'Kapja finale e Gjykatës Kushtetuese', Koka: Rama përdori bedelin Begaj, Sonila Bejtjes i mbaronte mandati në 2028

18:18, 16/10/2025

I ftuar në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon, gazetari Bledian Koka deklaroi se vendimi për ndërprerjen e mandatit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja, shënon kapjen finale të këtij institucioni nga Edi Rama.

Sipas Kokës, kjo është goditja e fundit ndaj pavarësisë së një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë, e cila tashmë, sipas tij, është vënë tërësisht në funksion të pushtetit personal të kryeministrit.

Koka theksoi se kjo lëvizje nuk ka të bëjë me një debat juridik, por është një vendim politik i urdhëruar nga Rama dhe zbatuar nga Presidenti Bajram Begaj, të cilin e cilësoi si “bedelin” e tij. Ai nënvizoi se e gjithë kjo manovër synon eliminimin e zërave të pavarur brenda Gjykatës Kushtetuese për të siguruar kontroll të plotë mbi vendimmarrjet që prekin interesat e qeverisë.

Pjesë nga deklarata:

Janë akoma në sallë, por është një vendim i marrë tashmë për të ndërprerë mandatin e zonjës Bejtja. Një vendim i cili, duhet thënë, që unë besoj se dekapiton përfundimisht edhe atë pak pavarësi që kishte Gjykata Kushtetuese, atë pak profesionalizëm, dhe që e nënshtron atë nën urdhrat e një njeriu që quhet Edi Rama. Duke përdorur bedelin e vet, që është Bajram Begaj, u bë një nismë në janar të këtij viti, në mënyrë të papritur, për interpretimin e mandateve dhe të valencave që kanë mandatet në Gjykatën Kushtetuese.

Qartazi, i gjithë synimi ishte te mandati i zonjës Bejtja një mandat që është i gjithëpranuar nga të gjithë ata që kuptojnë nga ligji, se është një mandat që përfundon në vitin 2028. Ishte vazhdimi i një mandati të plotë, të lënë përgjysmë në atë kohë nga largimi i zotit Muzhi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe që nuk kishte nevojë për ndërhyrje ishte e qartë si drita e diellit.

Ajo që e bën edhe më të çuditshme, është se mbaj mend gati një vit më parë, kur në krye të Kuvendit ishte zonja Spiropali ka qenë po kjo drejtuese kuvendi që bëri interpretimin dhe tha se mandatet e Gjykatës Kushtetuese janë mandate që duhet të ezaurohen deri në fund, të plota. Duke iu referuar dhe rastit të zonjës Bejtja, ishte vetë zonja kryetare e Kuvendit që tha se mandati është i plotë.

Pyetja është: çfarë ndodhi që Presidenti i Republikës ky që nuk merr vesh nga asgjë u kujtua dhe kërkoi një interpretim për mandatin e zonjës Bejtja?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco