Ndoshta të gjithëve ne na ka ndodhur që të kemi shkuar në spitalin “Shefqet Ndroqi“, ndryshe i quajtur “Sanatoriumi“. Mund të kemi rastisur si kalimtarë ose të jemi kuruar atje, dhe sigurisht e kemi vënë re që pjesa jashtë derës kryesore të spitalit të shfrytëzohet si parking me pagesë nga privati. Dhe kur na kanë kërkuar 100 apo 200 lekë për kohën që kemi parkuar makinën, ua kemi dhënë sepse kemi menduar se është tokë e dikujt tjetër që e shfrytëzon si parking me pagesë.
Por jo, ajo është tokë qëi përket Bashkisë së Tiranës, por shfrytëzohet nga privati në të zezë, thënë ndryshe nuk disponon leje për shfrytëzimin e hapësirës publike, nuk disponon licensë për ushtrimin e aktivitetit, e si rrjedhojë nuk paguan as taksa.
Zyra e shtypit e Bashkisë Tiranëna kthen përgjigje përmes Drejtorisë Juridike të Aseteve dhe Licensimit, ku na informon se prona në fjalë identifikohet me nr e pasurisë 13/183, zona kadastrale 8190, dhe figuron pjesë e listës së pronave të paluajtshme shtetërore të Bashkisë Tiranë, gjithashtu na informon se Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar nuk ka përfitime të ardhurash mbi këtë pasuri.
Ajo pjesëështë e dedikuar për vendqendrim taksish dhe për vendqendrim autobusi urban, por shfrytëzohet edhe për automjetet civile. Kjo gjë ndikon negativisht në lirimin e trafikut, pasi autobusi i linjës e ka të vështirë aksesimin aty, duke u bërë burim trafiku.
Gjatë një ballafaqimi me punonjësin e parkimit, i cili tha se prona ishte private dhe duhej komunikuar me pronarin, gazetari i emisionit “Piranjat”, Freard Rista telefonoi z.Ervis Abazi për të patur një ballafaqim lidhur me këtë problem.
Ai gjithashtu tha se toka ishte private prej shumë vitesh, por pas fakteve, dokumenteve dhe përgjigjeve nga Bashkia Tiranë që i vendosëm në dispozicion, ai e pranoi se është në një proces gjyqësor dhe se e shfrytëzon këtë hapësirë pasi gjendet para lokalit të tij, por pranoi gjithashtu se nuk paguan taksa, ka marrë disa herë gjobë për këtë shfrytëzim abuziv dhe garantoi se nuk do të vijonte më këtë aktivitet të paligjshëm.
© SYRI.net