Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka bërë një deklaratë të fortë mbi aferën e abuzimit me fondet IPARD të Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë si një skemë të mirëorganizuar nga Partia Socialiste për të financuar fushatat elektorale në të gjithë Shqipërinë.
Sipas Hoxhajt, bëhet fjalë për mbi 38 milionë euro fonde europiane që janë shpërdoruar përmes skemave. Ai denoncoi se 431 përfitues, shumica dërrmuese e të cilëve të lidhur direkt me PS-në përfshirë deputetë, kryetarë bashkish dhe drejtues shtabesh elektorale kanë përfituar disa herë grante për të njëjtin aktivitet, në mënyrë të paligjshme dhe në konflikt interesi.
Hoxhaj shtoi se OLAF ka konfirmuar zyrtarisht shkeljet, duke i dorëzuar SPAK-ut një dosje të plotë me emra, fakte dhe prova për abuzimin me këto fonde, por deri më sot, SPAK nuk ka ndërmarrë asnjë veprim real, përveç një përgjigjeje formale: “Po hetojmë”. Ai theksoi se fondet që ishin dedikuar për fermerët shqiptarë, në vend që të shkonin për zhvillimin e bujqësisë, kanë përfunduar për ndërtimin e serave false, agroturizmave fiktivë dhe madje edhe vilave private të njerëzve të lidhur me pushtetin.
“Kemi të bëjmë me një abuzim kapilar, me fonde që janë përdorur hapur për qëllime elektorale. Janë vjedhur miliona euro në emër të fermerëve dhe ende askush nuk është përballur me drejtësinë,” u shpreh gazetari
Pjesë nga deklarata:
112 milionë euro janë që vijnë direkt nga BE. Ata duan mbrapsht gjithë pjesën e abuzuar. Ata kanë pezulluar një pjesë të fondit, pra nuk e disbursuan, dhe kërkojnë mbrapsht pjesën që është abuzuar. Sot, drejtoresha e OLAF ka dhënë një intervistë dhe ajo ka konfirmuar që është 33 milionë euro, por nga raportet që ne kemi zbuluar raporte të Parlamentit Europian shuma shkon në rreth 38 milionë euro. 33.5 milionë euro është shuma e abuzuar në vitin 2022 dhe pjesa tjetër është në vitin 2023, deri në momentin që OLAF publikoi hetimin dhe vendosi të pezullonte ndihmën për Shqipërinë.
Nëse Ilir Beqaj ishte një, këtu janë shtabet elektorale të PS në të gjithë Shqipërinë. Janë 431 përfitues, që kanë përfituar deri në 3 apo 4 herë grante e njëjta kompani gjë që është absurde, sepse nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend të rajonit. Për më tepër, të gjithë përfituesit, në shumicën absolute të tyre, janë të lidhur drejtpërdrejt me PS. Kemi parë emra deputetësh, ish-deputetësh, kryetarë bashkish, zyrtarë të lartë, të cilët i kemi parë, për fat të keq, edhe si drejtuesit kryesorë të shtabeve elektorale të PS në të gjitha qarqet e vendit dhe kjo është arsyeja.
Asnjë nga këta nuk ka reaguar dhe asnjë nuk mund të reagojë. Investigimi që kemi bërë ne në PLUG është i detajuar. Është një investigim që tregon me detaje se si janë marrë fondet e IPARD. Paratë kanë shkuar edhe te ata njerëz që duken si njerëz të thjeshtë, po të shohësh listën. Ndërkohë, nëse hyn dhe investigon, sheh që janë ose prestanome të zyrtarëve të lartë të PS, ose familjarë të tyre. Ne po flasim për miliona euro të përdorura për të ndërtuar sera, agroturizëm apo vila private, kryesisht. Janë miliona euro që unë dyshoj se janë përdorur për fushata elektorale në zona të caktuara. Janë miliona euro të përdorura për të blerë fermerët, të cilët duhej t’i merrnin këto para dhe t’i investonin. Pra, këta njerëz që i kanë marrë, kanë pasur edhe ndikim tek fermerët: “shiko, ty do të të ndihmoj” e të tjera të ngjashme. Kjo është një histori e thjeshtë, por që kërkon shumë pak vullnet nga SPAK për të çuar para drejtësisë të gjithë përgjegjësit.
SPAK na është kthyer me një përgjigje të shkurtër: “Po hetojmë”. Ndërkohë, OLAF e ka konfirmuar edhe për ne zyrtarisht që e ka sjellë dosjen e plotë, me emra, me abuzuesit, me gjithçka – e ka sjellë në SPAK. Pra, dosja i është dorëzuar organeve të drejtësisë në Shqipëri.
Ka ndodhur një çudi që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e IPARD: institucionet publike kanë marrë fonde që duhej t’u shkonin fermerëve. Ka marrë bashkia Belsh, Korçë, Tirana, Bulqiza. Kanë marrë fonde për të ndërtuar, supozohet, tregje lokale për fermerët, por rrugës dështuan tregjet, dhe për të mbuluar gjithë këtë maskarallëk kanë dashur që këto tregje t’i kthejnë në tregje industriale.
Abuzimi është kapilar.
© SYRI.net