Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit të Shqipërisë, akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një çështje hetimore që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Dënoj me forcën më të madhe ndërhyrjen brutale të Edi Ramës pranë prokurorit që ka dosjen e Lubi Ballukut. Telefonatën kërcënuese që i ka bërë atij dhe çdo lloj kërcënimi tjetër që i është bërë një prokurori, i cili, i gjetur përballë fakteve të pakundërshtueshme, ka marrë vendimin e duhur,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, prokurori në fjalë është përballur me presione dhe kërcënime të rënda. “Unë ju them me garanci dhe siguri të plotë që ai është kërcënuar, por Edi Rama këtë nuk e pranon dot, sepse është i regjistruar,” tha më tej Berisha.
Kreu i opozitës përmendi gjithashtu edhe kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, si një nga personat që ka ushtruar presion ndaj prokurorit. “Altin Dumani është ndoshta një nga kërcënuesit e tij… i ka thënë, pak a shumë po e perifrazoj, ‘mendo për kokën tënde’. Por kërcënimi i Ramës është shumë më tepër, është një skandal i madh,” shtoi ai.
Berisha e vijoi deklaratën duke e cilësuar rastin si “një ndërhyrje të paprecedentë të pushtetit ekzekutiv në drejtësi”.
FJALA E BERISHËS:
Por unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe ndërhyrjen brutale të Edi Ramës pranë prokurorit që ka dosjen e Lubi Ballukut.
Telefonatën kërcënuese që i ka bërë atij dhe çdo lloj kërcënimi tjetër që i është bërë një prokurori, i cili i gjetur para dëshmitarëve dhe fakteve të pakundërshtueshme, me shkrim, me film dhe çdo gjë, ka marrë vendimin e duhur...
...Prova, unë u them ju me garanci dhe siguri të plotë që ai është kërcënuar, por Edi Rama këtë nuk e pranon dot, sepse është i regjistruar...
...Altin Dumani është ndoshta një nga kërcënuesit e tij. Altin Dumani është një nga ata që i ka thënë, pak a shumë po e perifrazoj, mendo për kokën tënde.
Por të mos hyj në atë punë. Ai i Altinit është më pak, por kërcënimi i Ramës është shumë më tepër.
Kërcënimi i Ramës është një skandal shumë i madh. Se e di ti se po thërret zëvendëskryeministren.
© SYRI.net