Nga Alba Kepi
Qeveria Meloni mbushi sot 3 vite nga marrja e drejtimit të Italisë.
Prej 22 tetorit 2022 janë 3 vite stabilitet ekzekutiv që Italisë i kishin munguar që nga koha e qeverisjes së Berlusconit. Pas vite dorëheqjesh kryeministrash, prishjesh koalicionesh e rrëzimesh qeverish, Meloni ka meritën se i dha Italisë qëndrueshmërinë e munguar edhe në qasjen brenda Bashkimit Europian apo në skenën e diplomacisë botërore.
Por nëse mes Romës e botës, Italia fiton terren falë edhe marrëdhënies mjaft të mirë që Giorgia Meloni ka me Presidentin amerikan Donald Trump, midis Romës dhe Tiranës diplomacia është kthyer në një teatër politik me një akt e skenë ku performojnë dy aktorë.
Nga njëra anë, Giorgia Meloni, liderja e djathtë që ka ndërtuar suksesin elektoral mbi parullën e “sovranitetit kombëtar”. Nga ana tjetër, Edi Rama, socialist, që e ka kthyer Shqipërinë në laboratorin e eksperimentit të radhës të Europës. Dy figura me formime, ideologji dhe vizione të ndryshme, por që prej tre vitesh ndajnë një bashkëpunim më shumë propagandë sesa diplomaci.
Marrëveshja për migrantët, e firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë, është simboli i kësaj aleance paradoksale. Në thelb, Roma i delegon Tiranës një pjesë të detyrave që i takojnë shtetit italian: pritjen dhe përpunimin e kërkesave për azil për migrantët e shpëtuar në det ose të strehuar në kampet territoriale. Teorikisht paraqitet si një zgjidhje inovative për menaxhimin e flukseve migratore. Në praktikë është veç një formë diabolike e zhvendosjes së përgjegjësive, që ka ngritur pyetje të mëdha mbi legjitimitetin ligjor, ndikimin humanitar dhe efektivitetin real të politikës së migracionit.
Për Melonin, kjo marrëveshje është një fitore simbolike. Ajo i shërben për të treguar “forcë” në temën e saj më të ndjeshme kontrollin e kufijve dhe luftën kundër emigracionit të paligjshëm pa u përballur me kompleksitetin e zgjidhjeve të brendshme.
Për Ramën, është një investim diplomatik. Ai fiton vëmendje ndërkombëtare, pozicionohet si partner strategjik i Italisë dhe përforcon imazhin e tij. Dy aktorë politikë të bashkuar nga interesi e paradoksi.
Dy botë ideologjike që duhet të përplasen, por që në praktikë bashkëjetojnë përmes oportunizmit politik.
Tre vjet pas ardhjes në pushtet, Meloni mund të mburret me stabilitetin e qeverisjes dhe një profil të fortë ndërkombëtar. Por aleanca me Shqipërinë, sado që paraqitet si shembull bashkëpunimi mes dy brigjeve të Adriatikut, mbetet një manovër taktike për përdorim të brendshëm një skenografi politike që shërben për të ushqyer narrativën e “kontrollit” dhe “rendit”.
Edi Rama nuk është më vetëm partner, por bashkëaktor në një shfaqje ku fiton ai që di të shitet më mirë në publik. Meloni me “forcën”, Rama me “lëpirjen”.
Këto tre vite show diplomatik mes Romës dhe Tiranës janë shoqëruar nga performanca publike me përqafime, puthje, dhurata dhe pushime buzë bregdetit shqiptar mes dy aktorëve kryesorë.
E ardhmja do të tregojë se çfarë do të rezervojë “spektakli” i ardhshëm. Urojmë jo më pakte me harac shqiptarie.
© SYRI.net