Në një intervistë ekskluzive për portalin “Syri.net”, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzon kryeministrin Edi Rama se ka arritur ta shndërrojë Gjykatën Kushtetuese në një “seksion të Rilindjes”, duke eliminuar çdo mendim të pavarur dhe duke shkatërruar balancat kushtetuese në vend.
Meta deklaron se nuk është i zhgënjyer nga refuzimi i kërkesës për shuarjen e masës së paraburgimit, pasi nuk ka pritshmëri nga një drejtësi e kapur politikisht. Ai thekson se dosja do të çohet në Gjykatën e Strasburgut, pasi në Shqipëri nuk mund të pritet një proces i drejtë e i pavarur.
Meta thekson se arrestimi i tij më 21 tetor 2024 ishte “një rrëmbim kriminal i mirëplanifikuar” pas një fushate njëvjeçare propagandistike të orkestruar nga SPAK dhe Edi Rama me qëllim eliminimi i tij si faktor politik në prag të zgjedhjeve.
Pjesa e parë e intervistes
Syri.net: Z. Meta, përsëri GJKKO ka refuzuar kërkesën e avokatit tuaj, Z. Cakrani për shuarjen e masës së paraburgimit tuaj edhe pse u mbush një vit nga arrestimi juaj. A jeni i zhgënjyer?
Ilir Meta: Aspak. As kam patur ndonjë pritshmëri nga gjykatat vendase dhe as nuk mund të kem, pasi nëse do kishim gjykatës të pa kapur, asnjë gjykatës nuk mund të firmoste për arrestimin tim, pra rrëmbimin në 21 tetor 2024 bazuar mbi fletërrufenë e 3 prokurorëve të SPAK-ut.
Ne duhet të ecim drejt Gjykatës së Strasburgut, pasi në një vend ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese detyrohen në mënyrën më absurde të ndërpresin mandatin plotësisht kushtetues të koleges së tyre, vetëm për të realizuar ëndrrën e Kryekleptokratit, pra për të zeruar çdo mendim pakice, nuk mund të presim as gjykim të rregullt, as të pavarur dhe as të drejtë.
Kur nuk ekziston siguria juridike për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese është iluzion, e më thjeshtë budallallëk të besosh te gjykatat e tjera.
Aq më tepër, kjo nuk më lejohet mua që si President i Republikës kam luftuar aq shumë për të mbrojtur integritetin e Gjykatës Kushtetuese.
Por pas 5 vitesh u arrit qëllimi i Kryekleptokratit për ta shndërruar Gjykatën Kushtetuese në një seksion të mirëfilltë të “Rilindjes”, ku do mbizotërojë unanimiteti.
Syri.net: Si e shikoni të ardhmen e çështjes tuaj tani pas një viti?
Ilir Meta: Unë e di shumë mirë pse jam këtu në këtë burgun e “vogël”, pasi ju të gjithë duhet të vazhdoi të jetoni me gënjeshtra, mashtrime dhe aktrime në burgun e madh.
Rrëmbimi im kriminal u parapri nga një fushatë e përgjithshme frikësuese që në korrik 2023 e deri në 21 Tetor 2024 kur ndodhi rrëmbimi i mirëmenduar kriminal, që kishte qëllime shumë më të errëta se thjesht arrestimi im.
Po të bëni një kërkim për 15 muaj (nga korriku 2023), çdo ditë kishte shkrime të porositura me burime nga SPAK-u (Rama) se Meta do arrestohet sot e do arrestohet nesër, se erdhi letërporosi andej apo këtej nga çdo kontinent, se do arratiset në Hungari apo diku tjetër.
Gjithçka synonte largimin tim nga vendi, sepse kështu do vetëfajësohesha dhe gjithë mashtrimet e investuara kundër meje prej 25 vitesh do bëheshin të vërteta.
Po kështu edhe Partia e Lirisë, që ka qenë një stres i madh për shumë faktorë malinj të brendshëm e të jashtëm, do i dorëzohej një sufllaqexhiu të bindur e të kapur.
Por llogaritë e tyre nuk ecën siç besuan ata dhe grupi i SPAK-ut, siç u pagëzua me të drejtë në Partinë e Lirisë.
Organizimi i shpejtë i Konventës historike të 27 Prillit 2024 dhe mbarëvajtja me sukses e saj i nervozoi dhe i çoi pashmangshmërisht te rrëmbimi im kriminal i 21 Tetorit si e vetmja rrugë për të paralizuar fuqinë e drejtimit të Partisë së Lirisë në zgjedhje, por edhe me shpresën për ta rimarrë drejtimin e sa me lojra të tjera.
Po kështu, ata shpresuan se me provokime dhe patronazhistë këtu te 313 do mund të sajonin prova penale siç bënë me kolegun e tyre Z. Erion Veliaj në burgun e Durrësit.
Në pamundësi për të justifikuar gjithë mashtrimet dhe hamendësimet e tyre të frymëzuara nga Edi Rama në dosjen ku nuk ekziston asnjë provë apo fakt penal kundër meje dhe duke përshkallëzuar më tej shkeljen e të drejtave të mia në paraburgim, ata synojnë të ecin drejt një procesi inkuizitiv që s’ka asnjë lidhje me procesin e rregullt ligjor, e aq më tepër me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Por unë jam shumë besimplotë se ata do marrin përgjigjen e merituar në çdo seancë të gjykimit në themel kur unë do jem përballë tre prokurorëve që janë shkelës të provuar të ligjit.
Mos harroni, tre prokurorët e SPAK-ut firmosën për arrestimin tim bazuar mbi një ligj që ishte shfuqizuar 4 vite më parë, që në 2020.
Përse kjo “rastësi” apo “pakujdesi” nga tre prokurorë që presupozohet se janë elita për zbatimin e ligjit?
Kjo ndodhi vetëm që t’i hapej rruga Narkopolicisë të bënte atë akt rrëmbimi publik me qëllim terrorizimin e opozitarëve dhe qytetarëve përpara zgjedhjeve.
© SYRI.net