I riu protestues: Jam lind e rrit në Itali, po iku Rama, unë do kthehem të jetoj në Shqipëri

10:20, 21/06/2026

Pas protestës së 21-të mbrëmjen e shkuar, situata përpara Kryeministrisë ka hyrë në një fazë të re, pasi një grup protestuesish ka vendosur të qëndrojë gjatë gjithë natës në shesh. Ky zhvillim shënon një përshkallëzim të qartë të formës së protestës, ku prezenca e vazhdueshme po kthehet në një mesazh të drejtpërdrejtë presioni dhe vendosmërie ndaj kërkesave të tyre.

Për herë të parë që nga nisja e kësaj vale protestash, qytetarët nuk janë shpërndarë pas mbylljes së tubimit, por kanë zgjedhur të vijojnë qëndrimin e tyre përballë Kryeministrisë. Ata deklarojnë se nuk do të largohen deri në përmbushjen e plotë të kërkesave, duke e bërë qartësisht të lexueshme që protesta po kalon nga faza e tubimeve periodike në një formë rezistence të vazhdueshme.

Një i ri i ardhur nga Italia u shpreh për SYRI TV, duke theksuar vendosmërinë e tij për të qëndruar në protestë deri në fund dhe duke e lidhur rikthimin e tij në Shqipëri me një kërkesë të qartë politike. Ai ka treguar se është pjesë e protestës prej ditësh dhe se nuk ka ndërmend të largohet pa një zhvillim konkret.

Mesazhi i tij është i drejtpërdrejtë: qëndrimi në shesh, sakrifica personale dhe bindja se vetëm dorëheqja e kryeministrit do ta ndryshonte vendimin e tij për të jetuar në Shqipëri.

‘Unë jam lindur e rritur në Itali. Kam ardhur në datë 4 në protestë, këtu në Tiranë, edhe sot e kësaj dite jam prapë këtu. Plot me sakrifica edhe me guxim. Jemi të gjithë këtu, dita e 21 në protestë, edhe kjo gjë të bën zemrën plot. Të mbush zemrën edhe të tregon që ky vendi është vendi ku të vërteton shpirtin tënd, zemrën tënde. Unë këtu dua të rri, të jetoj, vetëm në qoftë se ai jep dorëheqjen. Po të japë dorëheqjen, unë e premtoj gjithë... edhe prindërve të mi ua kam premtuar me kohë, i kam thënë: "Më sillni çantat, më sillni valixhet se unë do rri këtu derisa të japë dorëheqjen ai. ."
Erdha kastile se nuk rri dot. Edhe në Itali ndihem i huaj për gjithë jetën, unë do ndihem i huaj për gjithë jetën. Po këtu jam në vendin tim. Kam ardhur çdo vit, nuk kam lënë vit pa ardhur, me sakrifica me familjen time që ka bërë plot sakrifica për të na rritur atje në kurbet. Njerëzit mendojnë që kurbeti është fushë me lule edhe po largohen nga Shqipëria. Po Shqipëria është fushë me lule e vërtetë, po pati një qeveri që me gjithë mend e do vendin, e do njerëzit e vet edhe të jetë patriote vetëm me gjysmën që jemi ne njerëzit, populli. Shqipe no joke. ‘- 
u shpreh ai

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco