SYRI TV/ Rama nis distancimin nga Belinda Balluku, nuk transmeton aktivitetin e saj

13:00, 28/10/2025

Ndërsa Belinda Balluku zvarrit paraqitjen e saj në SPAK për t’u njohur me akuzën, kryeministri Edi Rama duket se ka nisur distancimin nga zëvendëskryeministrja. Ministrja e Infrastrukturës është shfaqur sot në Durrës, për prezantimin e Liburn Aliut si drejtor i Portit, por ndryshe nga herët e tjera, kryeministri Edi Rama ka vendosur që këtë aktivitet mos ta shfaq në rrjetet e tij sociale. E njëjta sjellje e Ramës, për herë të fundit është parë në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj, ku deri pak orë para arrestimit shfaqej në aktivitete të përbashkëta, por arrinte deri në retushimin e tij në rrjetet sociale.

Syri TV

Teksa refuzoi të paraqitej në SPAK për t’u njohur me akuzën, zv. kryeministrja Belinda Balluku u shfaq sot nga Durrësi për të prezantuar ish-ministrin e qeverisë së Albin Kurtit, Liburn Aliun në krye të Autoritetit Portual Durrës.

Edhe pse u kujdes që në krye të fjalës të thurte lavde dhe këtë emërim t’ia atribuonte Edi Ramës, duket se kryeministri nuk ishte këtë herë aq i kujdesshëm për aktivitetin e Ballukut, teksa ka llogari me SPAK. Ndryshe nga herët e tjera, kur në faqen e tij në Facebook, Rama postonte çdo aktivitet propagandistik të zëvendëses së tij, sot kryeministri kishte zgjedhur që të mos e postonte më Belinda Ballukun, sjellje kjo e konstatuar edhe ndaj kryebashkiakut Eriion Veliaj, kur pak para arrestimit dilte me të për inagurime, por nga ana tjetër krijonte gradualisht distancim. Aktiviteti i fundit që Rama i ka publikuar Belinda Ballukut është pak ditë para publikimit të lajmit për thirrjen e saj, e prej asaj dite vihet re një bllokim total, i aktiviteteve të zëvendëskryeministres, siç ishte takimi në Zvicër, në Rumani apo edhe inspektimi i projektit për pastrimin e rrugëve.

Nga ana tjetër, SPAK duket se i ka dërguar një tjetër fletëthirrje zv.kryeministres, e cila duhet të paraqitet me avokat për tu njohur me akuzën. Zyrtarisht SPAK është treguar hermetik në shpërndarjen e informacioneve, por burime të tjera kanë saktësuar se Belinda Balluku pritet të paraqitet ditën e premte, në organin e akuzës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco