ QË ÇMIMI I TYRE NË FILLIM TË PANDEMISË KA QENË SHUMË I LARTË, KRAHASUAR ME TË ARDHURAT MUJORE TË KOLEGËVE TANË”, KONFIRMON KRYETARJA E AGK-SË.

Edona Musa, redaktore në RTK, kërkon nga gazetarët e larguar që ta marrin guximin e t’i kërkojnë të drejtat e tyre ligjore. Ajo tregon se punonjësit e televizionit publik nuk janë prekur nga kriza ndonëse nuk kanë pasur “shpërblime” për punën e pandërprerë të reporterëve në terren ashtu siç patën mbështetje punonjësit e tjerë shtetërorë të cilët ishin në krye të detyrës.

 

Musa iu bën apel kolegëve në mediat private të jenë më të zëshëm. Sipas saj, gazetarët shquhen për guxim, për raportim të drejtë, atëherë ata duhet ta marrin fjalën dhe të raportojnë kur edhe atyre u bëhet e padrejtë.

“JO VETËM NË MËNYRË INDIVIDUALE POR EDHE SI KOMUNITET DUHET TË JEMI TË BASHKUAR DHE TA NDIHMOJNË NJERI- TJETRIN NË FORMA TË NDRYSHME, NË MËNYRË QË TË GJITHË T’I GËZOJNË TË DREJTAT LIGJORE”, THA MUSA.

Situatë aspak e lehtë ishte edhe për gazetarët në Serbi. Anamari Repic, korrespodente e RTK-së nga Beogradi tregon se gjatë muajve të fundit gazetarët e pavarur serbë janë përballur me presion, arrestime dhe probleme financiare.

“GJATË PANDEMISË NË SERBI ËSHTË TREGUAR SI POLITIKA MUND TË NDIKOJË DHE TË BËJË PRESION NDAJ GAZETARËVE, TË CILËT RAPORTONIN PËR PANDEMINË, DUKE PËRFSHIRË MENAXHIMIN E SITUATËS, OFRIMIN E KUJDESIT SHËNDETËSOR, NË MËNYRË PROFESIONALE, TË PAVARUR, DUKE KËRKUAR PËRGJEGJËSI PREJ PUSHTETIT, QEVERISË, NGA INSTITUCIONE TË SHËNDETIT PUBLIK DHE SPITALEVE. MENJËHERË PAS RAPORTIMEVE TË PARA KRITIKE NDAJ QEVERISË PËR KEQMENAXHIM TË SITUATËS DUKE ZBULUAR MANIPULIME TË NDRYSHME, GAZETARËVE U ËSHTË BËRË PRESION I MADH DHE DISA JANË ARRESTUAR E VIKTIMAT E FUSHATËS DENIGRUESE NË MEDIAT DHE TABLOIDE TË KONTROLLUARA NGA PARTITË NË PUSHTET”, THA REPIC.

Raportimet e gazetarëve serbë, të cilët zbardhën mostrajtimin e duhur ndaj pacientëve, atje ishin cak i presionit të vazhdueshëm të politikëbërsve në Beograd, veprime për të cilat kishte pasur reagime publike nga shoqëria civile thekson ajo.

Elert Yzeiri, kryeredaktor në A2CNN me seli në Tiranë tregon se si pandemia ndryshoi shumë sjellje, mënyra komunikimi, organizimin dhe zhvillimin e përditshmërisë ne televizionin A2 CNN.

Ai thekson se padyshim që situata e krijuar me CODIV-19 pati ndikimin e vet edhe në medie.

“MËNYRA ME TË CILËN U PUNUA DHE PO PUNOHET GJATË KËSAJ PERIUDHE MBETET ENDE E PAZAKONTË, POR NË OPINIONIN TIM PERSONAL MENDOJ SE NXORI EDHE SHUMË ASPEKTE TË REJA, DISA PREJ TË CILAVE SHUMË TË RËNDËSISHME” THOTË YZEIRI.

Ai gjykon se gazetarët dhe punonjësit e medies kanë përcjellë më shumë humanizëm në detyrën e tyre, janë bërë shumë më njerëzorë në mënyrën si e kanë përcjellë situatën, si organizuan punën e tyre, si bashkëpunuan dhe komunikuan me institucionet shtetërore, private, por edhe me individë të ndryshëm.

“SITUATA E PANDEMISË QË MBËRTHEU TË GJITHË GLOBIN ËSHTË PADYSHIM NJË PREJ MOMENTEVE MË TË RËNDA QË KA PËRJETUAR BOTA, TË PAKTËN QË PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE. PËRBALLJA ME NJË ARMIK TË PANJOHUR QË NUK BËRI DALLIM, NË INDIVIDË, POZICIONE SHOQËRORE, E PADYSHIM EDHE NË DALLIMIN MES SHTETEVE, ISHTE DHE ËSHTË NJË SFIDË SHUMË E MADHE PËR NJERËZIMIN. TË GJITHË U PREKËN PREJ SAJ, DIKUSH NË MËNYRË TË DREJTPËRDREJTË DUKE E PROVUAR SËMUNDJEN NË TRUPIN E TIJ, TË TJERËT TE TË AFËRM APO MIQ E TË NJOHUR, POR PADYSHIM EDHE NË EFEKTET QË AJO PATI NË ASPEKTIN EKONOMIK DHE SOCIAL”, ELERT YZEIRI KRYEREDAKTOR NË A2 CNN ME SELI NË TIRANË.

Sipas tij, gazetarët dhe punonjësit e medies në përgjithësi treguan një përgjegjshmëri më të madhe për përcjelljen e mesazheve më të rëndësishme, për të ruajtur veten dhe të tjerët, e më pas në raportimin e kujdesshëm të situatës, për të vijuar deri tek distancimi social dhe rregullat e tjera të paracaktuara nga autoritet dhe mjekët.

Në mungesë të një komunikimi të drejtpërdrejtë mediat ka pasur mundësinë që të përdorin mënyrat alternative të kontaktit apo kryerjes së detyrës së tyre, duke mos e ulur aspak cilësinë, por duke hapur një perspektivë të re për të ardhmen e medien.

Përdorimi i burimeve alternative të komunikimit si Skype, Zoom, messenger dhe të tjera rriti edhe më shumë gjithëpërfshirjen e njerëzve, por shkurtoi në mënyrë të ndjeshme edhe kohën e realizimit të tyre.

“NË SHUMË MEDIA U APLIKUA PUNA NGA SHTËPIA, GJË TË CILËN E KEMI BËRË RREGULLISHT PËR 4 MUAJ ME RADHË NË A2CNN. PJESA E GAZETARËVE, TEKNIKËVE APO PUNONJËSVE QË KISHIN MUNDËSI PËR TË MOS QENË FIZIKISHT NË AMBIENTET E TELEVIZIONIT KANË PUNUAR NGA SHTËPIA E TYRE. KJO NUK E ULI ASPAK RENDIMENTIN E PUNËS SË TYRE, MADJE MUND TË THEM ME BINDJE SE NË DISA PJESË AJO ISHTE EDHE SHUMË MË FUNKSIONALE, DUKE BËRË TË MENDOJMË QË DISA PROCESE NE TI LEJOJMË TË PUNOJNË EDHE NGA AMBIENTET E SHTËPISË”, THEKSON YZEIRI.

Ai rikujton se nëse teknologjia ishte një aleat shumë i mirë për mediat në këtë periudhë pandemie, gjatë këtyre muajve është thelluar më shumë vështirësia ekonomike për të mbajtur mediat.

Largime dhe ulje pagash për punonjësit e mediave pati edhe në Tiranë.

Sipas raportimeve që bëjnë kolegët e tij në Shqipëri, pasi shumë prej tyre nuk janë bërë publike, ka pasur vështirësi për pagesat e punonjësve (shumë televizione, por edhe portale kanë përgjysmuar pagat, disa kanë dhënë vetëm 70%), ashtu sikundër ka pasur edhe largime të kohëpaskohshme nga puna, ndërsa investimet kanë qenë pothuaj të vogla.

Situata e pandemisë që mbërtheu të gjithë globin mbetet padyshim një prej momenteve më të rënda që ka përjetuar bota, të paktën që pas Luftës së Dytë Botërore. Përballja me një armik të panjohur që nuk bëri dallim, në individë, pozicione shoqërore, e padyshim edhe në dallimin mes shteteve, ishte dhe është një sfidë shumë e madhe për njerëzimin. Të gjithë u prekën prej saj, dikush në mënyrë të drejtpërdrejtë duke e provuar sëmundjen në trupin e tij, të tjerë te të afërm apo miq e të njohur, por padyshim edhe në efektet që ajo pati në aspektin, ekonomik dhe social pa anashkaluar medien./RTK

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco