Gjykata e Lezhës ka dënuar me 12 vite burg një 38-vjeçar nga Miloti, i akuzuar për vjedhje dhe marrëdhënie seksuale me një të mitur.
I pandehuri Simon Gjoka, u arrestua fillimisht në shkurt të këtij viti, si pjesë e një hetimi për vjedhje bagëtish në fshatin Gajush. Gjatë hetimeve, organet ligjzbatuese zbuluan komunikime të dyshimta me një vajzë 13-vjeçare, çka çoi në zgjerimin e hetimeve dhe ngritjen e një akuze të dytë për marrëdhënie me të mitur.
Prokuroria kërkoi 18 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u reduktua në 12 vite heqje lirie.
Sipas dosjes hetimore, vajza e mitur ka dëshmuar në prani të psikologut dhe nënës së saj se kishte pasur një “lidhje” me Gjokën dhe se gjithçka kishte ndodhur “me dëshirë”. Megjithatë, mosha e saj nën 14 vjeç përjashton çdo formë pëlqimi sipas legjislacionit shqiptar. Ajo ka pohuar gjithashtu se Gjoka e kishte prezantuar me persona të tjerë, duke ngritur dyshime për shfrytëzim për prostitucion, ndonëse kjo akuzë nuk është përfshirë në vendimin final të gjykatës.
Në telefonin e vajzës u gjetën foto intime të cilat i ishin dërguar të pandehurit. Gjoka, i cili kishte marrëdhënie miqësore me nënën e të miturës, një grua që tregtonte qirinj pranë kishës së Shna Ndout në Laç ka mohuar akuzat gjatë gjithë procesit.
Përveç marrëdhënieve të ndaluara me të mitur, Gjoka është shpallur fajtor edhe për vjedhje të kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se ishte përfshirë në disa raste vjedhjesh në zonat rurale të Lezhës.
© SYRI.net