SYRI TV/ Bashkitë kundër projektligjit të mbetjeve, Farici: Cënon rëndë autonominë vendore

15:50, 10/10/2025

Projektligji për menaxhimin e mbetjeve, që u diskutua në Komisionin e Ligjeve, u heq kompetencat bashkive, ndërsa nga ana tjetër rrit edhe kostot për qytetarët. Shoqatat e bashkive, në një seancë dëgjimore, kanë treguar se ky projektligj do të cenojë rëndë autonominë vendore dhe, përveç kësaj, do të ketë impakt social në shoqëri. Ndërkohë, opozita ka vënë theksin se ligji për mbetjet ka çuar njerëz në burg.

Në Komisionin e Ligjeve është diskutuar projektligji për menaxhimin e mbetjeve, ku kanë raportuar përfaqësues të shoqatave të bashkive, të cilët kanë vënë në dukje shkeljet e këtij projektligji, heqjen e kompetencave të bashkive për menaxhimin e mbetjeve, si dhe kostot që do të rëndojnë mbi qytetarët.

Adelina Farrici, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, theksoi se drafti aktual cenon rëndë autonominë vendore. Ndërsa kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, vuri theksin se do të ketë rritje të tarifave që do të rëndojnë në xhepat e qytetarëve. Eksperti Agron Haxhimihali u ndal te roli i AKEM-it, i cili – sipas tij – shkel parimet e decentralizimit.

Adelina Farrici:
“Rekomandimet që ne kemi për këtë projektligj, duke pasur në konsideratë se autonomia është vetëqeverisje, dhe nga ana tjetër vetëqeverisja nënkupton autonomi kushtetuese, duhet të theksojmë se ligjet e zakonshme duhet të nxirren jo vetëm në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës, por me kujdes të veçantë që të mos prekin rregullimet që përfshihen në ligjet organike, siç është ligji për vetëqeverisjen vendore – ligji nr. 139/2015.”

Juliana Memaj:
“Ky ligj na ngarkon me detyra të reja: fushata sensibilizuese, ndarja e mbetjeve në burim, transporti në stacione tranzitore. Të gjitha këto do të çojnë në rritjen e tarifave për komunitetin, gjë që mund të sjellë një impakt të rëndë social.”

Agron Haxhimihali:
“Roli që ka marrë AKEM-i, si politikëbërës dhe vendimmarrës, nuk përputhet me parimet e decentralizimit. Ne thamë se do të kishim 61 bashki të forta, politikëbërëse dhe afër qytetarëve. Tani vendimmarrja po shkon në një vertikale shumë të lartë.”

Ndërkohë, deputetët e opozitës u ndalën te pasojat konkrete të ligjit, ku Oerd Bylykbashi theksoi se çështjet e menaxhimit të mbetjeve kanë çuar njerëz në burg.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco