Këshilli i Ministrave i ka dorëzuar këtë të enjte Gjykatës Kushtetuese, parashtrimet, lidhur me shkarkimin e kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Këshilli bashkiak ka marrë vendimin nr.69, datë 23.9.2025, në rrethanat kur Kryetari i Bashkisë Tiranë ndodhet në pamundësinë fizike për t'u paraqitur në detyrë prej datës 10 shkurt 2025, për shkak të vendosjes ndaj tij të masës shtrënguese të sigurimit personal’.
Shkarkimi i Veliajt është akt me karakter administrativ, dhe si i tillë, ai duhet të shqyrtohet në Gjykatën Administrative', thekon Këshilli i Ministrave në parashtrimet për Kushtetuesen.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura procedurale, gjykata ka lënë në fuqi masën ‘arrest në burg’ për kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe nuk ka pranuar heqjen e masës, apo zëvendësimin me një masë tjetër shtrënguese që do të mundësonte paraqitjen në detyrë.
Këshilli Bashkiak Tiranë ka konstatuar se mosparaqitja në detyrë, në rrethanat e sipërcituara dhe për një periudhë më të gjatë se tre muaj, përbën shkak ligjor për të propozuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, mbështetur në shkronjën “c”, të nenit 62, të ligjit nr. 139/2015, "Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar.
Fakti juridik i pamundësisë së paraqitjes në detyrë është fakt publik dhe vërtetësia e tij, nuk mund të vihet në dyshim”, thuhet në parashtrimet e Këshillit të Ministrave.
Një ditë më parë, ishte Presidenca që dërgoi parashtrimet në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me ankimin e Veliajt në GJK, ku i kërkoi të mos e marrë në shqyrtim.
© SYRI.net